Tre skuadra të Superligës shqiptare, me Vllazninë të parën, do të zbresin sonte në fushë për ndeshjet e kthimit të turit në dytë të Conference League, me qëllim kualifikimin në raundin tjetër. Shkodranët e Mirel Josës i pret një transfertë e vështirë kundër Craiovës në Rumani, me sfidën e parë në Shkodër që përfundoi me shifrat 1-1.

“Për ne, normal që skuadra rumune është favorite, por e dimë që futbolli është shumë i çuditshëm. Duhet ta respektosh futbollin që të marresh frytet e duhura,”-tha Mirel Josa, trajner i Vllaznisë

“Në futboll s’ka favoritë dhe parashikime, pasi vitin e kaluar Craiova ishte favorite, por u eliminua nga një ekip shqiptar,”-deklaroi Erdenis Gurishta, kapiten i Vllaznisë.

Pas Vllaznisë që zbret në fushë në orën 19:30, në orën 20:00 është rradha e Laçit për t’u përballur me Moldavët e Petrocub. Kurbinasit janë favorit për të kaluar më tej pas ndeshjes së parë të mbyllur me shifrat 0-0.

“Patjetër që kemi bërë gjysmën e punës, por është ndeshja e kthimit dhe do jashtëzakonisht vigjilencë, përgatitje, për ta kaluar me sukses. Jemi normalisht favorit, por do jetë një ndeshje jo e lehtë për t’u interpretuar,”-u shpreh Shpëtim Duro, trajner i Laçit.

Padiskutim punën më të vështirë nga skuadrat shqiptare do ta ketë Tirana, skuadra kampione e Shqipërisë. Pasi u mposht në kryeqytet me rezultatin 0-1, sonte në Bosnje në orën 21:00 bardheblutë kanë mision përmbysjen kundër Zrinjski Mostar.