Egnatia është futur në historinë e futbollit shqiptar, pasi kampionët në fuqi të vendit e kanë siguruar tanimë një vend në fazën e ligës së Conference League. Klubi rrogozhinas është ende në garë për një vend në fazën e ligës së Europa League dhe sot në orën 19:00 pret në shtëpi norvegjezët e Lillestrom. Sfida e parë play-off u komentua edhe nga Nevil Dede, trajneri i rrogozhinasve.
Dede në fjalën e tij për mediet tha se ka një ekip të fortë dhe se askush nuk do të fitojë në 'Arena Egnatia', duke treguar se nuk janë për shëtitje në këtë fazë, paçka se objektivi për fazën e ligës në Conference League është arritur.
"Objektiva njeriu ka gjithmonë. Ne atë që kishim deklaruar, pra klubi, presidenti dhe unë bashkë me djemtë, ishim të bindur që në grupet e Conference League duhet të shkonim patjetër, sepse e meritonin djemtë. Tani na ka dalë përpara një objektiv akoma më i madh, siç është Europa League.
Është një event i madh për të gjithë futbollin shqiptar, jo vetëm për çunat tanë, por për gjithë komunitetin e futbollit. Ne e dimë çfarë mund të bëjmë, çfarë lojtarësh kemi dhe që ta kemi përsëri objektiv këtë tur të Europa League. E dimë që mund të bëjmë akoma më mirë. Djemtë kanë kapacitete, po e shohin realisht forcën e tyre. Besoj që këto janë armët tona më të forta, kapiteni dhe eksperienca e qetësia në këtë grup.
Lillestrom? Kemi ardhur deri këtu me meritë, ndoshta meritonim diçka më shumë. Ne nuk marrim pjesë në Champions sepse kemi humbur në penallti. Ne nuk kemi humbur ndeshje, jemi eliminuar pa humbje. Nuk jemi spektatorë. Nuk kemi ardhur në play-off të Europa League për shëtitje. Unë mendoj se e meritojmë", tha mes të tjerash Nevil Dede.











Komente
Komento