Enver Hoxha në ‘62: Mos e
nxisni ardhjen e Nolit në Shqipëri

Enver Hoxha në ‘62: Mos e<br />nxisni ardhjen e Nolit në Shqipëri
Mes Nolit dhe Enver Hoxhës ka patur komunikim të vazhueshëm, letra e të fala dërguar nga të të tretë. Një pjesë e mirë e tyre janë zbardhur këto vite. Por në vitin 1962, ndërsa Fan Noli përsëriste pareshtur vit pas viti dëshirën për të ardhur në Shqipëri, Enver Hoxha bëhet hapur pengesë për kthimin e tij në atdhe. Në kujtimet e tij, Behar Shtylla, teksa analizon arsyet pse Noli nuk arriti të vinte asnjëherë në Shqipërinë e pas luftës,  ndalet gjatë në këtë rast, duke ngritur pikpyetje mbi ftohjen e marrëdhënieve mes Nolit e Hoxhës dhe arsyet e vërteta të qëndrimit të Hoxhës për moskthimin në Shqipëri të Nolit. Gazeta sjell sot pikërisht këtë pjesë të analizës së Behar Shtylles dhe një pjesë nga ditari i tij që zbardh një prej takimeve në Nju Jork mes Shtyllës e Nolit, ku ky i fundit i tregon për veprat që kishte në proces, mes tyre një libër për Pirron e Epirit dhe nji për Ali Pashë Tepelenën.
 
Ylli Zajmi në librin e tij parashtron hipotezat për shkaqet pse Noli nuk u kthye në atdhe pas çlirimit.
Duke iu referuar përgjigjes së Nolit ndaj thirrjes së Qeverisë Demokratike për t’u kthyer në Shqipëri që e kam përmendur më lart, se kishte dëshirë të madhe të ishte në atdhe, “por sot për sot nuk munt pse udhëtimet janë të kufizuara, përveç që ka edhe pengesa të tjera”, Y. Zajmi mendon se Noli do të ketë pasur parasysh kryesisht këtë: e para, mosha e kaluar – Noli kishte kaluar të gjashtëdhjetat; e dyta, “Noli e dinte se tani nuk ishte fjala për një revolucion borgjez, si ai i qershorit, por një revolucion socialist si ai i Tetorit... dhe se tash e tutje në shoqërinë shqiptare do të bëheshin ndërrime radikale, nga të cilat Noli gjithmonë ishte ndrojtur”; e treta, “mosangazhimi i tij kundër A. Zogut, të cilin pushteti i ri e akuzonte për tradhti”; e katërta, “Në Boston kishte kaluar një kohë e gjatë, e njihnin dhe e çmonin jo vetëm bashkatdhetarët e tij, por edhe të tjerët që kishin pasur të bënin me të”. Dhe Zajmi konkludon: “Duke i marrë të gjitha këto parasysh, duket se pasi e mati dhe e çmati situatën e vet, Noli vendosi të mos luajë nga vendi” .

Këto hipoteza nuk dokumentohen. Mendimin tim për pengesat që shikonte Noli më 1945 për të ardhur në Shqipëri në ato rrethana, e kam shprehur më lart mbështetur edhe në sa më pat thënë Noli vetë.
Nuk mund të pretendohet se Fan Noli, më 1945, e kishte ndarë përfundimisht që nuk do të kthehej më kurrë në Shqipëri. Ekzistojnë dëshmi për të kundërtën. Kështu në një letër dërguar Aleksandër Xhuvanit më 23 mars 1948, Noli shkruan:
“Ju faleminderit për letrën, ku më përshkruani përparimet e bukura që ka bërë Shqipëria nën guvernën domokratike. Natyrisht m’u shtua dëshira që ta shikoj atdheun e rilindur dhe  gjithnjë ëndërroj për këtë vizitë”.

