Energjia elektrike, KESH ka
siguruar vetëm shkurtin

Energjia elektrike, KESH ka<br />siguruar vetëm shkurtin
TIRANE- Ndonëse mbeten vetëm dy javë nga fundi i këtij muaji, KESH ka të siguruar furnizimin nga importi vetëm për shkurtin. Këtë deklaratë e ka bërë dje kreu i Korporatës, Engjëll Zeqo, duke shtuar se për marsin ende nuk ka asnjë kontratë, pasi çmimi është rritur shumë.
IMPORTI
Energjia për muajin shkurt është e siguruar, ndërkohë që për marsin ende nuk ka asnjë kontratë përfundimtare. Në intervistën e dhënë për median, kreu i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare deklaroi se moti i keq ka ulur prodhimin jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e rajonit nga ku importohet energji. Sipas tij, KESH është duke punuar që të sigurojë energjinë në vijim, por nga ana tjetër, edhe çmimi i saj është i lartë. Për momentin Shqipëria është duke blerë energji me çmimin 70-75 euro për megavatorë. Disa muaj më parë, ky çmim ishte dy herë më i lirë.
Aktualisht, sipas shifrave të Energy Financing Team Ltd, shoqëri e njohur për tregtimin e energjisë elektrike me bazë në Londër, çmimet janë në nivele rekord. Ato ishin 109 euro për megavatorë në fund të nëntorit, por ranë në 70 euro si pasojë e rritjes së prodhimit nga shirat. Ballkani në tërësi varet në afro 40 për qind nga energjia hidrike. Por kjo shifër ka tendencë të rritet sërish drejt niveleve 90 apo 100 euro. Mali i Zi po prodhion energji me 5% të kapacitetit të vet të zakonshëm, Rumania, Bullgaria dhe Maqedonia kanë bllokuar me vendim qeverie eksportin e tyre, Bosnja po punon me 35% të kapacitetit dhe Serbia me 50%.
FINANCIMI
Nga ana tjetër, Engjëll Zeqo shpjegon se problemi financiar mund të konsiderohet i zgjidhur, përderisa qeveria është e gatshme të rishikojë buxhetin për te siguruar energjinë. Sipas tij, nga ana tjetër, edhe kompania e shpërndarjes CEZ duhet të shlyejë rreth 19 miliardë lekë të borxhit që i ka KESH-it, pra duke disbursuar një shifër prej afro 140 milionë eurosh.
Nga bankat nuk mund të pritet më që të japin kredi për KESH-in, pasi është tejkaluar çdo limit. Korporata rezulton të ketë marrë rreth 155 milionë euro kredi në formë overdraftesh dhe ka ende për të shlyer garanci qeveritare e kredi bankare. 50 milionë kërkohen për mbyllur faturat e deritanishme.
MOTI
Pritet që situata hidrike të përmirësohet në muajin mars pas shkrirjes së borës, pasi tani prurjet në hidrocentrale janë shumë të ulëta, tha ai. Sipas drejtorit të KESH-it, sidoqoftë, kjo ka edhe një anë të mirë: këtë vit nuk do të ketë rrezik për përmbytjet, pasi niveli në liqenin e Fierzës është shumë më i ulët nga ai në vitet e kaluara.

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Media spanjolle ‘El Cronista’: Shqipëria, vizitoni plazhet parajsore të destinacionit mesdhetar me kosto të ulët

Media spanjolle ‘El Cronista’: Shqipëria, vizitoni plazhet parajsore të destinacionit mesdhetar me kosto të ulët