TIRANË, 8 Prill/ATSH/- Kryeministri Edi Rama e quajti sot "kapërcim historik" rritjen e arkëtimeve nga pagesa e faturave të energjisë dhe borxheve të prapambetura nga konsumatorët gjatë prezantimit të rezultateve të skemës lehtësuese të pagesës së borxheve të energjisë.
OSHEE (Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike) prezantoi sot në një takim të gjerë, rezultatet e skemës lehtësuese të pagesës së borxheve të energjisë, në prani të kryeministrit Edi Rama, ministrit të Energjisë Damian Gjiknuri, ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, etj.
Rama e konsideroi "një histori suksesi që sot, komentohet në BB, në FMN dhe tregohet si një histori për t'u marrë shembull edhe nga vendet e tjera që vuajnë nga e njëjta problematikë, kuptohet jo në Evropë apo në BE".
"Të gjithëve na kujtohet kur nisën këto masa dhe skepticizmi që ishte. Por falë punës, tashmë ky sektor nga kolapsi ku po shkonte ka kapërcyer hendekun e madh që na ndan nga e ardhmja", tha sot Rama, duke shtuar se "nëse deri dje vjedhja e energjisë justifikohej me gjithfarë argumentash absurdë, sot këto justifikime nuk ekzistojnë më. Të gjithë e kanë të qartë se energjia është një mall dhe si çdo mall paguhet, dhe si për çdo mall që vidhet, ndëshkohet pa asnjë kompromis".
Kryeministri iu referua masave që ka nisur qeveria në këtë sektor, ku për pasojë, sot është siguruar qëndrueshmëri financiare duke çelur një perspektivë të re. "Të dhënat tregojnë se jo vetëm kemi përmirësim të ndjeshëm, por sektori ka nisur të marrë frymë, dhe rritja e likuiditetit ka bërë që të ulen borxhet që kompanitë i kanë njëra-tjetrës dhe të tretëve.
"Nga ana tjetër, aplikimi i shlyerjes së borxheve ka kthyer ligjshmërinë e konsumit të energjisë. Dhe faktikisht kemi pasur një numër përtej çdo rekordi të imagjinueshëm për akt-marrëveshje, afro 300 mijë nga dhjetori në mars", tha Kryeministri Rama. Sipas tij, përfitues janë 61% konsumatorë familjarë që kanë përfituar nga ulja e kamatë-vonesës. "Vlera totale financiare e aktmarrëveshjeve është 50.5 miliardë lekë, shifër premtuese pikërisht për objektivin tonë strategjik që brenda 3 viteve të ardhshme ky sektor të mos jetë më një gropë që thith para që mund të shkojnë gjetkë, por të jetë një sektor që ecën me këmbët e veta dhe prodhon fitime", tha Rama.
Kryeministri vlerësoi rolin e pazëvendësueshëm të Policisë së Shtetit. "Policia ka bërë atë që deri pak muaj më parë ishte e paimagjinueshme, të sigurojë zbatimin e ligjit në vend. Kjo ka sjellë që të jemi në një fazë tjetër, të investimeve më të mëdha se në të gjitha vitet e shkuara", tha Rama, duke garantuar se "kjo histori nuk ka përfunduar por vazhdon" dhe se "nuk është një aksion as 3 apo 30 ditë, por një mënyrë e re sjellje e qeverisë, e OSHEE-së në raport me këtë pasuri kombëtare", që synon të imponojë një sjellje simetrike të konsumatorëve.
"Kush e konsumon duhet të paguajë, dhe kush e paguan, meriton një shërbim më të mirë. Kush nuk e paguan do të ndeshet me Kodin Penal. Sot ne jemi në kushtet ku mund të punojmë, mund të modernizojmë dhe të realizojmë në kohën më të arsyeshme rritjen e cilësisë së shërbimit. Sepse të kesh një shërbim cilësor duhet ta paguash. Kjo kompani nuk është më shkopi i partisë së radhës, por po shndërrohet me një vizion dhe funksion, njësoj me çdo korporatë tjetër", u shpreh Kryeministri Rama.
Sipas tij, ky vit do të jetë viti i intensifikimit të reformës në sektorin energjetik. "Për këtë arsye edhe puna e përbashkët, mes kompanisë dhe policisë nuk do të reshtë, dhe për këtë arsye askush nuk duhet të mendojë se mund të shpëtojë duke iu shmangur ligjit", tha Rama.