Unë vetë, padyshim, kisha shumë dëshirë që të vinte Noli në Shqipëri, por edhe kisha frikë për të. Njerëzve të brezit tim u kujtohet se si në atë kohë, Koçi Xoxja, me nxitjen dhe në shërbim të jugosllavëve, sa vinte po forconte pozitat komanduese në parti e në shtet. Ai kishte krijuar një atmosferë persekutimi në rritje kundër njerëzve demokratë dhe intelektualëve me kulturë perëndimore. Në këtë situatë nuk doja që Noli të ishte në shqipëri, prandaj me sa më kujtohet, në raportin e parë që kam bërë për vizitën në Amerikë, jo pa qëllim, por domosdo me tjetër arsyetim, kam shkruar se në atë kohë  do të ishte më mirë që Noli të mos vinte për vizitë në Shqipëri.
Dua të përmend se pas vitit 1948, kur Noli i shpreh Xhuvanit dëshirën për të vizituar Shqipërinë, dhe për disa vjet të tjera me radhë, në Amerikë sundonte vala reaksionare ekstremiste e  makartizmit. Pra, kur edhe kundër Nolit vetë bëhej një luftë e ashpër nga reaksioni dhe Patriarkana greke e Stambollit, as që mund të mendohej se administrata amerikane do t’i jepte vizë atij për në Shqipëri.

Kështu, në ato vite, për të nuk mund të shtrohej çështja e një vizite në atdhe, jo se ai trembej, përkundrazi, është pikërisht në këtë periudhë, 1949-1951, që ai rithekson kundërshtimin ndaj ballistëve e kolaboracionistëve të fashizmit, kërkon lidhjen e Kishës Ortodokse Shqiptare të Amerikës me Kishën Autoqefale të Shqipërisë dhe përpiqet, ndonëse pa sukses, të organizojë fushata për huan shtetërore në Shqipëri dhe për ndërtimin e një spitali në Tiranë me ndihmat e shqiptarëve të Amerikës.
 E kam shkruar edhe më lart: sa herë që shkoja në Nju Jork për mbledhjet vjetore të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në vitet 1956-1965. Enver Hoxha më ngarkonte t’i bëja të fala Nolit. Me këto traste shkëmbeja edhe ndonjë mendim përse ai nuk po vinte një herë në Shqipëri. Unë vetë e kisha merak këtë, prandaj merrja miratimin e tij dhe nuk mungoja të ftoja Nolin të vinte në atdhe.

Vetëm një herë ndodhi një rast i papëlqyer dhe që më mbeti i errët: në korrik 1962, Halim Budoja përfaqësues i përhershëm i Shqipërisë në OKB, njoftoi se një nga udhëheqësit e Vatrës i kishte thënë që Fan Noli kishte dëshirë të vinte në Shqipëri. Arsyeja ishte që të siguronte një peshkop nga Shqipëria, i cili do të mund të drejtonte Kishën Shqiptare në Amerikë pas vdekjes së Nolit. Ai kishte shtuar se qeveria amerikane i jepte leje Nolit për këtë udhëtim dhe, sipas tij, nuk përjashtohej që Noli të vinte e të qëndronte përgjithmonë në atdhe.

U gëzova kur mora këtë lajm, por nuk e di për ç’arsye nuk u prit mirë. Enver Hoxha më porositi të njoftoja Halim Budon të mos tregonte ndonjë interes dhe të mos e nxiste ardhjen e Nolit në Shqipëri. Porosia dhe teksti ishin të prera dhe unë duhej t’i zbatoja. Nuk e mësova dot kurrë shkakun për këtë ashpërsim qëndrimi të Enver Hoxhës ndaj Nolit në këtë rast. Vërtet unë isha ministër i Punëve të Jashtme por, siç dihet, si unë ashtu edhe anëtarë të tjerë të qeverisë, ishim vetëm zbatues të vendimeve dhe porosive të Byrosë Politike ku unë nuk bëja pjesë, dhe kryesisht të Enver Hoxhës i cili, si Sekretar i Parë i Partisë, politikën e jashtme të vendit kurdoherë e drejtoi vetë efektivisht. Unë mund të shprehja mendimin tim, por fjalën e fundit e kishin ai dhe Byroja Politike.

