Kur flet për muzikën, Ermal Meta gjen gjithmonë fjalët e duhura. Kur flet për Sanremon, për koncertet apo për suksesin në Itali, duket i qetë dhe i sigurt. Por ka një moment gjatë bisedës me Alketa Vejsiun në podcastin e saj 'Inspire', kur zëri i tij ndryshon.
Është momenti kur flet për dy vajzat shqiptare që sot jetojnë me të.
“I njohëm këtu në Shqipëri tek një shtëpi që quhet Shtëpia Rozalba. Është një vend shumë i rëndësishëm sepse motër Alma, që e drejton atë vend, shpëton shumë vajza nga situata shumë të këqija. Kur shkova atje u ndjeva shumë keq nga njëra anë. Ndjeva se jeta ime kishte një privilegj shumë të madh. Edhe fakti që unë ankohesha nganjëherë me veten time për disa gjëra që nuk kishin asnjë kuptim. Kuptova që atë fat duhej ta ndaja edhe me njerëz të tjerë. Njëra prej tyre nuk donte të jetonte në Itali. Thoshte: ‘Jo, mua më pëlqen më shumë Shqipëria’. Klodi dhe Lumi erdhën tek ne. I njohëm kur ishin 15 vjeçe. Jemi frekuentuar për tre vjet, në verë, në dimër, gjatë festave. Kur mbushën 18 vjeç erdhën në Itali. Nga ai moment jetojmë bashkë" tha ai.
Meta nuk e konsideron veten hero për këtë zgjedhje. Madje nuk i pëlqen as mënyra si flitet për të.
“Unë nuk dua duartrokitje. Nuk dua as ta tregoja, të them të drejtën. Jam nga ata njerëz që mendojnë se kur bën gjëra të mira duhet t’i mbash për vete. Po njerëzit filluan të pyesnin. Kush janë këto vajza? Pse janë gjithmonë me ju? Dhe u detyrova ta tregoj.”
Pastaj vjen fjalia që shpjegon gjithçka.
“Ti nuk zgjedh që do dikë. Thjesht e do. Ta bën zemra. Mua kështu më ndodhi.”
Në fakt, gjatë gjithë intervistës me Alketa Vejsiun, duket sikur Ermal Meta kthehet vazhdimisht te fëmijët. Kur pyetet se cila është forma më e lartë e dashurisë që ka njohur ndonjëherë, nuk mendon asnjë sekondë.
“Fëmijët.”
Dhe kur flet për vajzën e tij Fortuna, emocionet bëhen edhe më të forta, sepse siç tregon ai lindja e saj nuk ishte e lehtë.
“Ajo ka lindur në një moment shumë të vështirë. Kjara pati një problem atë natë. Placenta u shkëput. Ne ishim në shtëpi. Makina ishte e mbuluar me gjak. Ka qenë një moment i tmerrshëm. E kam ngarë makinën si i çmendur. E shpëtuam për një minutë.”
Më pas kujton çastin kur e pa për herë të parë.
“Kur lindi, i thoja infermieres: ‘Kjo është vajza ime?’. Sikur nuk e besoja. Kisha kitarën me vete dhe i këndoja. Aty kuptova se çfarë është dashuria. Nuk ekziston gjë më e fortë se ajo.”
Por rrëfimi i Ermal Metës nuk është vetëm histori suksesi. Përkundrazi. Është historia e një djali që për shumë vite nuk e ka parë veten si fitues.
“Ka qenë një fëmijëri me frikë, po pa frikë. Me uri, po pa uri. E shpejtë, por edhe shumë e ngadaltë. Kur unë nuk doja të ikja nga këtu, sepse vetëm këtë vend njihja. Nuk njihja një vend tjetër. Vetëm Fierin dhe Vlorën. Nuk doja të ikja sepse nuk dija ku po shkoja. Do mësoja një gjuhë tjetër. Do lija gjithë shokët që kisha këtu. Po u detyrova.”
Kur largohet në Itali ishte vetëm 13 vjeç. Dhe si shumë emigrantë shqiptarë të asaj kohe, përfundoi mes dy botëve.
“Kur u ktheva pas një viti isha shumë italian këtu dhe vazhdoja të isha shumë shqiptar atje.”
Megjithatë, Shqipëria nuk është larguar kurrë prej tij, jo vetëm si kujtim, por edhe si burim frymëzimi.
“Shqipëria më ka dhënë një pus shumë të thellë, nga i cili rrjedhin gjithmonë ndjenja, mendime, frymëzim. Nuk e di çfarë ka aty brenda. Nganjëherë dalin edhe gjëra që më godasin, që më vrasin, por nuk dua ta mbyll. Po e mbylla atë pus, shterroj edhe vetë.” thotë ai
Në një moment të intervistës, Alketa Vejsiu i thotë se nuk do të donte që asnjë fëmijë të provonte urinë. Meta e sheh ndryshe.
“Urinë e kam ndjerë. Po ajo uri nuk është gjë e keqe. Ajo uri pastaj transferohet nga stomaku te sytë. Edhe kur ngelet te sytë, pastaj ti je në gjendje të arrish çdo gjë. Uria i duhet njeriut.”
Më pas shton:
“Po të kthehesha mbrapa do t’i bëja të gjitha. Nuk them se më ka munguar ndonjë gjë. Nuk kam pasur kurrë ndonjë gjë të madhe. Kam ndjekur gjithmonë ëndrrat e mia përmes artit.”
Sot duket e lehtë të flitet për Ermal Metën si artist i suksesshëm. Fitues i Sanremos. Autor këngësh për emrat më të mëdhenj të muzikës italiane. Një nga artistët më të njohur në Itali.
Por ai e kujton vazhdimisht se rruga ka qenë shumë më e gjatë sesa duket.
“Nuk kam qenë ndonjëherë ndonjë talent kush e di se çfarë. Kam pasur një vullnet të tmerrshëm. Talenti mund edhe të të dëmtojë në qoftë se nuk punon. Ka gjithmonë një person më të talentuar se ti. Diferencën e bën sa punon. Sa kallo ke nëpër duar. Edhe unë duart i kam plot me kallo.”
Në moshën 16-17 vjeç punonte në restorante. Kur kthehej në shtëpi, nuk flinte.
“Kthehesha nga puna. Nga ora 11 e natës deri në 7 të mëngjesit ushtrohesha në piano dhe kitarë. Çdo natë. E dija që kishte gjithmonë dikë më të talentuar se unë.”
Dhe kur njerëzit i thoshin se ishte e pamundur të bëhej muzikant në Itali, ai vazhdonte.
“Kam pasur shumë arsye për t’u dorëzuar dhe shumë pak arsye për të vazhduar. Kam zgjedhur të dëgjoj ato pak arsye.”
Në fund të bisedës, Alketa Vejsiu e pyet se çfarë e mban gjallë sot. Jo artistin. Njeriun. Përgjigjja e tij vjen menjëherë.
“Familja.”
Ndoshta sepse pas gjithë këtyre viteve, pas Sanremos, pas skenave të mëdha, pas mijëra kilometrave larg Shqipërisë, Ermal Meta duket se ka kuptuar diçka shumë të thjeshtë. Suksesi është i bukur por njerëzit që ke pranë janë arsyeja pse ia vlen.
Komente









Bravo Ermal,për çfarë ke bërë dhe çfarë flet Ë.Rrofshë dhe ugëzofshë dhe më shumë nga jeta në familjen tuaj.
Përgjigju