Po ecja në bulevard, aty ku lëvizja shpesh për të takuar njerëz; u shkëputa pak nga njerëzit e mi dhe u ndala para një djali edhe më të ri se unë; i zgjata dorën dhe e pyeta, si je; Mire, ti si je, më shtrëngoi dorën dhe pyeti; Mire, i thashë, vijoj, të kam ardhur në lagje. Qeshi dhe u ndamë!
U bashkova me njerëzit e mi dhe bëra përpara në bulevard. Deputet, e di kujt i dhe dorën, më pyetën. Po, e di, ju thashë. Namiri është konkurrenti ynë, i vetmi edhe pse i ri fare, më thanë. Përse i vetmi, i pyeta. Është i ri, pa ngarkesa dhe është njeri, njeri i mirë!
Në bulevardin e Beratit, poshtë Mangalemit,
21 vite më parë.
Namir Lapardhaja është Beratas, qytetar i Beratit;
Unë e njoha kështu në të njëjtin qytet, të cilin e jetuam bashkë 17 vite rresht e ku ai ishte ashtu sic më thanë, njeri, njeri i mirë!
Kisha nisur ta lexoja në një gazetë lokale pak muaj para se ti shtrëngoja dorën; ishte kritik dhe i kthjellët për çfarë ndodhte në qytet, mënyrën si ne qeverisnim në nivel qendror e vendor. Në rreshta dukej luftarak, por në fakt ishte i qetë, paqësor, komunikues me të gjithë, kudo!
Ato zgjedhje në #Berat i fituam edhe një herë ne, por PD e tij u rikthye në pushtet. U largua nga qyteti për të vijuar studimet e larta, por ishte prezent gjithnjë, në mënyrën e tij të qetë, me përmbajtje ama, të cilën e shoqëronte gjithnjë me një buzëqeshje. Nuk binim shpesh dakord, por ishte kështu gjithnjë, debatues, argumentues, dialogues, kurrë banal. Rezatonte kulturë, krijuar nga leximi i vazhdueshëm që e shtynte edhe të komunikonte, edhe të shkruante, gjithnjë e më shumë, gjithnjë e më mirë.
U bë mësues aty në Berat, e donte atë punë!
U bë burrë, baba më pas, një familjar i denjë!
Pushteti nuk e tjetërsoi, ndryshoi, deformoi, nuk i mori asgjë nga “njeriu i mirë” që ishte, nuk i hoqi asgjë nga kritiku ndaj gjithçkaje që binte ndesh me bindjet e tij; pushteti ishte gjithnjë më pak se librat që lexonte, që shkruante, që përkthente; dija mbeti pushteti i tij, Berati dashuria e tij!
Namir!
U ndale në muajin tend të besimit, dashurisë, adhurimit, në ditën e fundit të tij dhe natën e madhe të gëzimit; Zoti të mori për vete! I tiji qofsh!
Komente







