Dy shqiptarë janë arrestuar nga policia italiane pasi janë kapur duke trafikuar 26.5 kg kokainë dhe heroinë nga Vlora në Itali.

Në pranga kanë rënë Përparim Rakip dhe Erion Tola, shoferët e autobusit që vinte nga Vlora si dhe italiani Luigi Maggio, 31 vjeç

Policia sekuestroi 23 kg kokainë dhe 3.5 kg heroinë, e cila dyshohet se u trafikua nga Shqipëria me autobus. Kokainë ishte fshehur në rrotën e përparme të autobusit të linjës Vlorë-Verese.

Brenda, dy shoferë të ardhur nga Shqipëria mbanin tre zarfe të bardhë, plot kokainë dhe heroinë, raportojnë mediat italiane.

Mëngjesin e së dielës 19 maj, 31-vjeçari italian me një Audi shkoi në Piazzale Kennedy në zonën e parkimit të autobusëve që vinin nga Shqipëria, nga ku mori nga 2 shqiptarët tre zarfët e bardhë me drogë.

Lënda narkotike u vendos nga 31-vjeçari italian në bagazhin e një Audi, në një karrocë fëmijësh, për të shuar çdo dyshim. Më pas tridhjetë e një vjeçari ka ndezur makinën dhe është larguar, por u ndoq nga policia e cila kreu kontroll në mjet dhe gjeti lëndën narkotike.

31-vjeçari italian, ishte një person me precedent të mëparshëm penal në trafikun e lëndëve narkotike. Ai u arrestua në tetor të vitit të kaluar por më pas u la në ‘arrest shtëpie’, nga ku siç duket e ka shfrytëzuar për shpërndarje kokaine, pasi e përdorte shtëpinë e tij në Lainate si strehë droge.

Sipas hetimeve paraprake, droga ishte destinuar për tregun milanez.