Erik Lloshi: “Unë dhe muzika jemi një”

Erik Lloshi: “Unë dhe muzika jemi një”
Edhe pse në fillimet e karrierës së tij, këngëtari Erik Lloshi ka arritur një sukses të konsiderueshëm si dhe është bërë mjaft i dashur për publikun. Lloshi është vlerësuar me çmimin “Best Pop” në Top Fest 9, me baladën “Ajo është ajo”. E ardhur nën siglën e “Threedots Production” kënga ka arritur të jetë një ndër më të klikuarat në YouTube, si dhe të rrëmbejë zemrën e shumë dëgjueseve femra. Erik Lloshi rrëfen në një intervistë për suplemetin “THASH&THEM”, fillesat e karrierës së tij në muzikë, bashkëpunimet e ardhshme, aspiratat dhe emocionet në Top Fest. Gjithashtu djali i baladave, Erik Lloshi nuk lë pa përmendur edhe jetën e tij private ku shprehet për vajzën që i ka rrëmbyer zemrën. 

Best Pop , në Top Fest, çdo të thotë ky çmim në karrierën tuaj muzikore?
Best pop është çmimi i parë për mua. Për çdo artist është shumë e rëndësishme kur puna intensive që, është bërë për të realizuar një produksion të mirë vlerësohet, kjo do të thotë shumë për mua duke mos harruar që jam në fillimet e karrierës sime. 

“Ajo është ajo”, kush është ajo , kujt i kushtohet kjo këngë?
Kjo është një pyetje që për publikun tashmë përgjigja është e njohur.”Ajo” është e dashura ime. 

Një këngë që ka si autore Zhakun dhe është një prodhim i “Threedots Production”, si lindi ky bashkëpunim?
Kënga “Ajo është ajo” nuk është produksioni i parë që unë realizoj me “Threedots Production”, pasi bashkëpunimi me ta ka lindur nga kënga “Premtimi”. Duke njohur dhe më parë Kledi Bahitin kompozitorin e këngës, kërkova një këngë dhe nga puna e tij rezultati ishte “Premtimi” që mendoj se mori suksesin e duhur. 

Kënga ka kaluar në finale me votat e publikut, sipas jush çfarë ka të veçantë që është pëlqyer nga publiku?
Përgjigjen e kësaj pyetje besoj se më mirë e jep publiku, por mund të them që jam shumë i lumtur që u përfaqësova me këtë këngë. 

Cilat janë projektet pas Top fest?
Vera gjithmonë sjell projekte të reja dhe nga unë nuk do të mungojnë. Do jem i pranishëm në klube të ndryshme të Tiranës dhe Shqipërisë duke luajtur muzikë live me grupin tim.

Do të kemi përsëri një baladë?
Është muzika që më shoqëron gjithmonë dhe më bën të ndihem mirë, pse jo…

Ju kemi parë të këndoni edhe në duet me këngëtaren Mariza Ikonomi, në fakt do të ketë ndonjë bashkëpunim me këngëtarë të tjerë?
Realisht kam në plan për bashkëpunim, por nuk mund të them me shumë sepse nuk kam diçka konkrete. 

Si e kujtoni bashkëpunimin me Marizën?
Ishte bashkëpunimi i parë për mua, prej të cilit fillova të bëhem dhe i njohur për publikun dhe sigurisht do të mbetet gjatë në kujtesën time.

Kush e zbuloi talentin tuaj për muzikën?
Talentin tim e kanë zbuluar prindërit e mi, që kur kam qenë fare i vogël, rreth moshës 5 vjeçare. Kanë qenë mbështetja ime më e madhe në çdo hap timin dhe më kanë dhënë mbështetje dhe përkushtim të pakursyer. 

Sa e doni muzikën?
Me muzikën jam “një”. Çdo gjë më lidh vetëm me të, duke qenë se është dhe profesioni im. 

Përveç saj keni ndonjë hobi tjetër?
Më pëlqen shumë futbolli, e ushtroj shpesh por nuk mund të them që jam një lojtar i mirë. 

Dimë që jeni i lidhur, e dashura juaj është këngëtare?
Jo, profesioni i saj nuk ka lidhje me muzikën dhe artin. 

Ndiheni të lumtur bashkë?
Sigurisht që po. Nuk mund ta konceptoj një lidhje kur nuk ndihesh i lumtur me personin që ke në krahë. 

Ju kemi parë që me bandën tuaj performoni live në shumë nga lokalet e kryeqytetit. Sa ju ka ndihmuar kjo gjë për të performuar live?
Po është e vërtetë. Mendoj se performancat live të rrisin shumë profesionalisht sepse një këngëtar i mirë është ai që di të përballoj muzikën live. Për mua është si një shkollë e dytë. 

Su/ Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Paris 2024/ Mundësi Valiev fitoi medaljen historike për Shqipërinë, Rama: Një lajm që flet shumë! Komitetit ynë Olimpik ka rilindur

Paris 2024/ Mundësi Valiev fitoi medaljen historike për Shqipërinë, Rama: Një lajm që flet shumë! Komitetit ynë Olimpik ka rilindur