TIRANE- Deputeti socialist, Erion Braçe ka komentuar ditën e djeshme sjelljen e deputetëve të djathtë lidhur me ngjarjen e bllokimit të një avioni në plazhin e Divjakës dhe “ultimatumin e dhënë nga kryetari i opozitës Lulzim Basha për dorëheqjen e qeverisë. Sipas deputetit të Divjakës, “ultimatumi” i kreut demokrat po mbështetet edhe nga Presidenti i Republikës Bujar Nishani dhe kryeprokurori i vendit Adriatik Llala. Sipas tij, Nishani është bërë mbrojtës ligjor i një pushteti politik kriminal të përfaqësuar nga tutorët e tij Berisha dhe Basha.

Ky President,”- shprehet Braçe, - “duhet të mbajë përgjegjësi serioze për krimin që po nxitet nga këta të dy, mbrojtur prej tij personalisht!”. Deputeti socialist e sheh “ultimatumin” si të mbështetur edhe nga Prokurori i Republikës, i cili me mos veprimet e tij është bërë garanti ligjor i mosndëshkimit të një pushteti politik që përfaqësohet nga dyshja Berisha-Basha. Duke mos u kursyer në akuza Braçe ka akuzuar kryeprokurorin Llalla për neglizhencë dhe mos ndëshkim të pushtetit kriminal prej kohësh. “Ky Prokuror duhet të mbajë përgjegjësi serioze përse nuk hetohet për vrasjet e 21 janarit Sali Berisha e Lulezim Basha, madje në refuzim të plotë të një kushti të qartë europian e Amerikan për të ndëshkuar vrasësit.”, është shprehur deputeti Erion Braçe.

Nëpërmjet profilit të tij në “facebook” Braçe, thekson se Lulzim Basha jep ultimatume dhe kërkon të largojë nga pushteti ata që populli u besoi qeverisjen me votë, duke kërkuar të marrë një pushtet të pamerituar, pa votë dhe të bazuar mbi shpifje, shantazh, kërcënime dhe dhunë. “ Lulzim Basha ka të drejtë që bën “ultimatum”, pasi abuzoi me 230 milion euro në Rrëshen-Kalimash, u hetua, për të u ngrit akuzë, por nuk u gjykua kurrë dhe as nuk u ndëshkua. Abuzoi me 30 milionë euro të tjera në Levan-Vlorë dhe Levan-Tepelen, pasuroi serbë e shqiptarë të lidhur me të, u hetua nga KLSH-ja, u gjet përgjegjës, por nuk u hetua nga Prokuroria, për pasoje nuk u gjykua e nuk u ndëshkua kurrë.”, është shprehur Braçe. Braçe edhe në cilësinë e deputetit të Divjakës ka qenë më aktivi sa i përket deklaratave në lidhje me akuzat e opozitës për ngjarjen e 10 majit, ku në plazhin e Divjakës u bllokua një avion dhe një makinë e mbushur me drogë. Ju.Mu

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)