Duke analizuar me gjakftohtësi e kujdes e me memecozitet  të pajisur me njohjen e qartë të Historive të 21 qytetërimeve dhe duke i vështruar ato nën mikropskopin e Filozofisë së Historisë, arrijmë në konkluzionin që: një Liri komplete, perfekte, e vërtetë as ka ekzistuar, as nuk do të ekzistojë kurrë, për këto arsye:
 
1.Pabarazimi i nivelit mendor në njerëzit, në shoqërinë njerëzore jep si rezultat të paevituarshëm luftën për mbijetim dhe për lumturi. Ky është shkaku që njerëzit e mirë, një nga një, formojnë një shoqëri të ligë kur bashkohen. Filozofi i Historisë NIEBUHR e ka studiuar shumë mirë në librin e tij homonim.
2.Instinkti kafshëror i zjarrit të mishit, të gjakut e keqëson këtë plagosje të madhërisë së saj – LIRISË, në një mijë e një mënyra të njohura nga BIOLOGJIA – SOCIOLOGJIA dhe PSIKOMETRIKA.

3.Përparimi i Teknologjisë, që jep në përfundim përmbledhjen e kapitaleve në pak duar, i jep plumbin e gracies madhërisë së saj  - LIRISË.
Degjenerimi është funerali i LIRISË.
 
Liria e ndërgjegjes nga dogmat jep përfundim pozitiv vetëm në një elitë intelektuale, jo në popujt që janë popla. Kjo liri është aq relative dhe aq e pamatshme, saqë mbetet si iluzion, ëndërr.

Besimet po humbasin në përpjesëtim me zhvillimin e shkencave, si konkluzion vjen një lloj lirie purente , por që është më dëmprurëse sesa robëria e dogmave.  Në vend të fjalës liri këtë mentalitet modern drejt liberalizmit iluzor do ta pagëzoja me fjalën ANARKI MORALI; ETIKE, ESTETIKE.

Klubet nudiste të sotme, shoqëritë homoseksuale që prunë SIDA-n, njohja nga disa shtete të së drejtës së pensionit e sindikatave të PROSTITUCIONIT; martesat legale të homoseksualëve në Angli dhe në proces evolutiv në USA, na bëjnë të mendojmë që në shekullin e 22-të shoqëria njerëzore do të jetë AMORALE dhe IMORALE. Në këtë prizëm studimi, madhëria e saj LIRIA vdiq dhe në kufomë të saj u ngjall një krimb epidemik, siç u ngjall në kufomën e qytetërimit  grek krimbi i  degjenerimit të sotëm.

Liria politike është vetëm një maskë brenda së cilës jeton robëria politike e demagogut, aventurierit për fuqi  e flori. Ardhja në pushtet bazohet në financën e kandidatit, jo në vlerat shpirtërore të tij, në kompromisin sekret të kapitalizmit-militarizmit dhe besimeve. Këta faktorë e mbysin Lirinë në një ASFIKSI që i ngjan asaj të KRISHTIT në kryq të Kalvarit.

Kanti e përkufizoi Lirinë si një autonomi e vetëvendimit të gjërave të arsyeshme. Ai e konsideron realitetin e lirisë një fakt aq të pandryshuarshëm sa dhe të pashpjeguarshëm dhe e vendosi konceptin e lirisë në thelbin e të gjithë sistemit të tij, aq teorik, sa edhe praktik. Por kjo është vetëm një faqe e prizmit të madhërisë së saj – Lirisë, si dritë ndihmonjëse e mendimit filozofik ose të themi POZITIVIZMIT.

Për të kuptuar Lirinë në tërësinë e saj, duhet të bashkojmë në gjirin e saj jo vetëm lirinë e mendimit, Filozofinë, por edhe lirinë e ndërgjegjes, lirinë e shprehjes publikisht, lirinë e ndarjes barazisht të të gjitha sendeve të nevojshme për t’i dhënë lumturi çdo frymori.
Kjo liri komplete, perfekte, e vërtetë as ka ekzistuar, as do të ekzistojë kurrë.

Shkrimi u botua sot në Suplementin Rilindasi në gazetën shqiptarja.com (print) 0707.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)