"U trondita kur e pashë në atë gjendje, në atë sallë, si kapanon me dhjetë të sëmurë brenda, dhe pa përkujdesje të veçanta. Ai është një artist i madh, e shteti duhet të ndërhyjë për ta mjekuar jashtë". Enada ka treguar për Shqiptarja.com se baletmaestri Aliaj, po punonte intensivisht me prova nga mëngjesi në mbrëmje, për të ngjitur në skenë baletin "Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë". Ditët e tij ishin plot angazhim nga mëngjesi në mbrëmje. Edhe ditën e aksidentit, kishte punuar gjithë ditën. Në mbrëmje teksa kalonte trotuarin nga opera në anën tjetër një makinë e ka përplasur suke i shkaktuar dëmtime të rënda. Balerina thotë se frika më e madhe është paraliza dhe mosha e tij nuk mund ta përballojë, ndaj çdo vonesë e zvarritje është fatale për shëndetin e tij.
Enada profesori pësoi një aksident të mërkurën në mbrëmje. Ishit në prova atë ditë?
Po punonim me baletin "Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë". Ishim shumë të angazhuar thuajse gjithë ditën në prova. Kishim gati një maja që punonim dhe ishim në prag të premierës.
Të mërkurën ka mbaruar provat me ne paradite dhe ishte rikthyer përsëri sepse punonte me të rinjtë dhe në darkë, pasi ka dalë nga provat ka pësuar këtë aksident.
E keni takuar pasi morët këtë lajm?
Po, shkuam menjëherë. Unë e mora vesh dje nga mesdita në të vërtetë. Kjo ngjarje kishte ndodhur të mërkurën në mbrëmje. Kam shkuar në spital sapo e mora vesh. Jam tronditur. Gjendja ishte e mjerueshme. Nuk them e mjerueshme për gjendjen e tij fizike, pasi kjo dihet se ai kishte pësuar aksident. Megjithatë ishte me një optimizëm të jashtëzakonshëm. Flisnim me të dhe nuk arrinim të flisnim për aksidentin se ai pyeste për provat, çfarë duhet të bëjmë, si duhet të presim premierën, etj.
Kur them e gjetëm në një gjendje të mjerueshme e kam fjalën për kushtet ku e mbanin, në atë ambient që s'është i denjë për të. Është e vërtetë se të gjithë të sëmurët aty njerëz janë, por për disa figura, që i kanë dhënë gjithë jetën artit, duhet treguar një kujdes më i veçantë. E në këtë rast nuk mund të mbahej ai aty në një kapanon me 10 të sëmurë të tjerë dhe pa asnjë njeri mbi kokë. Kur kemi hyrë aty, Gerdi vajti të kontrollonte nëse ishte vërtet profesor Agroni apo ishte dikush tjetër. Se ne mendonim se të paktën do të kishte një dhomë të tijën dhe do të kishte një njeri të kujdesej për të aty.
Kjo na ka irrituar jashtë mbase mbrëmë. Madje u përpoqëm dhe kontaktuam edhe me njerëz që mund të bënin diçka, por shohim se s'ka ndodhur ende asgjë. Edhe sot ndodhet në të njëjtin vend.
Unë tani jam në prova. Pres të mbaroj provat e të shkoj ta takoj...
A jeni në dijeni të ndonjë lëvizje për ta dërguar për kurim jashtë Shqipërisë?
Zëra. Vetëm zëra janë. Dje në mëngjes ka qenë ministri i kulturës dhe duke qenë se ne u indinjuam kur e pamë aty dhe folëm me njerëz të instancave më të larta, na thanë se është lënë për sot që mund të lëvizë, sepse kjo ndërhyrje bëhet vetëm jashtë, pasi rrezikon të paralizohet, sot nuk është bërë ende asgjë. Duhej të ishte bërë një lëvizje. Të paktën të mos ishte në spital ushtarak, në atë kapanon por në një spital me kushte më të mira.
Po familja si e ka gjendjen financiare? A mund ta përballojnë ata vetë këtë ndërhyrje, apo janë të detyruar të presin nga shteti shqiptar?
Jam e bindur që jo. Ai vërtet ka dy fëmijë që jetojnë jashtë, por janë njerëz të thjeshtë, janë artistë. Dihet se profesioni i artistit është ndër më pak të paguarit. Profesori rron vetëm me pensionin e tij, pa asnjë të ardhur tjetër.
Sa urgjente mendoni se është ndërhyrja, që ai të mos mbetet i paralizuar?
Është shumë urgjente. Unë mendoj se duhej të lëvizte që dje në mëngjes. Sepse nuk bëhet fjalë për një të ri, 20-25 vjeç por për një burrë mbi të 80-tat dhe dihet sa vështirë është për tu rikuperuar çdo gjë, dhe sa e lehte është për tu dëmtuar. Dje lëvizte pak këmbët, dhe buzët sa mund të fliste, ndërsa bustin e duart i kishte thuajse të paralizuara fare...
Kërkonte ndihmë për ndonjë gjë?
Nuk e zuri në gojë. Dhe ne nuk donim t'i binim shumë në sy, për të mos ia rënduar gjendjen..
Po nga Teatri kanë bërë ndonjë ndërhyrje?
Dje gjatë vizitës së ministrit ka qenë edhe drejtori i TKOB Zhani Ciko. Ka qenë edhe sot në mëngjes. Nuk di për çfarë kanë folur. Por padashur të ul figurën e Zhanit nuk është fjala e tij vendimtare. Ai mund ta ketë thënë fjalën e tij, por s'dimë sa ndikim mund të ketë.
(sg/shqiptarja.com)