DURRËS - Në qytetin bregdetar të Durrësit është duke u zhvilluar Kampionati Ballkanik i Peshëngritjes. Pasi Briken Calja theu tre rekorde ballkanike pas 25 vitesh dhe siguroi tre medalje të arta, një gjë të tillë bëri dhe Ertjan Kofsha.

Tripletë medaljesh ari dhe rekordesh nga Kofsha në kategorinë e peshave 94 kilogramë, kategori me 3 pjesëmarrës gjithsej në garë. Kofsha e mbylli shkëputjen me 165 kilogramë, shtytjen me 193 kilogramë dhe dygarëshin me 358 kilogramë. Me këto rezultate, Ertjan Kofsha vendosi dhe rekordet e reja ballkanike.

Sportistët e tjerë kuqezi

Dje në Kampionatin Ballkanik, Gea Dokollari zuri tre vende të dyta në peshat 69 kilogramë për vajza, por duhet theksuar se në garë ishin pjesëmarrëse vetëm 2 shtangiste.

Maida Lozi regjistroi vend të katërt në shkëputje, vend të tretë në shtytje dhe vend të tretë në dygarësh në peshat 77 kilogramë, kategori ku konkurruan 5 vajza.

Tripletë vendesh të dytë për Arjeta Radën e Teutës në peshat +86 kilogramë, kategori ku garuan vetëm dy vajza. Ermand Tabaku u rendit në vendin e dytë në shkëputje si dhe në vendin e tretë dhe në dygarësh në peshat 110 kilogramë.