Ervin Gjadri: Kolegji Saverian i Shkodrës, shkollë elitare me të njëjtin nivel si kudo në Evropë

Ervin Gjadri: Kolegji Saverian i Shkodrës, shkollë elitare me të njëjtin nivel si kudo në Evropë

Nxënësit e dalë nga bankat e këtij  kolegji mund të vazhdonin lirisht studimet në çdo Universitet nga më të mirët e Evropës.

Kolegji Saverian i etënve Jezuitë hapi dyert në 17 Tetor të vitit 1887, mori këtë emër  në nder të Shën Francesk Saverit (Francesco Saverio) misionarit të shquar Jesuit. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, në ceremoninë inauguruese (17 tetor, 1887) të kolegjit, qenë të pranishëm arqipeshkvi Pooten dhe Atë Zef Lombardini. Duhet nënvizuar që në fillim fakti, se për hapjen e kolegjit Saverjan kontribuan financiarisht disa nga familjet më të njohura të Shkodrës, të njohura mbi të gjitha për ndjenjat atdhetare dhe patriotike, siç ishin familjet Sima, Muzhani, Saraçi, Shiroka si edhe At Luigi Maca që ishte dhe  drejtori i parë i kolegjit. Gjithashtu duhet theksuar se hapja e kolegjit Saverian ishte një pikë kulmore e aktivitetit të urdhërit Jezuit në Shqipëri, duke qenë se  interesi i Jezuitëve për kulturën Shqiptare kishte filluar më herët , në kohën e papa Klementit XI (Giovanni Francesco Albani). Veprimtaria e Jezuitëve para hapjes së kolegjit Saverian në Shqipëri konsistonte në veprimtari të dendura fetare, arsimore, kulturore e shoqërore, të panjohura më parë. Gjithashtu vepër e Jezuitëve, ishte  krijimi i shtypshkronjës së parë, krijimi i bandës së parë  muzikore, i shoqërive patriotike kulturore e sportive, hapja e muzeut botanik, etnografik etj.

Duhet theksuar se shkolla në fillim  pati drejtim tregtar  por, shumë shpejt mori karakterin e një kolegji klasik. Në vitet e para regjistrimi në shkollë ishte kundrejt pagesës, por me fillimin e financimit të këtij kolegji nga  Perandoria Austro-Hungareze në vitin 1898 pagesa u hoq, kjo praktikë vazhdoi edhe pas luftës së parë, që shënoi edhe mbarimin e Austro-Hungarisë. Prej vitit 1919 ishte Italia që vazhdoi financimin e shkollës. Është e rëndësishme të nënvizohet se për t’u pranuar në shkollë duhej ti nënshtroheshe testeve teper rigoroze. Dyert e kolegjit ishin të hapura për nxënësit e të gjitha besimeve fetare, si  dhe krahinave të Shqipërisë nga jugu  në veri. Si në të gjithë kolegjet fetare Jezuite në institucion kishte disiplinë tepër të lartë, tregues i këtij fakti ishte rregullorja tepër e rreptë e  kolegjit, mësimet kryheshin me seriozitetin më të lartë, arsim i përgjithshëm  i plotë i rregullt, i bazuar në programe arsimore të zgjedhura e bashkëkohore. Në shkollë, merreshin  njohuri nga të gjitha shkencat, natyrore e shoqërore, me metoda të përparuara dhe efikase, si edhe etike e norma sjelljeje thellësisht në frymën Europiane. Procesin mësimor e ndihmonin shumë dhe ambientet shkollore, si kabinetet tepër moderne për kohën të Kimisë e Fizikës e sidomos biblioteka shumë e pasur e Jezuitëve me mbi 30.000 vëllime librash nga të gjitha fushat e dijes e shkencës.

Pjestarët e stafit pedagogjik, ishin të nivelit tepër të lartë të krahasueshëm për nga përgatitja me kolegët e tyre në shkollat e mesme më të mira të Evropës , ne të shumtën e rasteve autorë tekstesh apo veprash me karakter shkencor, letrar, gjuhësor, historik, filozofik etj. Mes tyre, përmendim: At Jak Jungun, At Anton Xanonin, At Fulvio Kordinjanin, Imzot Bonatin, Filip Ashikun, Gaspër Benusin, Pjetër Marubin, Kolë Demën, Dom Ndre Mjedën, Mati Logorecin, At Mark Harapin etj.

Stema e Kolegjit ku  në ballë është shqipja dykrenore, ndërsa sipër shkruhet: ‘Për Zot, Për Atme e Përparim” shpreh më së miri misionin dhe qëllimin e tij. Këtë stemë e kam postuar së bashku me 2 fotografi të tjera të publikuara në rastin e festimit të 50 vjetorit të krijimit të Kolegjit.

Faik Konica, Luigj Gurakuqi Ernest Koliqi, Dom Ndre Mjeda, Imzot Lazër Mjeda, Dom Lazër Shantoja, Imzot Luigj Bumçi, Martin Camaj, Doktor Frederik Shiroka, nuk po vazhdoj më tutje me emra pasi do të ishte një mision i pamundur të përmendesh personalitetet e të gjitha fushave dalë nga bankat e këtij kolegji të cilët me nivelin e lartë shkencor e profesional, por mbi të gjitha me idealizmin dhe ndershmërinë e tyre dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm për Shqipërinë. Kolegji Saverian ishte një kolegj elitar i të njëjtit nivel me shkollat më të mira të mesme të Europës. Nxënësit e dalë nga bankat e këtij  kolegji mund të vazhdonin lirisht studimet në çdo Universitet nga më të mirët e Europës.

Faik Konica shkruante: “Me këto e të tjera, Kolegji Saverian mbahet në një shkallë të lartë dhe të gjithë ata që kanë parë shkollat e Francës e të Evropës munden të dëshmojnë se ajo e Shkodrës është e zonja për shumë punë, të vihet në një me to”.

Ndërsa Ernest Koliqi shkruante se: “Kolegji i Etërve Jezuitë është një copë tokë oksidentale e shkëputun dhe e vendosun në tokën Shqiptare”. Ekzistenca e një kolegji  te këtij niveli në Shqipëri në ato vite është një tregues i rëndësishëm dhe dëshmi tjetër e qytetarisë dhe patriotizmit të Shkodranëve,  ndërsa për  qytetin e Shkodrës si një nga qendrat më të rëndësishme të dijes dhe kulturës Shqiptare. Ish-kolegji Saverian, sot është shndërruar në gjimnaz dhe mban emrin e At Pjetër Meshkallës.

 

M.Q.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Krijohet dhe 'Djathtas', a do i mbështesni partitë e reja në 2025?



×

Lajmi i fundit

Zyrtari i lartë i Partisë Komuniste të Kinës e viziton Serbinë

Zyrtari i lartë i Partisë Komuniste të Kinës e viziton Serbinë