Enca Haxhia: Muzika është “droga” ime

Enca Haxhia: Muzika është “droga” ime
Muzika ka qenë pasioni i saj që kur ishte në moshë të vogël. Enca Haxhia, do të merrte pjesë në shumë talent show dhe i fundit do të ishte “The voice of Albania, ku nuk u përzgjodh nga juria. Por nuk do të dorëzohej këtu pasi ka nxjerr në treg një videoklip me titull “The Best of”. Në një intervistë për suplementin TH&TH, 17 vjeçarja flet për lidhjen e saj të ngushtë me muzikën dhe artin, por edhe për projektet e ardhshme në këtë fushë. Enca do të sjell së shpejti një klip të ri veror, si dhe po punon për albumin e saj të parë, të cilin ia ka besuar reperit të mirënjohur, Big Basta.

Jeni një këngëtare e re në tregun muzikor, si lindi ideja për tu marr me muzikë?

Pasioni im ka lindur që kur isha 5 vjeç, ndërsa në moshën e 9 vjeçare mora pjesë në Festivalin “Zërat e rinj”. Aty provova për herë të parë emocionet e skenës dhe pastaj mu bë si drogë (qesh).

Kënga juaj e parë ishte “The Best of”, kishit kohë që punonit me të?

Pas pjesëmarrjes në festivale dhe pas shumë coverave të mia në You Tube, mendova që ishte momenti i duhur për këngën time të parë, të cilën e shoqërova edhe me një klip. Muzika dhe teksti janë realizuar nga Big Basta, ndërsa video është realizuar nga produksioni kosovar “Kulla”.

Pse ia besuat Big Bastës, këngën tuaj të parë?
Sepse Big Basta është një nga kompozitorët e mi të preferuar. Është një kantautor shumë i talentuar dhe modern, që në të njëjtën kohë i përshtatet stilit tim. Me të po punojmë gjithashtu edhe për albumin tim të parë.

Si do të jetë albumi juaj, sa këngë do të përmbajë?
Ky album do të jetë 1 eksperiment i rrymave dhe stileve të ndryshme, kështu që të gjithë të rinjtë mund t’a gjejnë veten tek këngët e mia. Do të ketë Hip hop, RnB, ku i dihet mbase edhe Jazz (qesh). Do të përmbajë rreth 15 këngë.

Nuk mendoni që nxjerra e një albumi është një sipërmarrje e guximshme, për një artiste te re?

Albumi do të lançohet pas një viti, kur unë të kem nxjerr edhe disa singëlla të tjerë.

Në cilën rrymë ndiheni më komode?

Unë e gjej veten mirë tek të gjitha rrymat, por të preferuat e mia janë Hip hop dhe RnB.

Do donit të ishit një nga femrat repere, pasi janë të pakta këngëtaret e tilla?

Pse jo (qesh). Por unë nuk do të ngelem vetëm tek hip hopi, do të sjell gjëra të reja dhe mjaft origjinale.

Jeni një artiste e re në tregun muzikor, ju duket e vështira hyrja në industrinë e muzikës?

Për një artist të ri besoj se fillimi është shumë i vështirë, pasi duhet ti tregosh të tjerëve sesa vlen dhe sepse duhet ta dëgjojnë muzikën time, pra në një farë mënyre duhet të dish të ndjekësh rrugën e duhur. Deri tani klima qoftë nga artistët, qoftë nga publiku ka qenë e mirë. Por gjithashtu jam duke punuar shumë për të sjellë krijime të mira.

Sa kohë i kushtoni muzikës në ditë dhe a keni një këngëtar të preferuar?

Mund të them që muzikë dëgjoj gjatë gjithë kohës, idhulli im mund të them që është Lady Gaga. Gaga është një vërtet një artiste dhe sjell risi dhe mesazhe në muzikë, që për mua janë të vlefshme. Megjithatë me pëlqen shumë Jessie. J, Katy Perry, Maroon 5, Valeria është një këngëtare ruse, etj.

