Pas rënies që LSI pësoi në zgjedhjet e 25 prillit ka reaguar për herë kandidatja për deputete Kejdi Mehmetaj, e cila është nën ethet e prë të marrë ose jo një mandat, pasi kjo varet nga zgjedhja e Monika Kryemadhit nëse vendos të mbajë mandatin e fituar në Tiranë apo atë në Fier.

Përmes një statusi në rrjetet sociale, Mehmetaj, duket se ka vendosur të mos e njohë rezultatin e zgjedhjeve, pasi ajo po përdor termin e përmendur edhe nga kryedemokrati Lulzim Basha “masakër zgjedhore” për të thënë se “Edi Rama sipas saj nuk i fitoi zgjedhjet”.

Njeheresh nenkryetarja e LSI është shprehur kundër xhaketave të vjetra që kanë marrë mandat të cilët sipas saj kanë mbi 30 vite që u pinë gjakun shqiptarëve, një mesazh ky për klasën e vjetër politike.

"Falenderime e reflektim! Si drejtuese politike e qarkut të Fierit falenderoj me zemër, një e nga një, të gjithë votuesit e LSI në këtë qark, ata 12312 qytetarë vota e të cilëve u lexua drejt por edhe ata mijëra të tjerë, vota e të cilëve doli e pavlefshme si rrjedhojë e mungesës së informacionit. Falenderoj strukturat e LSI në të gjithë bashkitë e qarkut, në çdo rajon e komunë. Edhe pse nën presion e kërcënim ju ja dolët. Falenderoj ekipin e kandidatëve për deputetë, ekipin e të rinjve e të rejave, grave e burrave, të cilët me fushatën e tyre model u përpoqën të tregojnë se politika nuk duhet bërë me banda e me para, por me ide e alternativë.

Falenderoj çdo familje që na ka hapur derën, nga Divjaka e deri në Mallakastër. Edhe pse disa prej jush u kërcënuan apo u blenë, unë sërish ju jam mirënjohëse e nga çdo pozicion që do kem në të ardhmen do të luftoj për hallet e problemet që më keni treguar. Kjo nuk qe një fushatë e thjeshtë! Ditë pas dite ne u përballëm me institucione që përdoreshin si pronë private nga banda në pushtet; U përballëm me banditë; U përballëm me blerjen e votës; U përballëm me kërcënime e presione. Megjithatë në asnjë moment nuk u ndalëm e nuk do të ndalemi as në vazhdim. Ne kemi marrë përsipër një detyrë, ta bëjmë Shqipërinë shtëpinë e të rinjve, e derisa ta realizojmë detyrën tonë puna vazhdon.

Jam e keqardhur kur shoh se si masakra zgjedhore i dha sërish mandat deputeti disa banditëve apo disa xhaketave të vjetra që për më shumë se 30 vite vazhdojnë tu pijnë gjakun Shqiptarëve, ama nga ana tjetër jam e lumtur që përgjatë këtyre viteve gjeta plot shokë e shoqe të gatshëm për të luftuar për të ardhmen e vendit të tyre! Edi Rama nuk i fitoi zgjedhjet! Beteja jonë vazhdon…", shkruan Mehmetaj.