Ndërsa e quajti "lajm tjetër të mirë që KESH ka shlyer rreth 70% të borxheve të prapambetura nga investimet private, dhe që do të shlyhen plotësisht brenda këtij viti duke u hequr shqiptarëve një lak që po mbyste shqiptarët dhe sektorin", kryeministri Edi Rama tha se, "brenda vitit 2018, plani është të liberalizojmë 40% të tregut dhe të nxisim investime dhe bashkëpunime rajonale".
Kryeministri tha se "kemi siguruar një bazë, për t'u kthyer nga një dele e zezë në mes të Evropës, në një lojtar rajonal me një rëndësi të madhe për vetë faktin se, Shqipëria disponon burime dhe potenciale të jashtëzakonshme për të qenë një lojtar i tillë. Kjo reformë dhe kjo vendosmëri, si dhe kjo përgjigje e qytetarëve për të mbyllur kapitullin e rrumpallës, bën që ne të jemi me plot kuptimin e fjalës, të gatshëm për të hyrë në një fazë të re me një dinjitet dhe respekt të të tjerëve ndaj nesh".
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri deklaroi vijimin e bashkëpunimit me OSHEE-në me devizën, askush mbi ligjin, vendosmëri në prerjen e çdo sipërmarrje të vjedhjes së energjisë elektrike, duke vënë theksin tek plani edukativ. "Për ne është e papranueshme që pjesa më e madhe e qytetarëve të rregullt të paguajnë, ndërsa të tjerë të jenë të pabarabartë përpara ligjit. Kjo është e papranueshme për ne, sepse jemi angazhuar për të rikthyer ligjshmërinë", tha Tahiri.
Në bashkëpunim me OSHEE-në, Policia ka qenë pjesë integrale për të çuar para standardin kundër paligjshmërisë dhe kriminalitetit, tha Tahiri. Sipas tij, nga muaji tetor, deri në mars, janë prerë 105.716 lidhje të abonentëve debitorë dhe 919 lidhje të paligjshme, mbi 1000 janë arrestuar dhe janë proceduar penalisht 770 biznese, mbi 52 punonjës të OSHEE dhe po kaq të policisë dhe pak më shumë të administratës publike që vidhnin energji.
Ministri Tahiri u shpreh i vendosur se "nuk ka gjë më të rëndësishme në vend se sa policia të punojë për të vendosur barazinë përpara ligjit për një produkt që është pasuri e qytetarëve. E para garantojmë pasuritë e shqiptarëve. Dhe e dyta sanksionojmë një standard që nuk mund të kthehet mbrapsht". Për këtë arsye, tha Tahiri, Policia e Shtetit edhe për ato që ndodhën në Patos Marinzë nisën procedimin penal. "Ne jemi shumë të vendosur për të vazhduar bashkëpunimin me OSHEE. Sepse për ne kjo është e papranueshme që dikush të mendojë se mund të shkelë ligjin", tha ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.
Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri u shpreh i kënaqur për realizimet që ka arritur OSHEE dhe kompanitë e tjera publike në sektorin e energjisë. "Shembulli i këtyre muajve është se kur ka vullnet qeveritar, edhe fenomeni i vjedhjes së energjisë elektrike që ishte kthyer në një simptomë, po shmanget pak e nga pak", tha Gjiknuri. Ai bëri të ditur se "në vitin 2018 do ta bëjmë këtë sektor të ecë me këmbët e veta dhe kjo po bëhet realitet".
Reforma e energjisë që ka nisur nga qerveria, po jep rezultatet e pritshme edhe tek OST dhe KESH. Sipas Gjiknurit, janë shlyer 70% e detyrimeve ndaj HEC-eve private, që do mbyllen brenda vitit, ndërsa OST po punon vit pas viti për të krijuar interkonjeksionin e Shqipërisë me vendet e rajonit, KESH-i po mirëmenaxhon investimet për forcimin e digave, etj. "Qeveria është përballë aksionit të madh në sektorin e energjisë. Në qendër të vëmendjes së reformës është dispilina financiare, që të kemi treg të zhvilluar të energjisë, furnizim me dispilinë financiare", tha Gjiknuri.