Pse ky ashpërsim qëndrimi kur vetë Enver Hoxha atëherë, por edhe më pas, kishte treguar simpati e respekt për Nolin, siç do të shkruante edhe në Ditarin e tij kur vdiq Noli më 1965? Mos vallë ai kishte të dhëna që kjo vizitë e Nolit lidhej me ndonjë përçapje politike të qeverisë amerikane, që ai nuk e mirëpriste dhe unë nuk e dija? Apo Noli nuk kishte shprehur fare një dëshirë të tillë dhe kërkesa e Vatrës ishte një sondazh i bërë me porosi të tjetërkujt, për të mësuar qëndrimin e qeverisë shqiptare ndaj Nolit dhe për ta përdorur, pastaj, refuzimin e qeverisë shqiptare si mjet për të shtyrë Nolin që të dilte kundër regjimit në Shqipëri? (Është fakt, që Noli vetë nuk ma përmendi asnjëherë këtë çështje në takimet e mia të mëpasme. Mos vallë në këtë ashpërsim qëndrimi që u mbajt ndaj kësaj kërkese në korrik 1962, duhet kërkuar edhe shkaku në festimet e 50-Vjetorit të Pavarësisë, më 28 nëntor 1962 në Vlorë, Noli nuk u ftua? Përgjigja mbase do të dalë një ditë nga studimi i dokumenteve arkivore ende të panjohura).

Noli nuk kishte hequr dorë nga dëshira e tij për t’u kthyer në atdhe, këtë ma dëshmoi edhe biseda e fundit që pata me të më 20 dhjetor 1964, kur më njoftoi vendimin e tij të prerë për të ardhur në Shqipëri më 1965 dhe për të qëndruar së paku gjashtë muaj. Mendoj se, me këtë vendim të prerë, Noli mbase donte jo vetëm të përmbushte ëndrrën e jetës së tij për të ardhur në atdhe, por, duke ditur gjendjen e tij të rëndë shëndetësore pas operacionit që sapo kishte bërë, si dhe në moshën e tij të kaluar, donte të vinte e të mbyllte sytë në mëmëdhe, të prehej përfundimisht në tokën e ëmbël të Shqipërisë, për të cilën kishte punuar e luftuar gjithë jetën.

Nuk kam dyshim se, në të ardhmen do të dalin dokumente të reja, që mund të ndihmojnë për të arritur në përfundime të sakta. Studiuesit që do të kenë fatin të shqyrtojnë nga afër dorëshkrimet, autobiografinë politike, ditarët dhe dokumente të tjera të panjohura të Nolit, si dhe arkivat ende të pahapura te ne, do të mundin të hedhin dritë të re edhe për këtë çështje.

Një fletë nga ditari….
Noli në 1949: Po shkruaj kujtimet, kam nostalgji për fmëijërinë

Nju Jork, 6 maj 1949, e premte
Mbrëmë më mori në telefon Fan Noli. Më pyeti nëse sot pasdite do të isha i lirë, se kishte dëshirë të vinte e të takoheshim, meqenëse unë nuk vija dot në Boston. I thashë se e prisja me gëzim në çdo orë.

Erdhi sot në orën katër. U përqafuam me mall. Kanë kaluar tre vjet që nuk jemi parë. U gëzova kur e pashë; edhe atij i qeshte gjithë fytyra nga gëzimi. Dukej i lodhur ca nga udha, ca nga vitet. Është plakur e më erdhi keq kur e pashë se krahun e djathtë mezi e lëviz.
- Gëzohem shumë që erdhët e bëtë këtë mundim. Kisha dëshirë të vija vetë në Boston e t’ju takoja atje, - i thashë. - Për fat të keq, nuk mora dot lejen e nevojshme nga autoritetet e vendit. Më vjen keq që u lodhët me këtë udhë.
- Vërtet, edhe unë kisha dëshirë të vinit në Boston, se ashtu do të kishim kohë më shumë e do të ishim më të ngeshëm për të fjalosur, se këtu te ju, më kujtohet herët e tjera, shqiptarët s’ju lenë kurrë vetëm dhe vijnë pa orar, kur t’u bëhet mirë atyre, pa menduar nëse ju keni punë ose detyrime të tjera. Po sot mbase do të kemi fat e do të rrimë të çmallemi e të bisedojmë.

