Eqerem Vlora, një nga kritikët
më të mëdhenj të Ahmet Zogut

Eqerem Vlora, një nga kritikët<br />më të mëdhenj të Ahmet Zogut
TIRANE- Një nga lajkatarët e monarkisë zogiste, dr. Zoi Xoxa shkruante më 1938 se veprat e monarkisë për t’u përshkruar janë “me të vërtetë të rralla, aq sa përbëjnë mburrjen e historisë së sotme të vendit tonë dhe përtërijnë kohët skënderiane (skënderbegiane – K.F.). Brenda pak vjetëve u ndryshua krejt një mendësi e vjetëruar, u shëruan plagë të rënda që na kishin mbetur trashëgim nga pushtonjësit e huaj dhe nuk u kursyen mjete dhe sakrifica për t’i siguruar popullit lumturinë që gëzojmë sot.

Kush e heton, me syrin e studionëjsit skrupuloz dhe të paanshëm, përparimin që keni bërë brenda këtyre dhjetë vjetëve Mbretërie, mbetet i shtëngur përpara kësaj Fuqie, që aqë shpejt diti të rrënojë dhe të krijojë... Ndryshimet kanë qenë rrënjësore, pse Sovrani i ynë August ka dashur dhe ka ditur ta udhëheqë popullin e tij drejt zhvillimit dhe oksidentalizmit me vullnet të ngulur, me mendje gjeniale dhe me hapa vigane... Mund të thuhet, pa frikë përgënjeshtrimi, se Shqipërija asht e tana një pjesë magjike e mbretit të sajë“. (10 dhjet mbretni 1928-1938, Tiranë 1938, f. 11).

Apologjetët e mbretërisë zogiste vlerësojnë si merita kryesore të atij regjimi tre reforma – reformën administrative e cila solli stabilitetin e rendit publik, reformën juridike, e cila zëvendësoi korpusin e vjetër juridik me një korpus të ri evropian dhe reformën arsimore, e cila e konsolidoi shkollën kombëtare shqiptare.

Në lidhje me reformën administrative ata sjellin si argument modernizimin e adminsitratës shtetërore, përforcimin e armës së xhandarmërisë, pakësimin e veprave penale, sigurimin e banesës së qytetarëve dhe qarkullimin e lirë të shtetasve. Këto rezultate janë pa dyshim merita, por që sidoqoftë janë vazhdimi i mëtejshëm i reformave administrative që kishin filluar të ndërmerreshin që me Kongresin e Lushnjës.

Megjithatë, ata harrojnë të vënë në dukje se shpenzimet jo të pakta që u përdorën në bazë të buxhetit shtetëror për organizimin e Ushtrisë Kombëtare, shkuan dëm, pasi më 7 prill 1939 kur forcat e armatosura ushtarake kishin për detyrë ta mbronin pavarësinë e atdheut, ajo u shkërmoq pa shkrehur asnjë pushkë. Nuk duhet harruar gjithashtu se gjatë 14 vjetëve të sundimit të Ahmet Zogut si kryetar republike dhe si sovran i mbretërisë, rendi publik u trondit katër herë nga kryengritje të armatosura – nga kryengritja e Dukagjinit më 1926, nga Lëvizja e Vlorës më 1932, nga kryengritja e Fierit më 1935, nga rrebelimi i Delvinës më 1937.

Pa dyshim që A. Zogu ka një meritë në fushën e jurisprudencës shqiptare. Nismën për ta zëvendësuar legjislacionin e trashëguar nga e kaluara, e cila ishte ende në fuqi – nga e drejta zakonore shqiptare dhe nga kodet juridike osmane – me një legjislacion të ri të standardeve evropiane, A. Zogu e ndërmori, shkruanin juristët e Ministrisë së Drejtësisë së monarkisë më 1938, që kur ishte kryetar i Republikës.

Me vendimin që mori Këshilli i Ministrave nën kryesinë e A. Zogut më 5 gusht 1926 dhe me ligjin që u miratua më 30 nëntor 1926 u ngarkua një komision juristësh, për ta ndryshuar legjislacionin jo duke arnuar akte juridike të trashëguara nga e kaluara, por duke bërë në to ndryshime “rrënjësore”.