"Ne po pasurojmë ligjet për energjitë e rinovueshme të eficencës së energjisë, pasi Qeveria po mendon reformën afatgjatë në sektorin energjetik", tha Gjiknuri. Duke ju referuar ngjarjes së fundit në Marinëz, ministri i MEI-it deklaroi se "fajtorët do të dalin" dhe se "dëmshpërblimet për dëmet do t'i kryejë operatori". "Fokusi kryesor është rimëkëmbja dhe zhvillimi afatgjatë në sektorët e energjisë", tha ministri Gjiknuri.

Drejtori i përgjithshëm i OSHEE-së, Adrian Çela u shpreh, se treguesit financiarë për tremujorin e parë 2015 janë më pozitivë ndaj dy viteve të fundit, ndërsa janë realizuar edhe targetet e vendosura nga kompania si dhe Banka Botërore. "Vendosja e skemës lehtësuese për të gjithë debitorët e energjisë, biznese dhe familjarë, që patën mundësinë të lidhin kontrata për të shlyer njëherësh borxhet duke përfituar 80 % falje të kamatëvonesës, ndërsa në pamundësi të kësaj u ofrua mundësia e pagesës me këste mujore deri në shlyerjen totale të pagesave të prapambetura. Nga muaji janar deri sot, si tremujor të ardhurat janë rritur me 27 miliardë lekë. Janë mbledhur mbi 90 miliardë lekë, ose 50% e arkëtimeve që u arritën në vitin 2013?, tha Çela.
Sipas tij, "OSHEE do të tejkalojë shifrën e 53,4 miliardë lekë të planifikuar për vitin 2015?.
Ndërsa, 83% e abonentëve familjarë dhe 86% e atyre të biznesit kanë arkëtuar faturat e energjisë së konsumuar. Nga muaji dhjetor deri në fund të muajit mars, kur nisi të aplikohet skema e re lehtësuese, janë 177.692 abonentë që paguan direkt detyrimet, janë lidhur 297 mijë akt-marrëveshje për pagesat me këste, ku 115 mijë janë familjarë.
Çela vlerësoi efektet që po jep liberalizimi i shërbimeve ndaj klientit me të tjera kompani. "Nga mesi i shkurtit deri sot, shërbimet on-line ofrohen në 665 pika dhe pagesa bëhet deri në qëndrat tregtare, celularët, etj. Deri sot, janë bërë 64 mijë pagesa të tilla", tha ai.
Reduktimi i nivelit të humbjeve ka ecuri të mirë. Nga muaji shkurt kur ishin 33,8%, në muajin mars arritën në 32,89%. "OSHEE ka kursyer rreth 30 milionë usd nga mirëmenaxhimi për blerjen e energjisë sepse janë ulur humbjet si dhe është ulur çmimi i blerjes së energjisë", tha Çela.
Sipas tij, duke 4-fishuar numrin e kompanive që shesin energji, është bërë e mundur që sot OSHEE ta blejë me 10-15% më lirë për megavat energjinë elektrike. Nga procedurat mbi baza 10-ditore për blerjen e energjisë, OSHEE ka mundur që ta blejë energjinë nga KESH me çmimin e bursës. "Në 10 ditë në muajin mars ne kemi kursyer 2,3 milion euro", tha Çela.
Ai prezantoi planin e ri të investimeve për 2015-tën, ku 5,8 miliardë lekë do të jenë financim i OSHEE-së. "Gjithashtu në maj do të nisin investimet prej 90 milionë usd nga Banka Botërore", tha Çela.
Investimet do të përqëndrohen në zonat kryesore ku ka konsum më të madh të energjisë, si në Tiranë, Durrës, Vlorë, Shkodër, si dhe në zonat turistike, kryesisht në Sarandë, Orikum, Himarë, Lezhë, Velipojë, etj. Edhe zonat që dallojnë për pagesat më korrekte si Gjirokastra dhe Korça do të kenë investime të reja, tha mes të tjerave, Çela, duke shtuar se "synojmë që impakti nga investimet sivjet të ulë humbjet në nivelin 4%".
OSHEE ka forcuar shërbimin ndaj klientit dhe në tremujorin e parë janë zgjidhur 4500 ankesa në favor të qytetarit. "Do të evitojmë në maksimum prurjen e anksave nga baza në qendër dhe nëse sot një ankesë trajtohet në 30 ditë, do të reduktojmë në 15 ditë brenda qershor-korrik, ku çdo konsumator do të ndjekë on line çdo ankimim dhe verifikim dhe të mund të bëjë denoncim", tha Çela./n.m//m.m/