Eshtrat e Rilindasit Mit'hat Frashëri do kthehen në atdhe, Qeveria merr vendimin

Eshtrat e Rilindasit Mit'hat Frashëri do kthehen në atdhe, Qeveria merr vendimin

Mit'hat Frashëri

Eshtrat e Rilindasit, shkrimtarit dhe veprimtarit të Pavarësisë, Mit'hat Frashëri do kthehen në Shqipëri. Ky ka qenë vendimi i Këshillit të Ministrave i marrë në mbledhjen e sotme. Sipas vendimit të Qeverisë, ngarkohen Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, nëpërmjet misionit diplomatik të Republikës së Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të organizojnë procedurat e nevojshme ndërshtetërore për të sjellë në atdhe eshtrat e personalitetit.

Ceremonia shtetërore e kthimit në atdhe të eshtrave do të organizohet gjatë javës përkujtimore të 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit, 14-22 nëntor 2018, e cila përkon me një nga kremtimet madhore të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. 

Mit'hat Frashëri lindi në Janinë në vitin 1880. Aktualisht eshtrat e tij prehen në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës aty ku ai ndërroi jetë në vitin 1949.

Vendimi i Qeverisë: 

V E N D I M

PËR

KTHIMIN NË ATDHE TË ESHTRAVE TË PERSONALITETIT TË SHQUAR TË LETRAVE SHQIPE DHE TË KULTURËS MBARËKOMBËTARE MID’HAT FRASHËRI

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Kthimin në atdhe të eshtrave të personalitetit të shquar të letrave shqipe dhe të kulturës mbarëkombëtare Mid’hat Frashëri.

2. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, nëpërmjet misionit diplomatik të Republikës së Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të organizojë procedurat e nevojshme ndërshtetërore për të sjellë në atdhe eshtrat e personalitetit Mid’hat Frashëri.

3. Ceremonia shtetërore e kthimit në atdhe të eshtrave do të organizohet gjatë javës përkujtimore të 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit, 14-22 nëntor 2018, e cila përkon me një nga kremtimet madhore të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.

4. Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, në buxhetin e miratuar për vitin 2018, në programin 01120 “Mbështetje diplomatike jashtë shtetit”, t’i shtohet fondi prej 3 239 400 (tre milionë e dyqind e tridhjetë e nëntë mijë e katërqind) lekësh, për organizimin e procedurave të nevojshme ndërshtetërore për të sjellë në atdhe eshtrat e personalitetit të shquar të letrave shqipe dhe të kulturës mbarëkombëtare Mid’hat Frashëri, me qëllim zhvillimin e ceremonisë shtetërore gjatë periudhës 14-22 nëntor 2018.

5. Fondi prej 3 239 400 (tre milionë e dyqind e tridhjetë e nëntë mijë e katërqind)) lekësh të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.

6. Ngarkohen Ministria e Kulturës, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA


Lajmi kryesor:

Marrëveshja me Greqinë/ Qeveria shqiptare merr vendimin për njohjen e patentave


  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë