Një kërkesë e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, shkurtin e vitit 2025, për emërimin e Ols Dados si prokuror, nuk u shqyrtua asnjëherë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë në një mbledhje të të gjithë anëtarëve, ndërkohë që u shit si vendimmarrje kolegjiale.

Në një letër kthim përgjigje më 11 mars 2025, zëvendëskryetari Erind Germenji, e nis dokumentin me fjalinë KLP, pasi shqyrtoi kërkesën tuaj, vëren se…”, por një vit më pas, gjatë shqyrtimit tashmë në Gjykatën Administrative të ligjshmërisë së Dados si prokuror u zbulua se në fakt një mbledhje të KLP për ta mbajtur këtë qëndrim nuk kishte. Gërmenji përgjigjej në emër të të të gjithë anëtarëve të tjerë, teksa edhe arsyetonte se “nuk mund të konstatohej pavlefshmëria e pretenduar për shkak se z. Ols Dado kishte kaluar me sukses procesin e rivlerësimit kalimtar”

Mbi këto argumente dhe pretendime, kryebashkiaku i Tiranës Veliaj dhe avokati i tij Ndreca i kanë dërguar këtë kërkesë për informacion të gjithë anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. 

Pyetja e Veliajt për 11 anëtarët është: "Keni qenë në dijeni të faktit se z. Gërmenji ka marrë në shqyrtim dhe ka vendosur personalisht lidhur me përfundimin e statusit të magjistratit të z. Ols Dado, për shkak të mospërmbushjes së kritereve ligjore për emërimin e tij, duke i hequr kompetencën Këshillit të Lartë të Prokurorisë për të marrë një vendim kolegjial mbi kërkesën tonë?"

Ne letër Veliaj e bën të qartë se me veprimet e tij zv. Kryetari Germenji shkel drejpërdrejt ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i cili parashikon se kompetenca për vendimmarrjen lidhur me përfundimin e statusit të magjistratit i takon Këshillit të Lartë të Prokurorisë si organ kolegjial. Kjo sipas Veliajt e kthen shkresën e tij totalisht nul.

Por nuk është kjo pasoja e vetme sipas Veliajt dhe avokatit Ndreca. Ne letrën për KLP ato thonë se nul janë edhe qëndrimet në Gjykatë Administrative nga ana e përfaqësueses së Këshillit të Lartë të Prokurorisë në këtë proces, Danja Hobdari.

Kjo pasi Hobdari është paraqitur në gjykim pa ekzistencën e një vendimmarrjeje kolegjiale të KLP-së lidhur me këtë çështje dhe vetëm bazuar në shkresën e datës 11.03.2025 të nënshkruar nga nënkryetari i KLP.

"Për rrjedhojë, edhe qëndrimet dhe argumentet e parashtruara në gjykim nga përfaqësuesja e institucionit rezultojnë të pambështetura në një mandat institucional të miratuar nga organi kolegjial kushtetues”, thuhet në letrën e dërguar më 11 maj dhe që tashmë pret sqarimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Pak ditë më parë, në një konferencë të posaçme për mediat, avokati i Veliajt, Plarent Ndreca, e quajti rastin si një përvetësim e kompetencave të KLP nga një anëtar të vetëm, duke e cilësuar një skandal në kufijtë e veprës penale.

Në seancat gjyqësore në Gjykatë Administrative, përfaqësuesja e KLP kërkoi që çështja të mbyllje me procedurë, për shkak sipas saj të mos legjitimimit të paditësit, njëjtë me qëndrimin e avokatit të vetë Ols Dados. Veliaj e ka cilësuar këtë si një ‘harmonizim institucional’ që të mos sqarohet në themel pyetja “a është Ols Dado prokuror i ligjshëm i Republikës”.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë