Europa jehonë Shqipërisë, mediat
“kryqëzojnë” Francën për barazimin

Europa jehonë Shqipërisë, mediat<br />“kryqëzojnë” Francën për barazimin
Barazimi i Shqipërisë në Francë edhe pse në një ndeshje miqësore ka bërë jehonë të madhe në mediat më prestigjioze Europiane. Kështu “L’Equipe” e hap me titullin e madh “Leksion i mirë”  duke kritikuar ‘Gjelat’ e drejtuar nga Deshamp që me shumë vështirësi barazuan përballë modestëve të Shqipërisë në fushë e tyre, e madhe rrezikuan që të humbasin ndeshjes.

Në në linjë me “L’Equipe” është edhe “AS” dhe “Marca” që theksojnë se sulmuesi i Atletikos së Madridit, Griezman shpëtoi Francën nga humbja përballë Shqipërisë. “Daily Mail” komenton se kryesimi i Shqipërisë ishte plotësisht i merituar, ndërsa Grizeman shpëtoi Francën nga turpi.

Faqja zyrtare e UEFA-s shkruan se“Griezman i siguron Francës barazimin me Shqipërinë” teksa nuk harron pa veçuar lojën mjaft të mirë të Shqipërisë. Vend të veçantë në pasqyrim i kanë dhënë kombëtares edhe mediat italiane.
 
De Biasi: Duhet të fitonim
Trajneri i ekipit kombëtar të futbollit, De Biasi pas ndeshjes me Francën u shpreh se për mënyrën se si rrodhi loja, Shqipëria duhet që të kishte fituar sfidën.

“Luajtëm një nga ndeshjet më të mira dhe mendoj se duhet të kishim fituar, nëse do të tregoheshim më të kujdesshëm. Goli mund të ishte shmangur, pasi mënyra nga e cila erdhi ishte si pasojë e pakujdesisë” tha ai.
 
Deshamp: Shqipëria, jo e vogël
Trajneri i ‘Gjelave’ priste ndoshta një fitore me goleadë përballë kuqezinjve, por fusha ndryshoi gjithçka kishte në mendje dhe në letër legjenda franceze. “Bëmë disa gabime, Shqipëria ra pak në nivel gjatë pjesës së dytë.

Lojtarët nuk duhet ta ulin ritmin, sidomos ndaj një skuadre si Shqipëria që pak muaj më parë mundi Portugalinë. Shqipëria nuk mund të konsiderohet një kombëtare e vogël tashmë” tha ai. Vendimi i UEFA-s për ndeshjen në Beograd? “Nuk dua ta komentoj, por më duket i çuditshëm” përfundoi Deshamp.
 
Benzema: Shqipëria e meritoi
Sulmuesi i Realit të Madridit pranon meritat e kuqezinjve në ndeshjen miqësore, duke theksuar se “Shqipëria ishte shumë e vështirë dhe e fortë në mbrojtje. Kjo miqësore tregoi se nuk ka skuadra të vogla.

Gjithsesi ne reaguam mirë dhe e barazuam rezultatin. Duhet të jemi të aftë për të luajtur në disa mënyra që të nxjerrim golin, megjithatë kjo ishte thjeshtë një ndeshje miqësore” përfundoi ai.
 
Cana e Mavraj: Meritonim fitoren
Kapiteni Lorik Cana dhe autori i golit, Mërgim Mavraj janë të dëshpëruar dhe të pakënaqur me rezultatin e ndeshjen me Francën, pasi sipas tyre kuqezinjtë duhet të kishin fituar. Kapiteni, një njohës i mirë i francezëve shprehet se “peng më mbeti fakti që nuk fituam, sepse ekipi luajti mirë dhe të gjithë duhet të jenë krenarë. Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, nuk mund të shpallemi kampionë Evrope menjëherë”.

Ndërsa Mavraj vlerëson miqësoren dhe golin si të paharrueshëm, pasi erdhi përballë një ekipi jo dosido. “Kam shënuar dy gola me kombëtaren në të dy rastet në miqësore, por do të më pëlqente që golat e mi t’i jepnin pikë Shqipërisë. Golin ia dedikoj prindërve".
 
Shtyhet fluturimi i kuqezinjve
Moti i keq që ka përfshirë Italinë, ka komplikuar udhëtimin e Kombëtares shqiptare drejt Genovas, ku do të luhet edhe miqësorja e radhës me Italinë.

Kuqezinjtë pritej të niseshin drejt Italisë në orën 11:00 nga aeroporti i Rennes, por aty janë informuar se për shkak të furtunës në Genova ka qenë e pamundur ulja e avionit në aeroport. Nisja drejt Genovas do të mund të realizohet më avion në orët e pasdites.

Tifozët Kuq e Zi falënderojnë De Biasin

Grupi i “Tifozëve Kuq e Zi” ka falënderuar trajnerin e Shqipërisë, Gianni de Biasi për punën mjaft të mirë që ka bërë me ekipin kombëtar deri tani.
 
“Dëshirojmë të marrim një moment nga kjo ditë, një ditë pas ndeshjes aq të bukur me Francën dhe tri ditë para ndeshjes me Kombëtaren e vendit prej nga ai vjen, të falënderojmë kryetrajnerin e kombëtares tonë, Gianni de Biasi për punën e tij fantastike deri më tash”, thuhet në mesazhin e TKZ për De Biasin.
 
Më pas tifozët i kanë kërkuar ndjesë italianit nëse me komentet e tyre janë përzier në zgjedhjet e tij. “Mister, ndoshta ndonjëherë të përzihemi në punë dhe dukemi sikur po e luajmë trajnerin, por këtë thjesht e bëjmë për sukseset tona të përbashkëta me Kombëtaren! Faleminderit Gianni de Biasi! Grazie Mister! Ti je njëri prej nesh! Vazhdojmë së bashku!”.



d/b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Krijohet dhe 'Djathtas', a do i mbështesni partitë e reja në 2025?



×

Lajmi i fundit

Zyrtari i lartë i Partisë Komuniste të Kinës e viziton Serbinë

Zyrtari i lartë i Partisë Komuniste të Kinës e viziton Serbinë