TIRANE- Deputeti i Partisë Socialiste Erjon Braçe, njëherësh kreu i Komisionit të Ekonomisë i është përgjigjur “Shqiptarja.com”. Braçe thotë se “Unë nuk jam Çavez”, në përgjigje të një artikulli të botuar sot në gazetën “Shqiptarja.com” ku thuhet se formula e shtetëzimit të kompanive të naftës u zbatua në Venezuelë nga ish-Presidenti Hugo Çavez.
 
Kreu i Komisionit të Ekonomisë ka propozuar shtetëzimin e minierave të zonës së Bulqizës, si e vetmja mënyrë për të përballuar situatën e degjeneruar në luftë bandash mafioze në këtë zonë krommbajtëse.
 
Në përgjigje të këtij shkrimit të publikuar në “Shqiptarja.com”, Braçe shkruan në faqen e tij në rrjetin social “Facebook”, “Më quani si te doni; por ekonomia dhe krimi nuk mund të rrinë bashkë!!”.

JA SHKRIMI I BOTUAR SOT NË "SHQIPTARJA.COM"
Shtetëzimi i naftës u zbatua në Venezuelë
Formula e shtetëzimit të sektorëve të veçantë strategjikë aktualisht nuk përdoret në vendet ku sundon ekonomia e tregut. Një veprim i tillë u krye nga ish-presidenti i Venezuelës, Hugo Çavez, i cili fitoi armiqësinë e Shteteve të Bashkuara dhe të shumë vendeve të Amerikës Latine për politikat e tij tepër të majta, të shtetëzimit të kompanive të mëdha të naftës dhe për mbështetjen për udhëheqës të tillë si Fidel Kastro të Kubës, Mahmoud Ahmadinejad të Iranit dhe Mohamar Gadafin e Libisë.
Sipas ekspertëve, shtetëzimi nuk është metoda më e mirë për menaxhimin e burimeve natyrore. Shteti gjithnjë është pronar i nëntokës, ndërkohë që menaxhimi që i jepet privatit me koncesione ka sjellë më shumë rezultate në vende ku funksionon shteti. Kthimi prapa është pranim i dështimit të tij.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)