Përsa i përket Kodit Penal, Komisioni i Posaçëm zgjodhi për model Kodin analog të vitit 1889, i cili në atë kohë ishte një nga kodet më të përsosura të Evropës. E reja e këtij kodi ishte ndarja e fajit në dy kategori: në krime (delikte) dhe në kundravajtje (kontravensione). Në të dyja rastet duhej mbështetur në karakterin e veprave të dënueshme të cilat “të sistematizoheshin dhe të klasifikoheshin racionalisht duke i bllafaquar fajet e ndryshme me kritere shkencore”. Ndryshe nga kodet e mëparshme, në Kodin e ri Penal parashiheshin si risi benefici i pezullimit të fajit të pranuar, lirimi kondicional i të dënuarit, qortimi gjyqësor, ablasioni vullnetar etj. të cilat në atë kohë ende nuk ishin pranuar nga të gjitha shtetet evropiane.

Nuk ka dyshim se reforma juridike më e rëndësishme e kësaj periudhe ishte Kodi Civil, i cili hyri në fuqi më 1 prill 1929. Kodet e mëparshme nuk merreshin aspak me të drejtën familjare, as me të drejtën trashëgimore. Çështja e martesës, prikës dhe e instituteve të tjera të së drejtës familjare, si edhe e drejta e testamentit rregulloheshin sipas marrëveshjes midis palëve në mënyra të ndryshme. Kështu, për myslimanët veprohej në përshtatje të dispozitave të Fikhut (jurisprudenca islamike); për ortodoksët sipas ligjeve të perandorëve bizantinë; për katolikët sipas të drejtën kanonike. Kjo ndarje shfaqej edhe në dualizmin e juridiksionit. Si rrjedhim, çështjet laike trajtoheshin njësoj për të gjithë shtetasit, kurse çështjet fetare ndaheshin sipas besimit.

Kodi i ri Civil bënte dallim edhe përsa i përket pozitës së gruas në familje dhe në shoqëri. Ai nuk e njihte më diskriminimin ligjor të saj. Para së gjithash, Kodi Civil e ndalonte poligaminë, të cilën e ligjëronte Kodi i vjetër Osman. Gruaja fitonte të drejtën e shkurorëzimit, e cila më parë i qe mohuar. I njohu asaj tagre të njëjta me të burrit, ndërsa më parë burri ishte zot dhe gruaja gëzonte vetëm përjashtimisht çka i koncedohej prej burrit. Tani lejohej martesa midis gruas myslimane dhe burrit të krishterë, e cila më parë ndalohej nga e drejta islamike. Martesa midis kushërinjve nga nëna nuk ishte më e ndaluar”. (Po aty, f. 120).

Mbi rëndësinë e Kodit Civil juristi i shquar shqiptar i asaj kohe Dr. Baltasar Benussi shkruante më 31 mars 1929, ndër të tjera: “Nesër hyn në fuqi Kodi Civil i ri. Rëndësia e kësaj dite asht historike për Shqipnin... Legjislacioni, që sot po rrëzohet nga froni shekullor i fuqisë, përveç se ishte i krijuar për kohna të vjetra dhe i papajtueshëm me qytetnimin e soçëm, me nevojat e vendit dhe me zhvillmin ekonomik të popullit, me zakonet e shpirtin e shqiptarit, ishte dhe një Legjislacion me besime dhe baza fetare”.

