/ATSH/- Enti Rregullator i Energjisë do të diskutojë në mbledhjen e ardhshme marrëveshjet e reja të Operatorit të Shpërndarjes me dy operatorët e tjerë, Prodhimit dhe Trasmetimit. Në një njoftim të publikuar në faqen zyrtare të ERE-s bëhet e ditur se mbledhja e Bordit të Komisionerëve do të zhvillohet të hënën. Ndër pikat kryesore të rendit të ditës janë marrëveshja "Për sigurimin e shërbimeve ndihmëse dhe të balancimit të sistemit elektroenergjitik " midis OST dhe KESH, marrëveshjes "Për shitblerjen e energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve teknike në sistemin e transmetimit", marrëveshjes së shërbimit të transmetimit të energjisë elektrike midis OST dhe OSHEE, si dhe marrëveshjes për furnizimin me energji elektrike ndërmjet shoqërisë KESH ( furnizues publik me shumicë) dhe shoqerisë OSHEE ( furnizues publik me pakicë) për vitin 2015. Në mbledhjen e ardhshme do të diskutohet edhe mbi kërkesën e shoqërisë "FATLUM"sh.p.k. për liçensim në aktivitetin e Prodhimit te Energjise Elektrike nga Hec "Perrollaj". Po ashtu në mbledhjen e ditës së hënë do të shqyrtohet edhe kërkesa e shoqërisë "ROBERTO OIL" sh.a.. për licensim në aktivitetin e Tregtimit të Energjisë Elektrike si dhe kërkesa për licensim në aktivitetin e furnizuesit të kualifikuar të energjisë elektrike.
/Shqiptarja.com








