Një 24-vjeçar është vënë në pranga nga Policia e Fierit , pasi u kap në flagrancë duke transportuar, kundrejt pagesës 500 euro për person, 8 emigrantë nga Nepali që synonin të kalonin kufirin. I riu ishte shpallur në kërkim nga policia për të njëjtën veprimtari kriminale të kryer rreth 1 muaj më parë.
Në kuadër të operacionit policor të koduar "Aksi", u vu në pranga Kristian Plaku.
Njoftimi I policisë:
Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se një shtetas po transportonte emigrantë që synonin të kalonin kufirin ilegalisht, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe ata të Seksionit Operacional, të DVP Fier, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar "Aksi", si rezultat i të cilit u vu në pranga shtetasi K. P., 24 vjeç, banues në Korçë.
Shtetasi K. P. u kap në flagrancë, në aksin rrugor "Lushnjë-Rrogozhinë”, teksa drejtonte një automjet tip “Benz”, me të cilin transportonte 8 emigrantë nga Nepali. Nga veprimet hetimore dyshohet se 24-vjeçari po i transportonte këta shtetas, drejt Shkodrës, kundrejt shumës 500 euro/person, në mënyrë që ata të kalonin kufirin, në kundërshtim me ligjin, drejt vendeve të BE-së.
Gjithashtu, nga verifikimet rezultoi se 24-vjeçari ishte i kërkuar nga Policia e Vlorës, pasi më datë 29.08.2023, në fshatin Vrion, ka braktisur automjetin tip “Range Rover” me të cilin transportonte emigrantë, me qëllim kalimin e kundërligjshëm të kufirit.
Automjeti tip "Benz" u sekuestrua me cilësinë e provës materiale, së bashku me 7 celularë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Fier, për veprime të mëtejshme.
Lajmi në përditësim...