Më tej ai shkruante:
“Shqipërija e pavarur, respektuese dhe mbrojtëse e të gjitha feve, por e pasubordinueme (e panënshtruar – K.F.) ndaj asnjanës prej këtyre nuk mund të rregullonte ma marrëdhëniet juridike të privatëve, të institucioneve ma vitale për jetën e Shtetit, me ligje fetare. Shqipëria nuk mund të lejonte që familja, guri ma i fortë i themelesës shtetnore, të rregullohesh me ligje të ndryshme, që në shtet të gjykojnë gjykatore fetare, të cilat si nga pikëpamja e formimit të tyre si dhe nga ajo e mënyrës së gjykimit, ishin jashtë çdo kontrolli. Një shtet, që respektohet, ka ligj uniform për të gjithë dhe një lloj gjykatash nën kontrollin direkt të Shtetit. Me sistemin e derisotëm, familja shqiptare kishte fillue me u çorganizue: poligamia nga një anë, liria e plotë e burrit me zgjidhë Vjegën martesore, kurdoherë që ia donte qejfi, nga ana tjetër, gruën shqiptare e kishin poshtërue fare... Edhe në të drejtat e trashëgimit pozita e gruës qe shumë e keqe; mashkulli, edhe sikur të ish në shkallat ma të largëta të gjinis, i kishte të drejtat ma të mëdha se femna dhe i merte kësaj pjesën ma të madhe të pasuris të s’afërmet të saj”. (Gazeta e Re, Tiranë 31 mars 1929).

Me legjislacionin e ri rregullohej edhe zhvillimi i ekonomisë private. Ai lehtësonte tërheqjen në Shqipëri të kapitalit të huaj. Në të përcaktoheshin rregullat prohibitive (ndalimi) që binin në kundërshtim me rendin publik dhe me zakonet e mira të vendit. Kontrata duhet të jetë ligji i parë për kontraktuesit. Kodi i ri Civil, duke patur për model kodet dhe projektet më të reja të popujve më të qytetëruar, rregullonte në mënyrë uniforme gjendjen juridike të personit, familjes, trashëgimit, të drejtat reale dhe detyrimet. Të gjitha marrëdhëniet juridike të jetës private, pasojat, të drejtat dhe detyrimet, që lindin nga këto marrëdhënie, rregulloheshin njësoj për të gjithë shtetasit. Gjykatoret fetare të dikurshme zhdukeshin. Rjeti i ri i sistemit të drejtësisë që nga gjyqtarët dhe ndihmësgjyqtarët e shkallëve të ndryshme, që nga prokurorët e kualifikuar dhe deri te avokatët e arsimuar, angazhoheshin të zbatonin Kodin Civil që më 1 prill 1929.

Megjithatë, nuk mund të mohohet se normat e Kodit të ri Civil ranë ndesh me metalitetin konservator që mbijetonte ende në disa qarqe në Shqipëri. Rezistenca e tyre u tejkalua pa përplasje në sajë të gadishmërisë së shumicës së popullsisë shqiptare për të mbështetur modernizimin e vendit.

Një tjetër reformë e rëndësishme që shpalli monarkia zogiste në fushën e legjislacionit juridik ishte Kodi Tregtar, i cili hyri në fuqi më 1 prill 1932. Edhe në përgatitjen e këtij kodi anëtarët e komisionit të posaçëm u mbështetën në kodet moderne kryesisht italiane, të cilat iu përhtatën kushteve dhe interesave të veçanta të Shqipërisë.

Legjislacioni juridik u plotësua me Kodin e Procedurës Civile, me atë të procedurës së Kodit Penal dhe me ligje të tjera, të cilat zëvendësonin aktet juridike të trashëguara nga Perandoria Osmane (Po aty, 10 vjet mbretni, ff. 120-121).
Gjatë viteve të monarkisë zogiste u kryen hapa përpara edhe në fushën e arsimit kombëtar. Zyrtarisht arsimi kombëtar në vështrimin e arsimit të organizuar dhe të përballuar nga shteti, lindi me shpalljen e Pavarësisë Kombëtare më 28 Nëntor 1912. Në fakt, arsimi kombëtar filloi të vihej në jetë vetëm pas Kongresit të Lushnjës. Në fillim Ministria e Arsimit u mor kryesisht me programet që duhej të kishte arsimi kombëtar – shkollë shqipe me karakter laik, me program iluminist, me orientim arsimin perëndimor, të cilin ta frekuentonin bashkërisht, të paktën shkollën fillore, djem dhe vajza të të gjitha besimeve.

