Enveri në 1944: Kujdes, gjithë
simpatia po shkon për Mehmetin

Enveri në 1944: Kujdes, gjithë<br />simpatia po shkon për Mehmetin
TIRANE- Mustafa Gjinishi, Bahri Omari, Anastas Plasari, Zef Mala, Andrea Zizi, Isuf Luzi... të gjithë këto personazhe në një letër dhe në një kohë plot enigma e dyshime. 

Letra është shkruar në 2 mars 1944. I drejtohet Nako Spiros të cilit i jepen një varg direktivash si duhet të veprojë në disa raste të veçanta dhe me personazhe të veçantë.
Me një lexim të parë shumë çështje aty ngjallin interes. Në Odriçan të Skraparit do të bëhej mbledhja Komitetit Qendror të PKSH dhe njëkohësisht mbledhja e kryesisë së Frontit. Ishte pikërisht Plenumi i Odriçanit që do të përgatiste situatën për Kongresin e Përmetit. Duke patur parasysh natyrën si jepeshin urdhrat për eliminime, që në fillim lind një dyshim për Mustafa Gjinishin. Por ai ishte anëtar i Kryesisë së Frontit. E mbase për këtë arsye, pra pa prapaskenë, Nako Spiro porositet që t’i japë drejtim Mustafa Gjinishit, i cili duhej të nisej nga Dibra për të shkuar në Skrapar dhe atje do të takonte Gjin Markun për t'i treguar vendin ku ndodhej saktësisht Shtabi. 

Në dokument jepen direktiva sesi duhen ndëshkuar elementë që kanë tradhtuar vijën e Partisë, mes tyre Anastas Plasari e Zef Mala. Më tej përgatitet një skenar sesi duhej joshur Isuf Luzi përmes një letre që duhej ta shkruante Nako me shokët e ta firmoste Sejfullai (Malëshova), në mënyrë që Luzi të bindej ta linte Partinë Social Demokrate e të futej në rrethin komunist. Në këtë letër flitet edhe për atentatin që i ishte bërë Bahri Omarit, e që Nako Spiro dukej se ishte kundër, gjë që i vihet në dukje duke përforcuar: “Atentati ka qenë shumë me vend, por natyrisht duhesh të matesh mirë që të dilte me sukses....”.

Një surprizë shfaqet në fund të letrës në formën e një post skriptumi, ku Hoxha kërkon nga Nako Spiro dhe shokët që të gjendet një zv.komisar për Brigadën I ku komandant Mehmet Shehu duket se ka marrë gjithë simpatinë e partizanëve dhe se kjo simpati lipsej të zbehej disi!!! “Brigada e I nuk ka zv. komisarin. Duhet t’i caktojmë një dhe sa më parë. Kuadrot nuk janë as pak të ngritura me gjithë se janë luftëtarë të mirë e të vendosur. Duhet të bëhet puna e Partisë. Veç kësaj duhet të jetë një shok që të fitojë simpathi e influencë në partizanë se do të mbetet krejt simpatija për Mehmetin, ti e kupton vetë që nuk është puna si për çdo brigadë se nuk janë komandantët njësoj dhe kuadrot po ato....”
 

 
Dokumenti i plotë....
 
Vdekje fashizmit
Liri popullit
 
I dashur shok Nako.
Letrën tënde e muarëm, por nuk ishte përgjigjja e letrës t’onë të fundit. Sigurisht se tashti letrën e fundit tonën do ta kesh marë. Ne po e porosisim kurierin që sjell letrën që vjen aty të presij dhe përgjigjen nga ju.
Siç të shkruanim dhe në letrën e mëparëshme kemi një kurs me udhëheqësat e këtyre qarqeve të jugut, deri sot nuk kanë ardhur të Vlorës dhe të Gjirokastrës por i presim çdo ditë. Prandaj lajme me hollësi prej andej nuk kemi, po të çojmë një kopje të komunikatës që kemi marë dje nga Shtabi i Brigadës VI. Me të marë lajmet e sigurta nga të gjitha qarqet do të nisim një komunikatë komplet për të gjitha veprimet.
Lidhjet sot kanë rëndësi të madhe, ne me anën e fshatravet po përpiqemi ti krijojmë dhe ti mbajmë të regullta por ju mundohuni me çdo kusht që ti mbani regullisht me Korçën, Vlorën dhe me ato që keni Elbasan etj.

