Më 17 prill, në një konferencë që zgjati plot një orë, kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, foli gjerë e gjatë duke cekur edhe temën e trukimeve dhe tolerimeve në futbollin shqiptar.

Sipas Dukës, fenomeni i trukimeve për arsyen e basteve në futbollin shqiptar është zhdukur, por kreu i FSHF-së pranon se tolerime ka 'në ndonjë ndeshje për arsye klasifikimi'.

"Ka kohë fatmirësisht që në Shqipëri ky fenomen pothuajse nuk ekziston. Le të themi trukimi për arsye bastesh. Nëse ka tolerime në një ndeshje për arsye klasifikimi, apo jo, mendoj që vazhdon të ketë. Shumë më pak se më parë, ka pasur për sa kohë ka ekzistuar futbolli.

E kam thënë disa herë, sipas mendimit tim, se nuk ka shqiptar që ta mendoj 'po shiko, ty nuk të duhet, pse nuk më lë mua?'. Kjo është një lojë dhe duhet të luajmë, kush fiton, fiton. Besoj këtë mentalitet kemi. Në bazë të këtij mentaliteti janë skemat që ne bëjmë për të pasur një kampionat. Skema e Superligës është bërë për t'i lënë sa më pak mundësi për të lënë ndeshjen.

Këtu, në momentin që nuk të duhet klasifikimi, nuk ka ndonjë personazh politik, administrativ që nuk thotë: 'ty s'të duhet, pse nuk ma lë (ndeshjen)'.

Fenomeni i trukimit për baste në Shqipëri është zhdukur me kohë. Nuk ekziston", tha Duka në konferencën për mediet që zgjati 60 minuta, sa i takon temës së trukimeve dhe tolerimeve.

Dje u zhvillua i plotë dhe në një orar raundi i 34-t i elitës së futbollit në vend, me tifozët që 'shpërthyen' në kanalet e komunikimit për estradën e disa skuadrave në fushë.

Dy ndeshje ishin më të prekura nga tolerimet. Në Vorë, vendasve që u duhej fitorja e morën një të tillë 4-2 kundër AF Elbasanit kryesues. Veç tri pikëve, vorakëve u duhej edhe golaverazhi për shkak të të njëjtës kuotë pikësh në fundin e klasifikimit.

Një ditë para ndeshjes, në kompanitë ndërkombëtare të basteve bëri habi kuotimi me koeficientin 1.48 për fitoren e Vorës, paçka formës së AF Elbasanit dhe vendit të parë. Këto janë vetëm indicie, por nëse ky nuk ka qenë një trukim i mirëfilltë, është më shumë se një tolerim që prish garën.

Edhe Flamurtari e kishte 'të sigurt' fitoren kundër Partizanit në kryeqytet, teksa ishte kuotuar me koeficientin 1.45 një ditë para. Në fushë rezultati doli, madje vlonjatët shënuan 4 gola, gjë që nuk e kishin bërë më herët këtë sezon. Veç pikëve, për shkak të ngjeshjes së renditjes, mbijetesa mund të vendoset edhe në bazë të golaverazhit, ndaj 'portat janë të hapura' dhe në dy raundet e fundit (i radhës në mesjavë) na presin çudira.