TURQI - Kryeministri turk Erdogan është përpjekur, por ka dështuar që të bindte Shqipërinë të mos abstenonte por të votonte pro pranimit të Palestinës si shtet me statusin e vëzhguesit në OKB. Kështu shkruan sot gazeta turke Hurriyet.

Më herët Erdogan u tha gazetarëve se ai i kishte telefonuar personalisht liderit të një vendi që nuk e përmendi me emër, që ta mendonte votën e planifikuar si abstenim, pavarësisht një qëndrimi pozitiv të mëparshëm. Erdogan shtoi se “bota përbëhet nga shumë frikacakë”.

Shqipëria, vendi i cili raportohet se ishte në qendër të kritikave të Erdoganit, e ndryshoi votën e saj nga ‘kundër’ në abstenim, pas presioneve nga Ankaraja, por refuzoi të jepte një vote pro në Asamblenë e Përgjithshme, raporton Hurriyet.

Erdogan raportohet se i ka vazhduar presionet ndaj Kryeministrit Sali Berisha duke këmbëngulur se një abstenim donte të thoshte në fakt votim kundër.
“U thashë atyre se kjo do t’i dëmtonte marrëdhëniet bilaterale ekzistuese dhe do të na linte ne të pakënaqur gjithashtu”, tha Erdogan.


ME 29 NENTOR OKB I DHA PALESTINES STATUSIN E SHTETIT VEZHGUES
Asambleja e Përgjithshme e OKB ka votuar më 29 nëntor për të njohur Palestinën si shtet vëzhgues jo-anëtar, një lëvizje e cila u kundërshtua fuqimisht nga Izraeli dhe SHBA-ja.

Asambleja votoi 138 pro 9 kundër, dhe 41 shtete abstenuan. Shqipëria ishte nga 41 shtetet që abstenoi.

Menjëherë pas votimit, qindra palestinezë festuan në rrugët e Ramallah, në Bregun Perëndimor.Tani palestinezëve i jepet akses në Gjykatën Penale Ndërkombëtare dhe rrjedhimisht,i jepet e drejta për të denoncuar veprime të ndryshme të izraelitëve si krime lufte apo krime kundër njerëzimit.

(ep/eç/shqiptarja.com)