‘Nesër e përgjithmonë’, Ermal Meta në Tiranë si shkrimtar: Ndieja thirrjen e gjakut, por druhesha! Ky libër shënon kthimin tim të vërtetë në shtëpi

Kantautor, poliinstrumentist, në sallën Tonin Harapi, mbrëmjen e së mërkurës ai erdhi në petkat e shkrimtarit... Romani “Nesër e përgjithmonë”, i shkruar e botuar fillimisht në gjuhën italiane, i prezantohet publikut shqiptar. Përmes një bisede me drejtorin e Institutit Italian të Kulturës, artisti Ermal Meta, zbulon rëndësinë e veçantë që pati ky libër për të...

“Unë besoj se ky libër shënon me të vërtetë kthimin tim në shtëpi”, u shpreh artisti Ermal Meta.

Një roman që siç rrëfen Meta, e ka ndihmuar të njohë e të pranojë njeriun prej nga vjen, edhe përmes studimit e mishërimit në të të historisë së Shqipërisë.

“Këtu këngët e mia kishin mbërritur, por në gjuhën italiane. Ka diçka që mua më bënte të ndihesha në faj... është fakti se në koncertet që bëja këtu, ndonjëherë mes një këngë tek tjetra flisja në italisht, dhe kjo më bënte të ndihesha keq, sepse ndonjëherë bllokohem kur flas në shqip, pavarësisht se e flas me nënë time, me gjyshen, në familje, por çdo gjë tjetër e kam bërë në gjuhën italiane... Dhe me këtë libër më duket se për herë të parë arrij të flas shqip...”, shprehet më tej Meta.

Nuk është e lehtë e as e detyrueshme rrëfen shkrimtari që në emigracion të ngresh flamurin e krenarisë, për të treguar se nga vjen, por nëse e bën, ndihesh i lehtësuar.

“Kam kaluar shumë vite pa u kthyer... ndoshta 17, dhe sa herë që mendoja për vendin tim, ndieja dhe thirrjen e gjakut... Ndieja një thirrje të fortë, që më shkaktonte efektin e kundërt, një lloj frike. Aq sa në një farë pike nuk mund të prisja më për ta bërë këtë hap. Dhe e bëra! E bëra duke kuptuar se kisha humbur shumë, por që nuk ishte vonë për të rikuperuar”, tha këngëtari.

Ndonëse libri e shtrin rrëfimin nga viti 1943 deri në prag të rënies së diktaturës, efektet e një serie ngjarjesh që ndodhin në të, nga Lufta, tek krimet komuniste ndihmojnë siç thotë Meta për të kuptuar më mirë atë që ndodh sot. Nga personazhi misterioz Korneilus, i ardhur nga radhët kundërshtare, tek brengat a zhgënjimet deri edhe nga vetë familjarët, ai thotë, se në jetë nuk ka personazhe tërësisht të mirë, a të këqinj.

“Tu hapësh njerëzve një derë, do të thotë që ti japësh edhe vetes një mundësi. Kur hap një der jo vetëm del diçka, por është edhe mundësia që diçka të hyjë përmes saj... Ka një shkëmbim... Dhe kur e përkufizojmë dikë si armik, duhet të kuptojmë se kemi përballë një njeri. Një njeri që nuk mund ta gjykojmë vetëm për veprimet që kryen por edhe për rrethanat që e kanë shtyrë të sillet në atë mënyrë... Jo sjell që të mos ketë vetëm mëri, por edhe mirëkuptim. E ku ka mirëkuptim, do të thotë që i jep dhe tjetrit mundësinë për të mos qenë agresiv, por të jetë më i zbutur”, rrëfeu Meta.

Libri i Ermal Metës, u përshëndet mbrëmjen e djeshme edhe nga ambasadori italian Fabrizio Buçi dhe kreu i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj,  i cili gjatë fjalës së tij theksoi koiçidencën e bukur, se protagonisti ka emrin Kajan, sikundër djali i tij. 

“Kam zbuluar që ky libër është shumë i bukur, nga vetë rrëfimi i Ermalit. Vitin e kaluar ne së bashku u munduam të ndihmonim disa familje, ai u përkushtua personalisht që tu gjendej pranë disa prej tyre, dhe duke u kthyer nga veriu në Tiranë, ma rrëfeu  këtë histori kaq të bukur thuajse faqe për faqe”, tha ambasadori i Italisë, Fabrizio Buçi.

“Libri është si një organ që jeton dhe sot ka filluar  të jetojë... I uroj që të shkojë në sa më shumë dyer, në sa më shumë zemra, se kemi shumë nevojë për diçka të tillë. Shumë faleminderit që je këty”, u shpreh kreu i bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.

Sikundër edhe në romanin e përkthyer në një shqipe të ngrohtë e të pasur nga Agim Doksani, artisti nuk e humb romantizmin. Me kërkesën e pjesëmarrësve në sallën e tejmbushur, artisti u dhuroi atyre të pranishmëve disa momente muzikore... Por sicc rrëfeu, s'do të jenë kolonat e tij muzikore që do të përdoren në momentin që libri do të ekranizohet. 

Ndërsa në fund të mbrëmjes radha për autografe, ku të pranishëm ishin edhe të afërm të artistit, ishte e gjatë...

Ermal Meta do të jetë gjatë mbrëmjes së sotme në Teatrin Bylis për promovimin e librit, ndërsa nesër në Qendrën Rinore "Arka" në Shkodër. 

 

K.T.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja