Gjatë një takimi joformal në Bruksel, më 22 janar, kryeministri i Sllovakisë Robert Fico thuhet se u ka treguar liderëve të Bashkimit Europian se kishte mbetur “i shokuar” nga një takim ballë për ballë me presidentin Donald Trump.

Sipas pesë diplomatëve europianë që folën për Politico Europe, Fico ka shprehur shqetësim për gjendjen psikologjike të Trump, duke përdorur fjalën “e rrezikshme” për të përshkruar sjelljen e presidentit.

Takimi mes Ficos dhe Trump u zhvillua më 17 janar në rezidencën private të Trump, Mar-a-Lago, në Florida. Vetëm pak ditë më vonë, Fico besohet t’i ketë ndarë këto përshtypje me homologët e tij europianë, në një moment kur BE po diskutonte marrëdhëniet me SHBA-në, pas deklaratave të Trump për Groenlandën.

Deklaratat e atribuara Ficos kanë peshë të veçantë, pasi ai konsiderohet një nga liderët europianë më pranë Trump, duke e mbështetur shpesh kritikën e tij ndaj Bashkimit Europian.

Por pas publikimit të lajmit, Fico reagoi ashpër.

Në një postim në rrjetin X, ai i quajti raportimet “gënjeshtra” dhe mohoi se kishte bërë komente të tilla për Trump. Sipas tij, askush nuk ka dëgjuar apo parë diçka të tillë dhe nuk ka asnjë dëshmi për ato që janë shkruar.

Fico tha se ndan disa qëndrime me Trump dhe jo të gjitha, por këmbënguli se takimi në Mar-a-Lago ishte pozitiv dhe se e vlerëson faktin që ishte pritur nga presidenti amerikan.

Shtëpia e Bardhë reagoi duke hedhur poshtë raportimin. Zëdhënësja Anna Kelly tha se lajmi është “krejtësisht i rremë” dhe se takimi mes Trump dhe Ficos ka qenë “pozitiv dhe produktiv”.