Kryetari i delegacionit të PE-së për Evropën Juglindore Eduard Kukan deklaroi se është me shumë rëndësi të diskutohet se cfarë progresi konkret është arritur sa i takon Shqipërisë. Sipas tij përmbushja e prioriteteve të mbetura është thelbësore dhe në rezolutë duhet përdorur qartazi kërkesa në këtë drejtim.
"Çfarë progresi real është arritur në Shqipëri, është progres apo i limituar. Unë personalisht dua prova më të forta që do të më ndihmonin ta tejkaloja skepticizmin tim. Është me shumë rëndësi për Shqipërinë mënyra se si do t'i zhvillojë zgjedhjet e ardhshme", u shpreh Kukan.
Në mbështetje të Kukan një eurodeputet tjetër bëri thirrje për miratimin e 3 ligjeve të cilat janë të rëndësishme pë fatin e integrimit të Shqipërisë. Sipas tyre mos miratimi i tre ligjeve në Kuvend do të thotë që vendi të mos shpresojë për të marrë statusin. Por miratimi nuk nënkupton detyrimisht marrjen por do të ishte një sinjal pozitiv që i dërgohet Brukselit.
“I bëj thirrje për të gjetur menjëherë zgjidhje për çështjen e ligjit, pasi kompromisi është i mundur dhe konflikti nuk ka të bëjë me këto ligje. Është e rëndësishme që dhe qeveria të kuptojë rëndësinë dhe të bëjë lëshime. Mbase Shqipëria mund të mos marrë statusin edhe duke miratuar këto 3 ligje, pasi janë vendet anëtare që e vendosin, por është një mundësi e mirë" tha eurodeputeti duke shtuar se "Nuk duhet bërë një lëvizje për statusin pa u zhvilluar zgjedhjet por mendoj se marrja e statusit do të jetë më i inkurajuar për të zhvilluar zgjedhje të lira.”
Hartuesi i rezolutës, eurodeputeti Nikolas Chountis tha se nuk mendon që situata në Shqipëri është stabilizuar plotësisht ndërsa reformat duhet të vazhdojnë. Ai dha mbështetjen për Kukan për përfshirjen e dy amendamenteve, që kanë të bëjnë me çështjen e ish të burgosurve politikë, dhe një hetimi të pavarur të ngjarjeve të 21 janarit, në draft rezolutën që do të miratojë Parlamenti Europian. Eurodeputetët kërkojnë që në këtë draft të shtohen dhe 2 amendamente atë për“hetim të pavarur të ngjarjes së 21 janarit dhe cështjen e ish të përndjekurve politikë
“Shqipëria nuk është stabilizuar, dhe nuk duhet të harrojmë kushtet që nuk janë plotësuar ende, prandaj do të bëjmë disa modifikime të vogla për të përfshirë të gjitha sugjerimet. Në orën 18:00 do të përpilohet drafti përfundimtar, por një numër i madh amendamentesh që përmendi dhe Kukan kanë mbështetjen time, do të përmendja 2. Jam në favor të amendamentit 74, ku duhet të ketë një hetim të pavarur për cështjen e 21 janarit, dhe amendamentit që ka të bëjë me ish të përndjekurit politik. Ata duhen përfshirë në amendamente”- tha Chountis.
Drejtori i Njësisë për Shqipërinë në Komision, Vasilis Maragos mori pjesë në debat duke përsëritur se këtë vit ka patur progres të mirë. Ai insistoi se procesi politik në Tiranë duhet të vazhdojë në linjën e përpjekjeve të Brukselit për të lëvizur në fazën tjetër. Duke ju referuar gjyqësorit ai tha se mbetet një fushë ku ende duhet bërë më shumë. Maragos u ndal tek votimi i ligjit për imunitetin, konferencën gjyqësore por tha se duhet votuar nisma për Gjykatën e Lartë.
Redaksia Online
(sg/shqiptarja.com)