Shikohet se vendimet që janë marë dhe në konferencën e Vendit për hedhjen e Rinis në radhët e ushtris nuk janë zbatuar, gjithashtu organizatat nuk e kanë kuptuar rezikun që i kërcnohet nga çdo pikëpamje duke ndenjur nëpër qytete, sidomos n’ato qytete që janë jashtë kontrollit dhe ndihmës t’onë, si p.sh. në Fier etj. Duhet shkruar letrë shokëvet të organizatave që të nxjerin me çdo kush rininë në ushtri, si dhe miqt e simpatizantët që duan të dalin dhe i u vënë në dukje barbaritet që përdor armiku dhe që ka për të përdorur gjithmonë. Por njëkohësisht me letrën shokëvet të bëhet dhe një proklamatë nga ana e Komitetit Antifashist të Rinis ku të thritet Rinija për të shkruar në reshtat e Ushtris t’onë. Të mbeten në qytete vetëm ata që janë të domosdoshëm. Duhet theksuar se kjo është një direktivë dhe duhet të vihet në zbatim pa tjetër.

I shkruaj Esad Ndreut se Haxhiu është këndej dhe do të rijë këndej. Nuk dimë si u bë puna e atyre që do të vinin në Lumë, a u panë me Tarasin a jo, na shkruani. Kishim lajm se dy të tjerë që kishin ardhur për tu takuar do të harinin në Kajmaçellarë në kufirin Maqedono-Greke. Për këtë takim duhet të shkonte një nga ne por na ishte krejt e pamundur se puna është e shumtë dhe kemi kursin përpara, bëmë një letrë duke paraqitur situatën dhe lajmëruam Pandin të shkonte që ishte disi aty afër. Nuk kemi akoma ndonjë lajm.

Mustafa Gjinishi të vijë këndej, ti thuhet se shtabi po grumbullohet këtu me gjith kryesin e këshillit e prandaj dhe ay sa më parë të vijë, drejtim i jepni në Skrapar të kërkojë Gjin Markun (i cili do të jetë me Brigadën e VII).
Për çështjen e shokëve puna qëndron kështu. Ne në bazë të letrës që muarmë prej teje me një herë i dhamë urdhër shtabit të Brigadës I që të mirte përsipër këtë punë. Dhe kështu u bë, një pjesë e Brigadës mbeti për këndej lumit dhe pjesa tjetër do të kalonte lumit dhe do të harinte deri ku kishit shkruar që të takonte Saminë ose Lilën dhe të merte takim me shokët, me këta tok do të kthehesh përsëri këndej lumit. Akoma nuk kemi ndonjë informatë.

Agron Çarati ka trathëtuar, ka shkuar te Balli ka bërë dhe një thirje në komunikatë. Këto shpesh ndodhin dhe nga gabimet tona që kur e kemi zogun te dora e lëshojmë dhe pastaj e ndjekim këmba këmbës. Agroni kish dezertuar dy herë  nga radhët e ushtris. Shokët këtu e kishin ngarkuar dhe me përgjegjësi e jo që ta dërgonin aty ku duhej. Thonë se qarkori i Tiranës na i ka dërguar me letrë rekomandimi dhe me letrë nga ana e vëllajt të tij. Dërgohesh këtu pse aty ishte vapë dhe i dëmtonte atij se kishte epilepsi. Duhet të shikohen mirë këto gabime se po i paguajmë me gjak çdo dit. Shikoni e kontrolloni mirë të vëllanë e tij. Tashti duhet më tepër se kurrë të shtrëngojmë radhët e organizatës, tashti të gjithë trathëtarët dhe armiqt e Partisë t’onë gjejnë rast për t’u hedhur kundra nesh haptazi e fshehurazi, tani gjejnë rastin për të na dëmtuar shumë. prandaj duhet të kemi sytë hapët se janë momentet më kritike; për këtë i shkruani shokëve të organizatave....(tre katër fjalë nuk dallohen) kemi lidhje.
 
