Egnatia dhe Lillestrom nuk kanë mundur të prodhojnë fitues në ndeshjen e parë të 'play-off'-it të Europa League, zhvilluar të enjten në Rrogozhinë. Në 'Egnatia Arena', sfida u mbyll me rezultatin 0-0, duke lënë gjithçka të hapur për duelin e kthimit i cili do të zhvillohet pas një jave në Norvegji.
Ndeshja nisi me një moment të rrezikshëm për miqtë. Në minutën e 5-të, Gabrielsen dërgoi topin në rrjetë pas një goditje të lirë, por goli u anulua nga VAR për pozicion jashtë loje.
Pas këtij episodi, Egnatia nisi të merrte kontrollin e lojës dhe gradualisht u afrua më shumë drejt portës norvegjeze. Adjessa pati mundësinë e parë të rrezikshme për vendasit, por goditja e tij u ndal nga portieri. Pak minuta më vonë, sulmuesi rrogozhinas provoi sërish, ndërsa një tjetër mundësi për shënim iu paraqit edhe Albaneses. Pjesa e parë u mbyll pa gola, ndërsa në fraksionin e dytë Egnatia vijoi të kërkonte avantazhin.
Albanese pati një tjetër rast për të zhbllokuar rezultatin, ndërsa mundësia më e mirë e takimit për Egnatian erdhi nga Gruda. Goditja e tij u përplas në shtyllë, duke i mohuar skuadrës së Nevil Dedes golin e shumëkërkuar.
Lillestrom pati gjithashtu një mundësi të artë në minutën e 73-të. Felix Va u gjend përballë një situate ideale me portën e boshatisur, por nuk arriti të dërgonte topin në rrjetë.
Në fund rezultati përfundimtar mbeti 0-0, me Egnatian që nuk arriti të shfrytëzonte avantazhin e fushës, por gjithsesi e mban të hapur çështjen e kualifikimit për në fazën e ligës së Europa League, paçka se kampionët në fuqi të Shqipërisë e kanë të sigurt pjesëmarrjen në fazën e ligës së Conference League edhe nëse eliminohen. Gjithçka do të vendoset pas një jave në Norvegji.
Pas ndeshjes trajneri Nevil Dede i Egnatias vlerësoi paraqitjen e skuadrës, duke shprehur keqardhje për rastet e shpërdoruara. Për RTSH, Dede theksoi se futbollistët e tij meritojnë komplimente për atë që treguan në fushë, ndërsa nënvizoi se kualifikimi mbetet plotësisht i hapur përpara sfidës së kthimit në Norvegji.
"Këta djem meritojnë komplimente, na kanë bërë krenarë. Djemtë u munduan shumë. Mendoj që ndeshja meriton komplimente. Normal që ne trajnerët gjejmë gjithmonë gjëra që nuk shkojnë”, u shpreh Dede.
Trajneri i Egnatias zbuloi gjithashtu se skuadra kishte punuar prej disa ditësh për të përgatitur përballjen me norvegjezët.
“Kemi gati pesë ditë që punojmë për këtë kundërshtar. Unë nuk i njoh cilësitë e të gjithë lojtarëve të Lillestromit, por me aq informacion sa kam marrë, mendoj se mund të përballojmë këtë sfidë. Më vjen keq për djemtë që nuk u shpërblyen sot me një gol, por mendoj se gjithçka mbetet e hapur. Ne jemi në lojë për gjithçka”, deklaroi tekniku.










Komente
Komento