Duhet një qeveri e vogël; një qeveri që të funksionojë si një e tërë; një qeveri me ekspertë, apo ndryshe e re dhe për më tepër një qeveri që nuk duhet të ketë ministra që në një kohë, apo në një tjetër të jenë të përgojuar apo të përfolur për të shkuarën e tyre. Për herë të parë, nga radhët e maxhorancës së re të krijuar pas zgjedhjeve të 23 qershorit, vjen propozimi nga deputeti i zgjedhur në qarkun e Fierit, Erjon Braçe.
Është ndër të parët që ka reaguar sidomos pas debateve dhe diskutimeve të fundit mediatike, sidomos pas ideve të dhëna për përfaqësimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim me katër poste ministrore. “Një qeveri unitare – domethënë, pavarësisht se nga cila parti e koalicionit fitues vijnë ministrat, qeveria duhet të funksionojë si një e tërë, ndryshe nga qeveria aktuale ku kufijtë në përqindje të çdo partie zhbënë qeverisjen” shkruan Braçe në një status të pasdites së djeshme në rrjetin social Facebook.
Jo vetëm kaq, por Braçe propozon një qeveri të vogël që do të thotë sipas tij “shumë pak e kushtueshme nga pikpamja administrative, më e vogël se qeveria aktuale”. Në qeverisjen aktuale ka 14 ministri, por Braçe është edhe kundër mbingopjes së kabinetit të ri qeveritar me zëvendësministra, ashtu sikurse e ka bërë Berisha kabinetin aktual qeveritar.
“Duhet një qeveri funksionale, domethënë me ministri të dedikuara çështjeve prioritare dhe nevojave të shtetit-shtetasve, ndryshe nga qeveria aktuale ku kemi ministri të dedikuara individëve, të ndenjurave të tyre, dhe një armatë zv.ministrash që plotësojnë qokat e çdo partie, sado e vogël në koalicion”, propozon Braçe për kabinetin e ri qeveritar.
Për t’i dhënë fund çdo dileme se nga duhet të dalin ministrat e rinj, duket se Braçe ka një ide afërsisht të ngjashme me kryetarin e PS Edi Rama. Duket se shkon në të njëjtën linjë kur thotë se pas tetë vitesh në opozitë dhe 15 vitesh nga viti 1997, qeverisja e koalicionit të majtë duhet të ketë një fytyrë tjetër. “Në krye të vendit të jetë një gjeneratë e re drejtuesish, ekspertësh politikë e profesionale që frymëzojnë me dijen, pasionin, përkushtimin, përulësinë, punën në shërbim të shtetit dhe njerëzve”, shkruan Braçe.
Edhe për pastërtinë e qeverisë Braçe ka dhënë mendimin e tij. Kërkon që në përbërje të saj të ketë njerëz të denjë, burra e gra pa pengje në të shkuarën, shkollim dhe diploma të merituara, punë konkrete e rezultate, raport me ligjin, pa shkelje administrative apo më keq sipas Braçes “me të shkuar penale”. Ndërkaq, sipas tij, e rëndësishme është qeverisja transparente në sy të publikut.
“Për çdo vendimmarrje politike, legjislative, ekzekutive por qoftë edhe të karakterit rutinor administrativ, për çdo shpenzim të parave publike, nga shpenzimet për investimet publike – kontratat e qeverisë, deri tek shpenzimet operative shtetërore, pse jo edhe ato personale të çdo ofiqari të lartë, duhet të jenë publike” sipas Braçes.
Në fund, Braçe shkruan se do të duhet një qeveri e thjeshtë, normale, të jetë një qeveri sa më njerëzore. “Në kuptimin që ministri është i tillë brenda zyrës, në raport me ligjin, shoqërinë. Pra është një qytetar i zakonshëm, i barabartë me të gjithë, qoftë nga respekti ashtu edhe nga privilegjet” propozon Braçe.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 03.07.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)