Keni një hobi tjetër veç muzikës?

Pasionet e mia mbeten në kuadrin e artit. Më pëlqen shumë fotografia, televizioni, aktrimi, prezantimi, etj. Pse jo në një të ardhme mund ta gjej veten tek këto.

Pra, studimet e larta do ti vazhdoni për aktrim?

Jo kam qejf të studioj për shkenca sociale. Po investoj për artin duke marr edhe leksione kantoje dhe piano, kështu që kohën tjetër preferoj t’ia kushtoj diçkaje që nuk ka lidhje me të. Por sigurisht që do të jenë paralelisht të dyja gjërat.

Çfarë kuptimi ka emri juaj Enca?

Enca është shkurtimi i emrit tim Rubensa, që në fakt është bashkim emrash. Meqë të gjithë më thërrasin Enca mendova që ta përdorja edhe në art (qesh).

Sa ju mbështet familja në këtë zgjedhje tuajën?

Familja më ka mbështetur shumë deri tani dhe mbështetja ime kryesore ka qenë mami im, e cila më shoqëron kudo.

Keni marr pjesë në koncerte këtë vit?

Sapo jam kthyer nga një koncert dhe pikërisht nga “Summer Fest”, ishte eksperienca ime e parë në skenë, por besoj që këtë verë do të marr pjesë edhe në koncerte të tjera.

Do të kemi një klip të ri nga ju?

Klipin e radhës presim ta realizojmë këto ditë. Është një këngë shumë verore, shumë e freskët ndryshe nga e para.

Keni menduar që në të ardhmen mund ti realizoni vet tekstet e këngëve tuaja?

E kam menduar (qesh) por nëse dal në të ardhmen me një tekst timin, duhet që ai të jetë shumë i mirë pasi kërkoj shumë nga vetja. Në të ardhmen mund të realizoj pse jo një krijim muzikor.

Ju ka penguar muzika në studimet tuaja?

Jam përpjekur ta menaxhoj mirë kohën , pasi edhe studimeve i kam kushtuar vëmendjen maksimale. Ndaj mund të them që kam dal me rezultate shumë të mira, por është pak e vështirë ti bësh mirë të dyja.

Keni menduar për pushimet verore?

Kam qenë disa ditë në Itali dhe kam bërë disa pushime të vogla, nëpër disa qytete bregdetare. Por nga vera në verë kam shumë pak kohë për pushime sepse merrem me muzikë dhe kjo gjë më pëlqen.

Po për lukun sa kujdeseni?

Për një artist luku dhe imazhi janë shumë të rëndësishëm, ndaj dhe unë i kushtoj një vëmendje të veçantë. Përpiqem të vij sa më thjesht duke iu përshtatur moshës sime. Më pëlqen të merrem vet me lukun tim, por është mami ajo që më jep këshilla të vlefshme.

Mendoni që do të jetë e vështirë rruga juaj në muzikë?

Jam e sigurt që do të jetë e vështirë, por do të punoj shumë për të arritur më të mirën.

Me cilin nga këngëtarët shqiptar do të dëshironit një duet?
Unë kam disa këngëtar shqiptar të preferuar, si Dafina Zeqirin, Jonida Maliqin, Vesa Lumën etj. Deri tani kam bërë disa bashkëpunime, dhe mendoj që ato do të jenë të suksesshme dhe të pëlqyera.

Do të merrni pjesë nëpër festival?

Besoj se po. Do të marr pjesë ose në Këngën Magjike, ose në Top Fest. Është diçka që mezi e pres dhe uroj të përfaqësohem denjësisht aty.

Ëndrra juaj më e madhe?
Ëndrra ime më e madhe është të kem një jetë sa më të bukur familjare dhe personale dhe në të njëjtën kohë të realizojë të gjitha pikësynimet e mia në muzikë.

Su/ Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Intervista Trump-Musk, 5 mesazhet më të forta të ish-presidentit

Intervista Trump-Musk, 5 mesazhet më të forta të ish-presidentit