- Ashtu është, - i thashë, - por edhe ata për mirë dhe nga dashuria për Shqipërinë vijnë. Dhe ne mundohemi të plotësojmë dëshirën e tyre e të mos ua prishim qejfin, se janë vëllezërit tanë të përmalluar. Po edhe unë kam shpresë që sot të mos kemi vizitorë, së paku gjer në mbrëmje, se e dinë që jam i zënë në OKB.
Noli erdhi bashkë me priftin e kishës së Shën Kollit të Nju Jorkut, at Kostë Belba, burrë babaxhan, besnik i peshkopit, patriot i mirë nga Korça dhe hokatar.
- E di që je në Paris me punë, - më tha Noli, - po je edhe në lidhje përherë me Tiranën, dhe je në Evropë, pra, më pranë Shqipërisë se je përkëtej Oqeanit. Ç’të reja kemi nga Shqipëria?

I fola për ngjarjet më të fundit në Shqipëri, për punët që bëheshin, por edhe për vështirësitë e mëdha që na ishin krijuar pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë.
- Tani, - i thashë, - bllokada rreth vendit tonë nga ana e tokës është shtrënguar mjaft: me Greqinë s’kemi asnjë lidhje, Jugosllavia pengon edhe lidhjet ajrore të Shqipërisë me vendet e tjera. Na ka mbetur vetëm udha detare, gjë që krijon vështirësi të mëdha si për lëvizjen e njerëzve, ashtu dhe sidomos për shkëmbimet tregtare me vendet e tjera.
Zhurmë bëhet shumë kundër Shqipërisë edhe në shtypin e huaj me burim nga Athina e Beogradi. Ne s’duam sherr me njeri. Kemi shumë plagë për të shëruar. Duam paqe e miqësi me fqinjët dhe me të tjerët, po mbi të gjitha duam Shqipërinë të lirë e të pavarur, dhe në këtë pikë nuk do të bëjmë kurrë lëshim.

Më pas e informova për ecurinë e bisedimeve rreth krijimit të Komitetit për Mirëkuptim Ballkanik, që e kam trajtuar më sipër. Noli dëgjonte shumë i përqendruar:
- Po kaloni ca kohë të rënda, - më tha, - po kam besim se do t’u bëni ballë. Shqipëria nuk shkelet dot më. Do të vijë dita që edhe fqinjët tanë ta kuptojnë se ëndrrat e çmendura të Elefter Venizellosit dhe Nikolla Pashiçit për të copëtuar Shqipërinë kanë perënduar dhe do të mirëpresin dorën e miqësisë që u shtrin Shqipëria. Kjo do të jetë e mirë për të gjitha palët edhe për Ballkanin në tërësi. Megjithëse ka pasur shumë deziluzione në jetën time politike, nuk kam hequr dorë nga shpresa ime e vjetër se do të vijë një ditë që popujt e Ballkanit do të sheshojnë miqësisht grindjet që i ndajnë dhe do të krijojnë një federatë ballkanike. Bota shkon drejt afrimit. Ballkani nuk mund dhe nuk duhet të bëjë përjashtim. Këtë udhë këtë perspektivë e hapi fitorja e popujve mbi fashizmin. Lufta e Ftohtë sikur e largon ca këtë perspektivë, por edhe ajo një ditë do të marrë fund. Popujt kanë nevojë për paqe, marrëveshje e bashkëpunim, jo për luftëra e grindje.

