Ermonela Jaho është nderuar me urdhrin “Kalorëse e Artit dhe e Letrave” në Francë, i cili është një vlerësim i qeverisë për kontributorët e artit dhe letërsisë. Për sopranon shqiptare, është një konfirmim i gjurmës që ajo po lë në artin botëror.
Në një reagim në rrjetet sociale, ku ka reaguar plot përulësi e mirënjohje, Jaho falënderon këdo që i ka ndenjur pranë në rrugëtimin e saj. Fjalë të veçanta i kushton Francës, vend që e ka pranuar “me bujari” zërin dhe zemrën e saj.
“Marrja sot e titullit “Chevalier des Arts et des Lettres” është për mua një emocion i jashtëzakonshëm dhe një nder thellësisht i dashur për zemrën time, pasi Franca përfaqëson për mua dashurinë për artin, kulturën dhe të vërtetën njerëzore. Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time më të sinqertë për të gjithë njerëzit që kanë shoqëruar rrugëtimin tim, dhe veçanërisht për Dominique Riber, agjentin tim besnik prej kaq shumë vitesh, për besimin dhe mbështetjen e tij të vazhdueshme, si dhe për Jean-Philippe Thieally, pasioni i vërtetë i të cilit për operën dhe përkushtimi i tij bujar e bënë të mundur këtë moment kaq të çmuar. Nuk mund të imagjinoja një vend më të përshtatshëm për këtë ceremoni sesa e rrethuar nga miq të sinqertë, dashamirës të artit dhe një publik që i ka dhënë kuptim të gjitha sakrificave të jetës së një artisti. E pranoj këtë vlerësim me përulësi, mirënjohje dhe emocion të thellë. Faleminderit Francë që e ke pranuar zërin dhe zemrën time me kaq bujari. Shprehim mirënjohjen tonë të sinqertë për Ambasadorin e Shqipërisë, z. Dritan Tola, për koktejin e organizuar me këtë rast”, shkruan Ermonela Jaho.
Ermonela Jaho është një nga sopranot më të njohura në botën e operës bashkëkohore, e vlerësuar veçanërisht për interpretimin emocional dhe intensitetin dramatik në role tragjike të repertorit italian dhe francez. Një nga rolet që e ka identifikuar më fort në skenën ndërkombëtare është ai i Violetës në operën “Traviata” të Verdit. Po aq i rëndësishëm është roli i Madama Butterfly në operën e Puçinit. Jaho është vlerësuar gjerësisht për mënyrën se si e shndërron këtë karakter në një figurë jashtëzakonisht njerëzore dhe të brishtë, duke e bërë një nga interpretimet më të kërkuara në teatrot kryesore të botës.
Ndër role të tjera të spikatura përfshihen edhe: Mimi në La Bohème (Puçini), Suor Angelica etj. Sopranoja shqiptare e ka ndërtuar karrierën e saj në disa prej teatrove më prestigjioze të botës, përfshirë Royal Opera House Covent Garden, Opéra National de Paris, Teatro alla Scala në Milano dhe Metropolitan Opera në Nju Jork.
Komente







Kjo është një krenari kombëtare....
PërgjigjuE mrekullueshmja Ermonela, nje te lumte te madhe!
PërgjigjuErmonela shembull per tu marre pozitiv ! Nder i kombit artiste e madhe ! Te lumte !!
Përgjigju