Megjithatë, për shkak të vështirësive buxhetore dhe të politikës së dyerve të hapura që ndoqi shteti shqiptar pas Kongresit të Lushnjës, numri i shkollave të arsimit kombëtar qe tepër i ulët, kurse shkollat më të kualifikuara u mëkëmbën nga shtete të huaja. Të tilla qenë për shembull, Liceu i Korçës me program arsimor frëng, Shkolla Teknike e Tiranës me program arsimor amerikan, Shkolla Tregtare e Vlorës me program arsimor italian, po kështu edhe disa shkolla të tjera.

Pasi A. Zogu vendosi pushtetin e vet autoritar, politika arsimore në Shqipëri ndryshoi. Për habi të qarqeve intelektuale, sapo erdhi në pushtet A. Zogu si President i Republikës e suprimoi Ministrinë e Arsimit duke e kthyer atë në një drejtori të përgjithshme. Por më vonë, ai e drejtoi vëmendjen e vet te organizimi dhe fuqizimi i shkollës kombëtare.

Më 1927 u rikrijua ministria e Arsimit, e cila mori përsipër të ndërmerrte reformën arsimore jo vetëm për sistemin në tërësi, por edhe për programet mësimore dhe për orientimin e trajtimit të lëndëve mësimore. U vendos kështu arsimi fillor pesëvjeçar, kurse nëpër fshatra shkolla fillore do të kishte vetëm katër klasë. Nxënësit fshatarë që dëshironin të vazhdonin shkollën e mesme duhej ta kryenin klasën e pestë të fillores në një shkollë të qytetit. Megjithatë, rrjeti arsimor fillor nuk u shtri në mbarë vendin. Sistemi arsimor parashihte një shkollë të mesme tetëvjeçare të ndarë në dy nivele: në shkollën e mesme të ulët apo qytetëse (semimaturë) dhe në shkollën e mesme të lartë apo liceun ose gjimnazin (matura). Në sistemin arsimor parashiheshin shkolla profesionale dhe shkolla të kulturës së përgjithshme.

Për të lehtësuar frekuentimin e nxënësve të fshtatrave në shkollat që ndodheshin larg banesave të tyre, ligji parashihte ngritjen e konvikteve (internateve). Përsa i përket lëndëve mësimore, Ministria e Arsimit mori porosi të adoptonte programe dhe tekste të ndërtuara sipas modeleve të shkollave europiane perëndimore, të cilat t’i përshtateshin botës shqiptare. Me këtë reformë arsimi shqiptar filloi të hynte nga ana parimore në sferën e qytetërimit europian, por ana e dobët e saj ishte numri i paktë i shkollave dhe i konvikteve të ngritura.

Në pranverën e vitit 1933 monarkia ndërmori thellimin e mëtejshëm të reformës mësimore. Orientimi drejt arsimit europian perëndimor u thellua më tej. E reja e reformës ishte nacionalizimi i skajshëm i arsimit. Shkollat që kishin lindur nga institucione private apo nga shtete të huaja u mbyllën. Tani e tutje në Shqipëri do të kishte vetëm shkolla shtetërore me arsimtarë dhe me administratë të financuar dhe emëruar vetëm nga shteti shqiptar. Kjo reformë preku disa nga shkollat elitare që ekzistonin në atë kohë në Shqipëri siç ishte Liceu frëng i Korçës, shkolla Teknike Amerikane e Tiranës, shkolla tregtare italiane e Vlorës, instituti femëror Qiriazi e Kristo Dakos në Kamëz dhe shkolla të tjera private të huaja. Me shtetëzimin e tyre arsimi kombëtar në Shqipëri u përgjithësua.

Megjithatë, numri i shkollave mbeti përsëri i pakët. Më 1938 në Shqipëri, e cila kishte rreth 2800 qendra banimi, kishte gjithsej 649 shkolla. Prej tyre shkolla fillore 643 me 52024 nxënës, kurse shkolla të mesme 6, nga të cilat shkollat e mesme të ciklit të ulët 2563 nxënës, kurse shkollat e mesme të ciklit të lartë 817 nxënës. Kjo do të thotë se në Shqipëri numri i shtetasve anlfabetë ishte përsëri i konsiderueshëm. Nuk ka dyshim se në sajë të këtyre reformave Shqipëria filloi të shkëputej nga trashëgimia e së kaluarës në të tria fushat kryesore të shtetit – në fushën administrative, juridike dhe arsimore.

