Policia e EULEX-it ka arrestuar edhe një serb sot, në veri të Kosovës. Mediat serbe nuk e japin identitetin e plotë të të arrestuarit, por raportojnë se bëhet fjalë për V.N, punëtor i Postës së Serbisë.

Ndërkaq ato citojnë zëdhënësen e EULEX-it, Irina Gudeleviçin, se ai është arrestuar sipas kërkesës së një prokurori ndërkombëtar të Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe se bëhet fjalë për një person që kërkohej nga policia si i dyshuar për vrasje të rëndë, përpjekje për vrasje dhe shkaktim lëndimesh të rënda trupore.

Operacioni lidhet me krimet e luftës të kryera në pjesën veriore të Mitrovicës në shkurt të vitit 2000.

I arrestuari është dërguar në bazën e EULEX-it në Mitrovicë, ku do të merret në pyetje.

Marrë nga "RTK"

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)