TIRANE- Qeveria është e gatshme për të negociuar me ish-të përndjekurit politik që kanë nisur grevën. Ndryshe nga 2 vite më parë kur asnjë nga ish-përfaqësuesit e qeverisë Berisha nuk takoi asnjë nga të përndjekurit, dje Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja ka takuar mjekët që kanë qëndruar pranë grevistëve. Krahas tij, edhe Ministri i Mirqenies Sociale, Erjon Veliaj është shprehur i gatshëm për t’i takuar ish-të përndjekurit, por të kenë një përfaqësues që ka qenë i dënuar për politikë, duke akuzuar kryesuesin e tyre, Fatmir Hoxha si një ish-agjent të inteligjencës.

“Nuk kam se çfarë të diskutoj me njerëz që janë larguar nga puna me të drejtë, por me të përndjekurit po, kam se çfarë të diskutoj. Është shumë e rëndësishme që të bisedoj me një ish-të përndjekur, nuk mund të pranoj të bisedoj për ta me një ish-SHIK-s dhe një person që nuk ka bërë asnjë ditë burg. Do të vijojmë të bëjmë pagesat për ata që nuk kanë marrë asnjë këst, por qeveria nuk është çmendur që t’u rrisë taksat qytetarëve për t’i dhënë lekët një ish-SHIK-si i cili nuk ka bërë asnjë ditë burg.”-tha Veliaj.

Skema e dëmshpërblimi
Krahas Veliajt, kryeministri Rama theksoi dje skema e dëmshpërblimit të ish-të përndjekurve politik do të ndryshoi. Në fjalën e tij në aulën e Kuvendit, Rama theksoi se për 1000 ish-të përndjekur që nuk kanë marrë asnjë këst dëmshpërblimi, do të nisin procedurat që brenda verës të kanë marrë këstin e parë të parave. Ai shtoi më tej se do të dialogojnë me ta, kur grevisti Fatmir Hoxha, i cili sipas tij nuk ka qenë asnjë ditë në burg në komunizëm, të dalë nga greva.

“Me shumë keqardhje për ish-të përndjekurit që vazhdojnë të besojnë te këta, dua të them se në 4 muaj të këtij viti, janë 1000 ish-të përndjekur kanë marrë këstin që nuk e kishin marrë në 8 vite. Vetë kryetari i tyre e mori tani këstin e tij të parë, dhe brenda verës 1000 të përndjekur të fundit do të marrin e tyre të parë që nuk e morën 8 vjet me këta. Janë njerëz që kanë vuajtur në burgjet e Saliut dhe Kastriot Islamit. Nuk e mbaj dot se ju shikoj të flisni për Enverin, dhe komunistin e fundit e keni në grup, flisni për rrahje dhe personin që e latë me proteza se ja kam parë dhëmbët në dorë, e keni sot në grup.

Përpara se të bëj dialog me ish të përndjekurit duhet të dalë kryetari që nuk ka bërë asnjë ditë burg pastaj të bëjmë dialog”,- tha Rama. Kësisoj sipas kryeministrit, skema e dëmshpërblimit të ish-përndjekurve do të ndryshoi. Së pari do të niset me kategorinë që nuk ka marrë asnjë këst dëmshpërblimi. Pas kësaj, do të nis puna për dëmshpërblimin e të gjitha kategorive pasi do të jetë tejkaluar diferenca ndërmjet një kategorie që ka marrë dy këste dhe atyre që nuk kanë marrë asnjë para si dëmshpërblim për burgun apo persekutimin gjatë regjimit komunist në Shqipëri.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 30 maj 2014
(d.a/shqiptarja.com)