Megjithatë, para se të konkludojmë mbi meritat apo dobësitë e regjimit monarkik do të ishte me vend që pas vlerësimit të lajkatarëve të Zogut, të dëgjonim edhe kritikët e kundërshtarëve të regjimit. Meqenëse kundërshtarët politikë të regjimit janë në mënyrë aprioristike thellësisht negative, në vend të tyre kemi zgjedhur tre nga bashkëpunëtorët e A. Zogut, të cilët pasi i shërbyen deri në fund monarkisë, dhanë gjykime të rrepta ndaj tij si person.

Dëshminë e parë e kemi nga Eqerem Vlora i laureuar në Universitetin e Vjenës bashkëpunëtor i A. Zogut, në të njëjtën kohë edhe kushëri i tij. Në “Kujtimet” e veta të botuara pas vdekjes së A. Zogut, ai përvijëzon për të një portret moral, intelektual, politik dhe historik me ngjyra kontradiktore, ku mbase ngjyrat e zeza dominojnë mbi ngjyrat e bardha. Duke folur për rolin që ai luajti pas Kongresit të Lushnjës në historinë e shtetit shqiptar, ai shkruan: “Historia e Shqipërisë midis 1920 dhe 1939 mban vulën e Ahmet Zogut në atë masë, sa unë detyrohem ta quaj këtë periudhë koha e Ahmet Zogut”.

Sigurisht që kemi të bëjmë me një përcaktim të tepruar mbasi Zogu nuk ka përmasa kaq të mëdha si burrë shteti sa të meritojë përcaktimin kaq madhështor historik si “koha e Ahmet Zogut”. Arsyeja përse ai nuk e meriton një emërtim të tillë del nga vetë portreti moral, intelektual, politik, historik që Eqerem Vlora, përvijëzon për të. Duke folur për A. Zogun e vitit 1925, kur ai ishte President i Republikës, Eqerem Vlora shkruan: “Të nxitë grindje, të thurrë intriga dhe të ndërsejë njerëzit kundër njëri-tjetrit – ja pra cila qenka urtësia shtetërore dhe kryekënaqësia e Presidentit tonë!” (Po aty, f. 550). Më tej: “Zgjedhja si kryetar i Republikës nuk e ndryshoi aspak karakterin e A. Zogut. Ashtu siç ishte edukuar dhe rritur në rini, ashtu mbeti ai gjatë tërë jetës. Siç nuk ndryshoi as edhe shprehitë e tij”.

Eqerem Vlora shkruan gjithashtu: “Që A. Zogu gaboi në disa synime politike, sidomos me politikën evropiane, që ai i ngatërroi dhe i përzjeu disi mesveti problemet financiare shtetërore me ato private, kjo, natyrisht është e vërtetë. Përsa kohë ishte fjala për të qeverisur një popull pasuesish me metodat autoritare të një beu, A. Zogu pati sukses. Por kur Shqipëria falë përparimit të saj dhe të marrëdhënieve të ndryshuara ndaj botës, fitoi një fytyrë të re, kur Shqipëria u gjend nën ndikimin e shteteve evropiane dhe mënyrës së tyre krejt të ndryshme të mendimit, mjetet e tij dhe metodat e tij financiare do të dilnin të pavlefshme”. (Po aty).

Përkundrazi, Eqerem Vlora ndryshe e gjykon A. Zogun si mbret i Shqipërisë. Zogu, - shkruan ai, - ishte më tepër se një “mbret”. Kjo për arsye se “vetëm me titullin mbret nuk mund të shpjegohet kurrsesi personaliteti i ndërlikuar i këtij njeriu. Ahmet Zogu ishte prototip, sinteza e të gjitha vetive të mira dhe të liga të njeriut në Shqipërinë e re. Ai i kishte ato veti, të mira e të liga,  të gjitha në shkallën më të lartë, ndaj edhe pati një sukses kaq të madh. Nuk mund të ketë sukses një njeri, te një popull, pa qenë vetë kuintesenca e shpirtit të këtij populli. Ahmet Zogu e kishte këtë dhunti dhe u shfaq në çastin e duhur në skenën politike të Shqipërisë – ndaj ai është më tepër se një mbret, ai është simbol i një epoke!”. Pasi vë në dukje se gjatë qëndrimit të Zogut kur ishte i ri në Stamboll ai mësoi shumë nga ngjarjet dhe lëvizjet e xhonturqve, Eqerem Vlora vazhdon:

