Europa pushtohet nga i nxehti, priten temperatura ekstreme! Vala do prekë edhe Ballkanin! Termometri pritet të arrijë 48 gradë celsius në Sardenjë

Evropa jugore do të jetë nën ndikimin e temperaturave të larta edhe javën e ardhshme, pasi sipas parashikimeve të motit vala e të nxehtit nuk ka asnjë shenjë ‘zbutjeje’. Italia, Spanja dhe Greqia prej disa ditësh po përjetojnë temperatura të larta.

Ministria italiane e shëndetësisë lëshoi ​​një alarm të kuq në 16 qytete përfshirë Romën, Bolonjën dhe Firencen për fundjavën. Vala e të nxehtit pritet të vazhdojë edhe javën e ardhshme, ku termometri pritet të arrijë deri në 48 gradë Celsius në Sardenjë, sipas mediave italiane.

Sidoqoftë, një temperaturë e tillë do të ishte më pak se niveli i lartë rekord evropian prej 48.8 C, i cili u regjistrua në Siçili në gusht 2021.

Shërbimi italian i motit tha se Sardenja do të jetë në "epiqendrën" e valës së të nxehtit të javës së ardhshme, të cilën parashikuesit e motit e kanë quajtur Charon. Meteorologët thonë se nga kjo valë e të nxehtit do të goditet edhe Spanja, Greqia e Turqia.

"Temperaturat do të arrijnë një kulm midis 19 dhe 23 korrikut - jo vetëm në Itali, por edhe në Greqi, Turqi dhe Ballkan. Disa rekorde lokale të nxehtësisë brenda këtyre zonave mund të thyhen gjatë atyre ditëve," tha meteorologu italian dhe eksperti i klimës Giulio Betti për BBC.

Qeveria e Italisë ka këshilluar këdo në zonat ku është lëshuar alarmi i kuq që të shmangin rrezet e diellit direkte nga ora 11:00 deri në 18:00 dhe të kujdesen veçanërisht për të moshuarit ose personat vulnerabël. Në Romë, udhërrëfyesi turistik Felicity Hinton, 59 vjeç, i tha BBC-së se temperaturat në rritje të kombinuara me mbipopullimin e kanë bërë "makth" lundrimin në qytet.

"Është gjithmonë nxehtë në Romë, por kjo ka qenë vazhdimisht e nxehtë për shumë më gjatë se normalja," tha ajo.

"Unë dhe miqtë e mi guidë turistike jemi jashtëzakonisht të stresuar. Njerëzve u kanë rënë të fikët në turne dhe ka ambulanca jashtë kudo."

Ndërkohë, Greqia ka goditur temperaturat prej 40 gradë celsius ose më shumë ditët e fundit. Akropoli në Athinë, atraksioni më i njohur turistik i vendit, u mbyll gjatë orëve më të nxehta të së premtes dhe të shtunës.

Në Ishujt Kanarie të Spanjës, një zjarr pyjor që shpërtheu në La Palma të shtunën në mëngjes detyroi evakuimin e të paktën 4,000 njerëzve dhe deri më tani ka shkatërruar 4,500 hektarë tokë. Fernando Clavijo, president i qeverisë rajonale të Ishujve Kanarie, tha se të paktën 12 shtëpi ishin shkatërruar. Ushtria spanjolle ka vendosur 150 zjarrfikës të saj për të ndihmuar përpjekjet për të vënë nën kontroll zjarrin dhe ndihma po dërgohet gjithashtu nga ishulli fqinj Tenerife.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:48
Valët e të nxehtit, Barcelona merr masa për mbrojtje nga dielli përvëlues

Bashkia e Barcelonës ka vënë në dispozicion një numër ndërtesash publike, ku banorët mund të qëndrojnë për t'u mbrojtur prej valëve të të nxehtit.

Më shumë se 200 biblioteka, shkolla dhe ndërtesa publike me ajër të kondicionuar kanë hapur dyert për njerëzit që kërkojnë të mbrohen prej diellit përvëlues dhe temperaturave që në qendër të qytetit të Barcelonës shkojnë deri në 36 gradë celsius e në disa ditë edhe më lart.

Shumë të moshuar në Barcelonë shkojnë për të kaluar disa orë në strehimoret publike për vapën.

