Sot do të vendoset nëse do të vazhdojë më tej garën në Europa League ndonjë ekip shqiptar apo jo, pasi luajnë ndeshjet e kthimit Flamurtari dhe Laçi për turin e dytë paraeliminator. Flamurtari -Petrolul Ploiesti në orën 19:00 luhet në qytetin bregdetar të Vlorës. Pritshmëritë për ndeshjen janë shumë të mëdha.

Interesimi për sfidën e kuqezinjve përballë rumunëve është maksimal, teksa një numër i madh biletash janë shituar. Ndeshja e parë përfundoi 2-0, por në Vlorë besojnë te përmbysja e madhe që do t’i dërgonte në turin e tretë, ky do të ishte një tjetër rekord pas Flamurtarit të viteve të arta. Trajneri Nesti Gjoka kërkon kujdes në fushë për të mos krijuar hapësira pasi kundërshtari mund të mbyllë ndeshjen. “Për të vazhduar ëndrrën duhet shumë besim dhe punë.

Petrolul ka një ekip shumë të fortë dhe këtë gjë e tregoi edhe në ndeshjen e parë duke shfrytëzuar dy raste dhe shënuar dy gola. Një gjë të tillë duhet që ta shmangim sot. Potencialin e kemi për ta bërë një gjë të tillë, shpresoj që të kemi edhe fatin në krahun tonë” deklaroi ai.

Edhe mesfushori Gjergj Muzaka premton surprizën, teksa u bën thirrje tifozëve që të jenë të pranishëm në stadium. Ekipi i Petrolul ka mbërritur në Vlorë teksa është akomoduar në një nga hotelet e qytetit në pritje të ndeshjes. Rumunët kanë zhvilluar dje në mbrëmje stërvitjen e fundit në stadiumin që mban edhe emrin e ekipit “Flamurtari” ku do të zhvillohet edhe ndeshja. Ndërsa Laçi ka mbërritur në Kiev ku do të luajë sfidën e kthimit përballë ekipit të Zorjas në 19:30, e cila fitoi ndeshjen e parë që u zhvillua në Shqipëri me rezultatin 3-0 duke shuar shpresat e bardhezinjve për të vazhduar ëndrrën evropiane.

Misioni i ekipit bardhezi është që të realizojë një paraqitje pozitive, pasi për të përmbysur rezultatin është e pamundur. Shanset më të mëdha për të kaluar turin i ka ekipi i Flamurtarit, pasi luan brenda dhe disavantazhdi është vetëm 2 gola. Tashmë mbetet për t’u parë nëse kuqezinjve do të arrijnë që të mbajnë lart flamurin kuqezi në Europë, pasi Skënderbeu u eliminua më shpejt se sa pritej.


d.b/shqiptarja.com