“Nga natyra tepër inteligjent, përveç vetive udhëheqëse të kultivuara që në fëmijëri, ai u pasurua edhe me përvojën e intrigave të politikanëve modernë xhonturq, përvojë që, më vonë diti ta vërë në jetë me aq zotësi në kushtet e vendit të tij. Pas kthimit në shtëpi më 1912 ai mënjanoi dalëngadalë vëllain e tij më të madh Xhelal beun, njeri që nuk shquhej për mençuri dhe mori kështu vetë në dorë drejtimin e shtëpisë dhe të krahinës”.

Më 1912 kur vajti në Vlorë dhe bujti në shtëpinë e Eqerem Vlorës, kushëririt të tij - Eqeremi shkruan:“Aty pata rast ta vrojtoja mirë. Por doemos, asgjë nuk më lejoi atëherë të hamendësoja se një ditë ai do të ngjitej në majën e piramidës shtetërore dhe jo me lehtësi, siç mund të kishin bërë shumica e dorës sonë, por përmes vështirësish dhe rreziqesh, të cilat ai i kapërceu vetëm falë ambicies së papërmbajtur dhe aftësive të tij të jashtëzakonshme. Si çdo pinjoll i dyerve fisnike shqiptare ai ishte i vetësigurtë, i heshtur, i përmbajtur, krenar, por edhe i druajtur në shoqëri. Në personin e tij, vetitë natyrore të sundimtarit të zgjedhur nga zoti, ato të udhëheqësit ushtarak, të politikanit dhelparak dhe të kujdesshëm oriental, bashkoheshin, megjithatë, me cilësitë e shqiptarit kokëkrisur.

Të gjitha këto veti, ashtu si edhe gabimet e tij pasqyronin botëkuptimin dhe moralin e mjedisit ku ai u rrit. Vetëzotërimi i habitshëm, paraqitja e sigurtë dhe manierat e tij ishin rezultat i një edukimi të rreptë. Edhe pse, ç’është e vërteta, ai nuk kishte ndonjë shkollim të mirëfilltë... Të ashtuquajturit “intelektualë” të Shqipërisë e kanë quajtur dhe e quajnë Ahmet Zogun injorant, i veshin atij paaftësinë për të hedhur qoftë edhe një mendim në letër pa gabime gramatikore, e qortojnë atë rreptë për mungesën e ndjenjës së komikes, e mbajnë për intrigant, për njeri të dhënë pas fitimit e shumë e shumë veti të tjera edhe më të pakëndshme. Për mua të gjitha këto qortime janë shfaqje të urrejtjes.

Inteligjenca natyrore e këtij njeriu ishte e mahnitshme, edhe kur ia donte puna të gjykonte dhe të zgjidhte probleme shumë të vështira dhe krejt të huaja për të ai rrallë gabonte (vini re: më parë E. Vlora tha se ai gaboi në disa synime politike, sidomos me politikën evropiane), sikundër edhe që në shoqëri me njerëz shumë më të kulturuar ai nuk bënte kurrë figurë të keqe. Por përveç inteligjencës, ajo që i jepte atij epërsi të padiskutueshme mbi të gjithë të tjerët ishte mungesa e çdo ndjesie: Ahmet Zogu as ka dashuruar, as ka urryer kurrë. Veprimi dhe sjellja e tij i nënshtroheshin gjithmonë kontrollit të një mendjeje të ftohtë e praktike, udhëhiqeshin gjithmonë dhe vetëm prej interesave të caktuara. Arsyetimet emocionale nuk kanë qenë asnjëherë pengesë për të. Kur ai ishte ende i ri, më mirë nga të gjithë atë e ka vlerësuar Esat pasha (Toptani – K.F.) në prill të vitit 1914.