Në sytë e tij të thellë ndriste një vështrim që shikonte larg e depërtonte në kohët që do të vijnë. Përvoja, mençuria dhe kultura e tij e madhe ia japin këtë të drejtë Nolit.
- Kam kënaqësi kur bisedojmë bashkë për këto probleme të mëdha të kohës, - më tha. - Kam edhe dëshirë të shkëmbej mendime për këto çështje. Fatkeqësisht, këtu midis shqiptarëve, edhe ndër ata intelektualë të mirë e të zotë që kemi, nuk gjej njeri e rast për të bërë muhabete të tilla. Njerëzve këtu u ka hipur tamah e madhe për të bërë para, po kanë edhe frikë se mos, si shqiptarë, i ndjekin si komunistë. Prandaj, duket, e gjejnë më të lehtë të grinden midis tyre, siç bëjnë dy gazetat Liria dhe Dielli.

- Uroj që këto grindje edhe në koloni të shuhen, - iu përgjigja. - Pak ditë më parë më erdhi Qerimi. Biseduam edhe për këtë çështje,dhe ai, së paku me gojë, më tha se as ai nuk do sherr me Lirinë, po këta të fundit nuk heqin dorë. I kujtova fjalën e urtë popullore se faji u bë qyrk e nuk e veshi njeri. Qeshëm edhe unë, edhe Qerimi. Të shohim më tej. Qerimi më solli dy librat tuaja të fundit. U gëzova shumë përbëtë dhuratë të çmuar. Dhe ju nisa dhe një letër. I shfletova shpejt e shpejt, se nuk më durohej, dhe do t’i lexoj me nge. Historia e Skënderbeut, e ripunuar në baza shkencore, ndriçon një epokë të tërë të lavdishme të historisë së popullit tonë. Historianët tanë në Shqipëri e kanë pritur me shumë interes dhe e kanë vlerësuar lart për dokumentacionin e ri që sjell, po edhe për metodën shtjellimit e të analizës. Kurse Bethoveni dhe Revolucioni Francez, përveç vlerave të saj në vetvete rreth Bethovenit, mendoj se është ndër të parat vepra, në mos e para e shkruar nga një shqiptar për një personalitet të këtij kalibri dhe një ngjarje të madhe ndërkombëtare si Revolucioni Francez. Dhe këto janë trajtuar me kompetencë dhe mjeshtëri artistike që nuk mund të mos tërheqin vëmendjen e studiuesve, të historianëve dhe të admiruesve të Bethovenit, por dhe të specialistëve të huaj të Revolucionit Francez.

Vepra të tilla ju nderojnë juve, hirësi, po nderojnë edhe Shqipërinë.
- Më vjen mirë që në Shqipëri është pritur mirë botimi i ri i Historisë së Skënderbeut. Jam munduar të sjell elemente të reja, të rishikoj gjithë temën nën dritën e përvojës, por dhe të koncepteve të reja historiografike, shumë ndryshe nga botimi i parë i vitit 1921. Libri për Bethovenin është ndryshe. Figura e tij më ka tërhequr prej kohësh. E njoha më mirë gjatë studimeve të mia në Konservatorin e Nju Inglendit. Por edhe Revolucioni Francez më ka tërhequr gjithnjë. Bethoveni më dha rast të thellohem në këto dy fenomene. Desha të trajtoj figurën e kompozitorit të madh në një mënyrë të re, në ndërthurje me këtë ngjarjet madhe historike që shpejtoi fundin e feudalizmit në Evropë.

Më tha se, për këtë libër kishte marrë shumë letra nga vende të ndryshme të botës, nga Bernard Shou, Tomas Mani, nga kompozitori i shquar finlandez Jan Sibelius e shumë të tjerë. Më përmendi artikuj e komente të shumta dashamirëse të shtypit amerikan e të vendeve të tjera. Të gjithë e çmonin Nolin përbëtë vepër dhe e inkurajonin. Por Bernard Shou, si njeri i njohur për humorin e tij të mprehtë, në letrën e tij të gjatë, shumë miqësore e me vlerësime pozitive, i shkruante se, duke lexuar librin për Bethovenin, mendoi që Noli kishte gabuar zanat kur u dorëzua prift!

