TIRANË- Nga Italia sillet të kryejë dënimin në Shqipëri. Edmir Murat Biçaku, vjeç 39, nga Lushnja është ekstraduar sot pasdite nga Roma në Tiranë nga Zyra Qendrore Kombëtare "Interpol Tirana".

Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Lushnjës, e ka dënuar më 20 Prill 2007 këtë shtetas me 7 vjet e 6 muaj burg, për veprën penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese në bashkëpunim“.

Gjatë një kontrolli të ushtruar nga policia, më datë 6 Qershor 2000, në banesën e shtetasit Edmir Biçaku, janë gjetur shtetaset S.R. dhe A.M., të cilat kanë deklaruar se kanë hyrë ilegalisht në Shqipëri, pasi i kishte blerë shtetasi Edmir Biçaku, me synim që t’i dërgonte në Itali për prostitucion.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Romën, shtetasi Edmir Biçaku, është arrestuar me qëllime ekstradimi drejt vendit tonë më datë 13 Maj 2010 në Bolzano, Itali.

Në aeroportin “Nënë Tereza“, në Rinas ky shtetas iu dorëzua përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
 
Redaksia Online
(b.g/shqiptarja.com)