Ahmet Zogu sapo ishte larguar nga shtëpia e Esatit, pas një bisede, kur Esati më tha: “A e vure re mirë këtë djalosh? Do të vijë një ditë kur ai do të shkojë shumë larg dhe do të na mënjanojë të gjithëve, po të jetë se ne nuk ia shkurtojmë këmbët në kohën e duhur. Mund të gjesh plot gabime, lajthitje dhe mangësi në mendimin dhe veprimin e tij, por ai mbetet megjithatë një personalitet i rëndësishëm, madje më duhet të them, personaliteti më i rëndësishëm në historinë shqiptare. Kur mendon që ky “bej” i rëndomtë shqiptar u bë mbret në një vend, i cili as mund të quhej shtet, mbi një popull, i cili origjinal, i veçantë dhe individualist si asnjë tjetër, e kishte të vështirë të njihte edhe autoritetin e vetë zotit të gjithëpushtetshëm, në një kohë kur kurorat e dinastive mijëravjeçare rrëzoheshin përtokë, që ai nga kaosi i një organizimi fisnor dhe feudal farkëtoi jo vetëm një shtet, por edhe një komb, kur i mendon pra, të gjitha këto, nuk mund të mos habitesh me këtë njeri”.

Eqerem Vlora riprodhon fjalët që Ahmet Zogu i tha atij gjatë një vizite private më 1925: “Shqiptarët janë ata që janë dhe ne duhet të harxhojmë kohë dhe energji në qoftë se duam vërtet t’i ndryshojmë ata. Ju jeni produkt i një vendi të varfër dhe i një zhvillimi të gabuar mijëvjeçar. Ata nuk mund t’i ndryshosh. Ju me siguri e dini fjalën e urtë turke që thotë: “Në Turqi ruaj kokën, në Rumani gruan dhe në Shqipëri pasurinë!”. Këtu (në Shqipëri – K.F.) lipsen siguruar sa më shpejt paratë që mund t’i humbësh shumë shpejt dhe pastaj të presësh se çfarë të sjell e ardhmja. Dhe ai kishte plotësisht të drejtë me këtë parim, të cilin e ndoqi me këmbëngulje gjatë tërë kohës së qeverisjes së tij në Shqipëri. Kur ai u detyrua të ikte nga marshimi i trupave të Musolinit (prill 1939), ai ishte beu i vetëm që largohej nga vendi me bindjen disi ngushëlluese se po merrte me vete një thesar tingëllues prej 250.000 apo 300.000 stërlina ar dhe se armiqve (fashistëve – K.F.) u kishte lënë vetëm keqardhjen që nuk u kishte rënë në dorë as vetë, as paratë e tij”. (Po aty, f. 548).

ahmet zogu
(Foto: Ahmet Zogu me familjen mbretërore)

Shkrimi u botua sot në gazetën “Shqiptarja.com” (print) 02.08.2013

Po nga Kristo Frasheri mund te lexoni dhe  
EKSKLUZIVE Fischer: Pse dështoiZogu për Shqipërinë perëndimore
 EKSKLUZIVE
/ Konica: E kam njohur Zogun, kurrë s'tha të vërtetën
DOKUMENTI SURPRIZË/ Letra e Duçes: Hasan Prishtina njeriu ynë 
Ja pse e dhuroi Ahmet Zogu Shën Naumin dhe Vermoshin
Si ndikoi marrëveshja e Zogut me Pashiçin tek kufijtë e Shqipërisë
Si u bë ministër i Brendshëm 25-vjeçari Ahmet Zogu
Kristo Frashëri: Si e manipuluan historinë biografët e Ahmet Zogut
EKSKLUZIVE/Kristo Frashëri: Ju rrëfej Ahmet Zogun e vërtetë


  Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Australia ndalon përdorimin e rrjeteve sociale deri në 16 vjeç! Parlamenti miraton nismën e kryeministrit me origjinë shqiptare Anthony Albanese

Australia ndalon përdorimin e rrjeteve sociale deri në 16 vjeç! Parlamenti miraton nismën e kryeministrit me origjinë shqiptare Anthony Albanese