Fan Noli fliste me një krenari të ligjshme për këto dëshmi të personaliteteve botërore në veprën e tij.
- Po tani, hirësi, me se po merreni?
- Kam shkruar disa vjersha të reja. Nuk më le harareti i poezisë, - tha me të qeshur. - Vitet shkojnë, po ky damar mbetet gjithnjë i gjallë. Kam vazhduar përkthimin e disa librave fetarë ortodoksë në anglishte. Është një punë që mendoj se duhet bërë. Kohët e fundit kam punuar dhe shkruar një ese për Kromuellin, revolucionarin anglez të shekullit të 17-të, që i preu kokën mbretit Karl i Parë dhe sundoi vetë me dorë të hekurt. Këtë e kam shkruar anglisht. Tani po punoj për të shkruar një monografi të tillë për Pirron e Epirit, për Pirron tonë. Është një figurë me shumë interes, që nuk është studiuar mirë dhe meriton një vëmendje më të madhe e të mos mbetemi në disa klishe që janë hartuar nga shkrimtarët e vjetër grekë e romakë dhe kanë mbetur të paprekshme, gjysmë-legjendë, gjysmë-histori.

Mbase të kam folur dhe herë tjetër që për Ali Pashë Tepelenën kam një faiblesse (dobësi) të veçantë, si thonë francezët. Ai është një personalitet me përmasa që e kapërcejnë Shqipërinë dhe kohën e tij, një burrë shteti e diplomat i jashtëzakonshëm, po aq i zgjuar, sa edhe trim. sikur të kishte pasur më shumë kulturë dhe këshilltarë më të mençur e më besnikë, ai do të kishte ndryshuar fatin e Shqipërisë dhe, mbase, të Ballkanit. Po mbledh materiale dhe dua të shkruaj një libër për të, po këtu në Amerikë mungojnë shumë dokumente e të dhëna. Do të përpiqem.

- Mbase nga kjo dobësi për Luanin e Janinës, keni përdorur emrin e tij në pseudonimet tuaja, bile keni bashkuar Aliun me fshatin tuaj të origjinës, Qytezën, kurse baba jeni vetë, - i thashë duke bërë aluzion për pseudonimin e tij Ali Baba Qyteza.
- Këtë nuk e bëj dot hasha, - tha dhe qeshi.
- Po kujtimet, a po i shkruani?
- Kam filluar t’i shkruaj. Kjo punë më tërheq mjaft, se më çon në gjirin e familjes e të fshatit tim, më sjell ndërmend të ritë tim dhe gjithë atë jetë me përpjekje e luftë për Shqipërinë.

- Shpresoj se do t’i kushtoni ndonjë kapitull historisë së kolonisë shqiptare në Amerikë.
- Patjetër. Jeta dhe puna ime s’kuptohen dot pa koloninë shqiptare këtu.
- Ju, hirësi, keni qenë protagonist në momente kyçe të historisë moderne të Shqipërisë, keni zhvilluar edhe një veprimtari politike demokratike, antifashiste dhe revolucionare, që ka lënë gjurmë në jetën e Shqipërisë dhe në lëvizjen demokratike përparimtare ballkanike e evropiane. Me këto dua të përsëris atë që jua kam thënë që më 1946, se nga ju populli shqiptar pret gjithashtu kujtimet tuaja politike, të cilat do të kishin rëndësi të veçantë për historinë tonë.
Nuk m’u përgjigj menjëherë.

Sot ne kemi në dorë librin Pesëdhjetëvjetori i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë, shkruar nga vetë Noli dhe që përbën autobiografinë e tij deri më 1924. Me sa di unë, ai kishte filluar edhe kujtimet e tij politike, por nuk i mbaroi dot. Edhe ashtu të pambaruara, ato kanë vlerë të çmueshme politike dhe dokumentare dhe duhet shpresuar se nuk do të jetë e largët dita kur do të botohen.
 
Shkrimi u publikua sot (16.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Ukrainë, lufta dhe pasiguria ndikojnë tek rënia e popullsisë

Ukrainë, lufta dhe pasiguria ndikojnë tek rënia e popullsisë