Deputeti socialist Erion Braçe ka ndarë një video në rrjetet sociale lidhur me rrugët e shkatërruara në kryeqytet. Duke ecur në rrugë, Braçe tregon gropat në rrugët “Margarita Tutulani”, “Ndreko Rino”, “Marko Boçari” që vështirësojnë lëvizjen e këmbësorëve dhe automjeteve.

“Në mëngjes, para se të hyjmë në zyrë; te blloku i rrugëve “Margarita Tutulani”, “Ndreko Rino”, “Marko Boçari”-përsëri! Nga shkurti e deri para një jave, gropat ishin këtu; janë edhe sot, për shkak të shiut do bëhen edhe më të mëdha! Ndaj çka rëndësi ka koha, një javë më parë ishte diell, sot shi: në shi nuk ndreqet, gropat bëhen edhe më të mëdha!”, thotë Braçe.

Deputeti shprehet në fund të videos se e ka kërkuar që në shkurt ndërhyrjen dhe nuk ka ardhur ende askush të paktën për të parë gjendjen.

“Mbi të gjitha më shqetëson fakti që në një javë kohë s’është parë mundësia as për t’i parë, jo më për t’i ndrequr. Hall i madh!”, shprehet ai.