Andaj janë shumë elementa që duhet të jenë në kontrollin tonë, që do të na prishin punë në qoftë se këta nuk janë pranë nesh dhe qëndrimi i tyre është i lëkundshëm. Anastas Plasarin e porositni që është caktuar pranë Shtabit të Korçës dhe duhet të vijë këndej sa më parë, si agjit propër i thoni se është caktuar; Zef Mala të vijë pranë Këshillit të Përgjithshëm; nasi Marjani etj. këta përpiquni me një mënyrë ose me një tjetër që ti dërgoni nga këto anë. Interesohuni mirë se ku ndodhen gjithë të përjashtuarit, fraksionistët etj. na shkruani ku është dhe ç’bën Andrea Zizi.

I udhëzoni shokët që të dinë si të punojnë në këto situata, t’i adaptohen gjëndjes së atjeshme, puna nuk mund të bëhet si përpara, konferencat, grupet etj. por gjithëçka më e kufizuar dhe puna me konspiracionin e duhur, por mundësitë e punës janë gjithmonë.
Shkruan për Partinë Republikane; Kjo është një gabim. Ne elementat që kemi në radhët e frontit i kemi me tendenca e me mendime ideollogjike të ndryshe dhe si të tillë qëndrojnë në frontin Nacional çlirimtar, nuk është nevoja që këta elementa të formojnë një Parti ose Parti të ndryshme në radhët e frontit por kjo është dhe ca më keq kur vetë ne bëhemi shtytësa për këtë. Të përpiqemi me të tjera mënyra ti shtojmë radhët e frontit dhe ta zgjerojmë frontin.

Aty sigurisht ndodhet Isuf Luzi i cili ka një përgjegjësi dhe me rëndësi në Partinë Social-demokrate, ka qënë dhe është me përgjegjësi nën reshtat e Ballit Kombëtar por ka qëndruar gjithmonë larg komprometimit, nuk është goditur me ne, ka mundësi që të sjellë një ndarje në radhët e Social demokrates. Duhet ti shkruhet një letrë e mirë, nga ana e Sejfullahut dhe të vihet posht antar i këshillit të Përgjithshëm. Ti shkruhet se aty ku bën pjesë ay nuk është vëndi i tij, bashkëpunëtorët e tij sot janë në trathëti të hapët, se nuk mbulohet dielli me shoshë duke dashur ti ndrojnë emrat e të vënë maska partish të ndryshme; ay i cili sot ka një përgjegjësi në Partin Social demokrate do ti vlejë shumë Atdheut në qoftë se çkëputet nga reshtat e trathëtarëve dhe hidhet në reshtat e frontit Nacional çlirimtar deri sa nuk bëhet tepër vonë. Këtë e shkruani ju dhe e firmoni nga ana e Sejfullahut.

Aty në qoftë se ndodhet Uan Filipi le ta takojë një shok, ti kallëzojë rugën që ka ndjekur, ti thotë të heqij dorë se ne nuk na hedh pluhur sysë, ti flitet në formë kërcnimi dhe të shikohen veprimet e tij dhe së fundi të marij atë që meriton në qoftë se vazhdon ose ndjek rugën me armiqtë tonë.
Për Bahri Omarin ti shkruan në letrë dhe më mirë lë të kuptosh se je i mendimit të kundërt me atentatin që është bërë kundra tij. Kjo shok është një gabim për ti. Atentati kundra Bahriut ka qënë shumë me vënd por natyrisht duhesh të matesh mirë që të dilte me sukses.
Në komunikatat që dalin të mos shkruhet Buletin i Z.P.Organ i P.K. por le të vihet buletin i luftës Na.Çlir.

