Erion Veliaj rikthen planin 
'Rama' për Bulevardin e Tiranës
Foto/ Veliaj: Ky ishte ky plan 'vizionar'?

Erion Veliaj rikthen planin <br />'Rama' për Bulevardin e Tiranës<br />Foto/ Veliaj: Ky ishte ky plan 'vizionar'?
TIRANË - Tirana do ta ketë bulevardin e ri, por jo sipas projektit të ish-kryetarit Basha. Erion Veliaj i sapozgjedhur në krye të bashkisë më të madhe në vend, deklaron se kryeqyteti do të ketë planin e hartuar nga ish-kryebashkiaku Edi Rama. Pas negociatash intensive në mesjavë me studion angleze që po bën projektin e zgjatimit të Bulevardit është rënë dakord që të rikthehet plani origjinal i iniciuar nga Rama kur drejtonte Tiranën.

Sipas Veliajt, ky plan përfshin një park natyral në mes të Tiranës duke sjellë gjelbërim 6 herë më shumë se i ai në parkut “Rinia”. Ky vendim është gjithashtu edhe pjesë e premtimeve të fushatës nga Veliaj. 

Me ndryshimin e projektit të ndjekur nga bashkia e shkuar, shtoi Veliaj, - dhe duke futur konceptin e parkut qendror në mes të gjithë projektit të bulevardit të ri, e gjithë zona nga Stacioni i Trenit e deri në Paskuqan do të kthehet në një zonë tërheqëse për këdo. 

“Do të sigurojë ndoshta parkun më tërheqës të quajtur Bulevardi “T”, ku bulevardi i ri i Tiranës, bashkë me zonën e lumit të Tiranës, do të jenë një ndër zonat rezidenciale dhe zonat komerciale më interesante të qytetit tonë”, tha Veliaj.

Por sipas kryetarit të Bashkisë, ky është një lajm i mirë në radhë të parë për gjithë banorët e kësaj zone të cilët nuk do të përballen me betonin që parashikonte projekti i mëparshëm dhe së dyti, pronat e tyre për shkak të këtij projekti do të marrin një vlerë shumë më të madhe.

"Është një lajm i mirë për banorët e zonës, do u shtohet një park i ri, edhe me lumin, edhe me parkun qendror të Bulevardit. Është gjithashtu një lajm i mirë për të gjithë ata që që kanë pronë, do të ketë një rritje të vlerës së pronës dhe truallit në këtë zonë, çka do të bëjë që të mirat ekonomike të Tiranës të shpërndahen jo vetëm në qendër, por edhe në zona që deri dje ishin periferike. Besoj që brenda këtij mandati, do të jetë një nga zonat  më të lakmuara të bashkisë së re të Tiranës” - theksoi kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Projekti për zgjatimin e bulevardit të Tiranës, prej kohësh ishte kthyer në mollë sherri mes bashkisë drejtuar nga Basha dhe qeverisë. Basha akuzonte kryeministrin Edi Rama se e bllokoi qëllimisht këtë projekt, ndërsa qeveria e konsideronte një projekt klientelist.

Bulevardi i ri i Tiranës do të shtrihet në zgjatimin e Bulevardit ekzistues në një zonë ende të pazhvilluar në aspektin urban. Ky bulevard do të përmbushë një sërë funksionesh duke shërbyer njëheri si zgjatim i aksit administrativ të bulevardit ekzistues, duke krijuar një seri hapësirash të rëndësishme të gjelbra në zemër të qytetit dhe duke e gjallëruar këtë zonë në të njëjtën kohë zonën me hapësira shërbimesh dhe aktivitetesh të ndryshme rekreative. Bulevardi i ri do të përfundojë në lumin e Tiranës, duke konkretizuar kështu të ashtuquajturin projekt të Parkut T.

Erion Veliaj

Veliaj e bëri publik projektin e ri ndërsa inspektoi punimet në lumin e Tiranës, punime që synojnë frenimin e përmbytjeve që përsëriten çdo dimër në këtë zonë. Ashtu si dhe herë të tjera Veliaj zgjodhi të udhëtojë me autobusin e linjës së Laprakës, për të konstatuar nga afër dhe problemet e transportit publik. 

“Kemi një lajm të mirë pas ndërprerjes që kemi pasur për çështjen e Bulevardit të ri dhe të Lumit të Tiranës. Arritëm me sukses të negociojmë me kompaninë britanike, e cila është firma e arkitekturës që ka konceptuar bulevardin e ri, për t’iu kthyer idesë origjinale, çka nënkupton një park qendror, në mes të zonës së Bulevardit të ri. Premtimi ynë publik është të shtojmë parqet dhe jo hapësirat ku ndërtohet”, tha Veliaj.
 
Gjatë vizitës së tij në Njësinë 11 në Laprakë, kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, prezantoi administratorin e kësaj njësie, Gentian Arapin.

erion veliaj

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?



×

Lajmi i fundit

Conference League/ Chelsea fiton me katër gola, tri pikë edhe për Fiorentinën! Në Gjermani gjykojnë arbitrat nga Shqipëria

Conference League/ Chelsea fiton me katër gola, tri pikë edhe për Fiorentinën! Në Gjermani gjykojnë arbitrat nga Shqipëria