I shtrirë në shtrat duke pirë një cigare i relaksuar, teksa fliste me një shok në telefon me fjalët më të pahijshme në shqip dhe anglisht për Britaninë e madhe dhe policinë e saj, është shfaqur Aleks Vishaj gjatë një live në rrjetet e tij sociale.

I riu shqiptar i cili edhe pas dëbimit nga Britania ndodhet sërish atje, nuk ka lënë pa përmendur edhe pasionin e tij të “sëmurë” për pokerin.

Kujtojmë që në mars të vitit që lamë pas, me guximin që e karakterizon, 32-vjeçari regjistroi veten në një celular të cilin e mbante të fshehtë në qelinë e tij gjatë qëndrimit të tij në qelinë e burgut Wandsworth në Londër.

Kjo video e të riut shqiptar, ishte hera e fundit që Britania ka “dëgjuar” prej tij, siç edhe ka shkruar “Daily Mail”.

Mediat kanë raportuar se Vishaj është rikthyer në Britani duke tallur dhe ironizuar sistemin britanik të dëbimit që qeveria kishte premtuar se do të forconte.

Vitin e kaluar, Ministrja e Brendshme Priti Patel firmosi një marrëveshje me qeverinë shqiptare ku i kërkoi të merrte kriminelin, i cili nuk ka asnjë të drejtë qëndrimi në Mbretërinë e Bashkuar.

Mediat britanike e kanë cilësuar kthimin e Vishajt në Britani, si një simbol grotesk të një sistemi që po abuzohet në mënyrë tronditëse.

Natën e vitit të ri, ai postoi një video të çuditshme ku shihet i veshur me kostumin kombëtar të Shqipërisë dhe duke festuar në një bar të Londrës me shqiptarët e tjerë teksa këndonte me zë të lartë në gjuhën shqiptare.

Kthimi i tij ilegal në Britani u bë i ditur nga autoritetet e sigurisë atje si dhe ato shqiptare. Mendohet se Aleks Vishaj zotëron një pasaportë false që e përdor për të udhëtuar me avion ose traget.

Sipas mediave britanike, ky nuk është shqiptari i parë i cili qëndron në Britaninë e Madhe, pasi është dënuar dhe dëbuar nga vendi. Një tjetër shqiptar është  Dorian Puka, i cili është rikthyer pavarësisht dy dënimeve në Londër për vjedhje, dhe pasi është riatdhesuar dy herë nga Ministria e Brendshme.