Sot paraqitet nevoja urgjente për daljen e organit e K.Q. Ti duhet sa më parë të pregatitësh një artikull dhe të na i dërgosh me mjetin më të parë. Në artikull shkruaj mbi mënyrën e punimit me rininë, detyrat e rinis, duke e bërë të kjartë të rinis komuniste dhe antifashiste, detyrat e Partis dhe anuarve para këtij sektori etj. artikulli të jetë i kartë dhe të përfitojë organizata.

Nga letra e jote Nako ne nuk mund të formojmë një ide të kartë mbi gjendjen dhe situatën e atjeshme. Çetat janë me 10 ose 15 veta, etj, po shkojmë drejt likuidimit të ushtris etj. na shkruaj më me hollësi e më me saktësi. Po e përsërisim dhe një herë, të gjithë ilegalët, të rinjtë, partizanët dhe miqt simpatizantët që dëshirojnë (për këta të fundit me dëshirë) të hidhen në radhët e ushtris ose në Pezë, ose në të tjera batalione ose në Brigadën e III ose le të kalojnë lumin të hidhen për këtej është gjithmonë forcë e gjallë në këmbë. Shkruan në komunikatë për një komandant batalioni të Brigadës II Nuredin se është vrarë, ky është i gjallë ndodhet këndej.
 
 
Po të theksojmë dhe një herë, Nako, që artikullin për organin e Partis e shkruaj sa më parë dhe të na i dërgosh me mjetin e kurierin më të parë.
Letrën i a dërgo dhe Gogos. I kemi shkruar dhe Gogos që të na shkruaj letrë.
Presim letrë dhe artikullin me kurierin më të parë.
Të fala shoqrore
 2 Mars 1944
 
P.S.
Brigada e I nuk ka zv. komisarin. Duhet ti caktojmë një dhe sa më parë. Kuadrot nuk janë as pak të ngritura me gjithë se janë luftëtarë të mirë e të vendosur. Duhet të bëhet puna e Partis. Veç kësaj duhet të jetë një shok që të fitojë simpathi e influencë në partizanë se do të mbetet krejt simpatija për Mehmetin, ti e kupton vetë që nuk është puna si për çdo brigadë se nuk janë komandantët një soj dhe kuadrot po ato. Ne menduam dhe vendosëm për Shulen. Ju duhet të shikoni të gjeni një shok nga Tirana ose nga Elbasani që të mund të rijë te Myslimi, por që të jetë i përshtatshëm të vejë tek ay. Këtë mund ta shikoni ju që njihni organizatat e në qoftë se po athere Shulja të shkojë menjëherë në Brigadën e I.

Ne mendojmë se do të jetë shumë mirë që Myslimi të vijë këndej. Por gjithë puna qëndron në mënyrë se si do të bisedohet me të për ta bindur se është mirë të vijë këndej me që po grumbullohet dhe Shtabi dhe Kryesia e Këshillit. Shikoni në qoftë se do të dëshironte të vinte, po të jetë se po, athere i jepni drejtim me një herë.
Po ju dërgojmë proklamatën e Kryesis Këshillit. E dërgoni në të gjitha qarqet me një letrë shoqëruese që të bëhen sa më shumë kopje, që të shpërndahen sa më tepër.
 
 
Shkrimi u publikua sot (20.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

U shkatërrua nga flakët rreth 5 vite më parë, rihapet 'Notre-Dame'! Ja kur do të pres vizitorë katedralja historike e restauruar

U shkatërrua nga flakët rreth 5 vite më parë, rihapet 'Notre-Dame'! Ja kur do të pres vizitorë katedralja historike e restauruar