TALLIN, 23 shkurt /ATSH-AFP/ - Kreu i diplomacisë britanike, Philip Hammond dënoi sot Rusinë për cinizmin e saj duke shprehur keqardhje për mosrespektimin e armëpushimit të arritur në Minsk.
"Pas përvojës së ditëve të fundit, angazhimi i Rusisë në procesin e Minskut është mjaf cinik", theksoi ministri britanik i Punëve të Jashtme, Philip Hammond në një vizitë zyrtare në Tallin.
"Kjo duket si një marrëveshje në letër që është shkelur menjëherë në terren", shtoi ai.
Pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit të arritur më 12 shkurt në kryeqytetin bjellorus, rebelët prorusë iu kanë marrë forcave ukrainase qytetin strategjik të Debaltseves dhe kanë përqendruar forcat pranë portit të Mariupolit.
"Britania ushqen një shkallë të lartë skepticizmi kur bëhet fjalë për angazhimin e Rusisë në mbështeje të një paqeje autentike në Ukrainë, përveç kushteve të diktuara në mënyrë të njëanshme nga Kremlini", shtoi Hammond.
Javën e kaluar sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i kërkoi Rusisë të tërhiqte të gjitha forcat, për të cilat është akuzuar se i ka vendosur në lindje të Ukrainës dhe të ndërpresë mbështetjen për sepratistët prorusë, ndërkohë që armëpushimi i arritur në Minsk duket drejt degradimit./
/ec/