Enti Rregullator i Energjisë (ERE) vendosi që çmimi për energjinë që do të prodhohet nga impiantet fotovoltaikë të jetë në 100 euro/MwH, kurse për parqet eolikë 76 euro/Mwh. Kjo vlen për impiantet fotovoltaikë me kapacitet të instaluar 2 MW dhe për parqe eolike me kapacitet të instaluar 3MW.
 
ERE vlerëson se ka një seri kërkesash për investime konkrete në të dy llojet e prodhimit të energjisë si nga dielli dhe nga era, por ende nuk ka konkretizim dhe vlerësim të investimeve.
 
Gjithsesi, caktimi i çmimit bëhet në bazë të informacionit të pakët që disponohet. “Aktualisht në Shqipëri nuk ka investime të kësaj natyre të impianteve me diell (PV) apo me erë (Eolik), dhe për këtë arsye ka një mungesë të theksuar të të dhënave lidhur me planet e biznesit dhe kostot shoqëruese, me qëllim kryerjen e një analize të saktë të kostove në kushtet e vendit tonë.
 
Informacioni që disponojmë nga propozime të pakërkuara është se ka shumëllojshmëri analizash dhe kostosh, të cilat asnjëherë nuk kanë proceduar në investim konkret.
 
Në këto kushte, referencat janë të bazuara në studimet që disponohen, dhe mbi bazën e këtyre studimeve, rezulton se orët e punës së impianteve me diell, ndryshojnë nga ato me erë dhe ky faktor, përbën edhe ndryshimin në llogaritjen e çmimit për të dy impiantet"- thuhet në vendimin e ERE.
Aktualisht ky institucion është në pritje të një vendimi nga Konkurrenca.