Ndër ta është edhe pensionistja 91-vjeçare Merce Pujol dhe kujdestari i saj Orlando Minda. Gjatë shëtitjes së tyre të mëngjesit ata ndalen për një farë kohe në një nga bibliotekat e qytetit për të shijuar një moment lehtësimi nga dielli përvëlues

"Preferoj të rri më mirë këtu sesa në rrugë, se në rrugë është shumë nxehtë." - thotë pensionistja 91-vjeçare Merce Pujol.

Kurse kujdestari i saj shton: "Sigurisht është një vend i mirë. Kur dalim shëtitje, na kap vapa dhe na nxehet trupi. Dhe sa kalon derën ndjen ndryshimin e temperaturës. Kjo na bën mirë, unë ndihem shumë mirë."

Fresk dhe libra

Edhe Augusti Sagarra, 67 vjeç, vjen shpesh në bibliotekë, jo vetëm prej vapës por se i pëlqen të lexojë.

"Temperaturat aktuale janë të rrezikshme, sidomos për të moshuarit. Prandaj nëse kanë mundësi të strehohen në një vend si ky, ndihen më mirë, apo jo? Ata janë më të sigurt."

Ai shpreson, se duke ardhur në bibliotekë për t'ju shmangur vapës njërëzit do të fillojnë të lexojnë më shumë: "Le të shohim nëse vizitorët mund të bëhen edhe lexues të rregullt duke ardhur këtu për t'u strehuar nga moti dhe duke qenë më afër librave." - thotë Augusti Sagarra.

Vitin e kaluar "strehimoret për vapën" i përdorën 120,000 vetë tha bashkia e qytetit.

Barcelona është një nga qytetet e pakta në Spanjë që ka vënë në dispozicion "strehimore për vapën".

Skenarë të frikshëm

Irma Ventayol, Drejtore E Zyrës për Ndyshimet Klimatike dhe Qëndrushmërinë në Bashkinë e Barcelonës, sqaron se "për shkak se temperaturat janë në rritje ne duhet t'u ofrojmë njerëzve që nuk kanë komoditete në shtëpitë e tyre disa mundësi dhe vende ku të ndihen më rehat. Prandaj ne u rekomandojmë qytetarëve të përdorin parqet dhe lulishtet që kemi në qytet. Dhe këto strehimore nëse nuk ndihet rehat në shtëpitë e tyre.”

Sipas saj "nëse hedhim një vështrim në parashikimet tona të klimës në vitin 2100 pritet që temperatura të rritet nga 1,7 deri në 3 gradë, në varësi të skenarëve që përdorni.”

Spanja po kalon valën e dytë të të nxehtit gjatë sezonit veror me temperatura deri në 44 gradë celsius./DW

Ora 10:33
Temperaturat ekstreme vendosin rekorde të reja në SHBA! Meteorologët në alarm: Të gjithë duhet ta marrin seriozisht këtë nxehtësi

Vala ekstreme e të nxehtit që përfshiu SHBA-në këtë javë pritet të përkeqësohet të dielën, duke bërë që temperaturat të thyejnë rekord në disa zona perëndimore të Shteteve të Bashkuara, të cilat do të shohin nivelet më të rrezikshme të nxehtësisë.

Gati një e treta e amerikanëve rreth 113 milionë njerëz janë të prekur nga vala e të nxehtit ekstrem, nga Florida në Kaliforni dhe deri në shtetin e Uashingtonit.

Shërbimi Kombëtar i Motit u ka kërkuar njerëzve të mos nënvlerësojnë rrezikun për jetën, pasi temperaturat gjithnjë në rritje janë kthyer në një rrezik të madh dhe konkret për jetën.

Të shtunën, një maksimum prej 48 gradë Celsius u regjistrua në Phoenix, Arizona.

Rreth 700 njerëz vlerësohet të vdesin çdo vit nga shkaqe të lidhura me nxehtësinë në SHBA, sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Në Kanadanë fqinje, zyrtarët thonë se zjarret e shkaktuara nga temperaturat mbi mesataren, të cilat kanë mbuluar pjesë të SHBA-së me tym kanë djegur tashmë rreth 10 milionë hektarë tokë.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Arben: 16/07/2023 08:55

    Nxehte i madh ne te gjithe Europen kurse per ne nuk eshte problem aspak sepse kemi jugun e Shqiperise me plazhet e kushtet me te mira ne bote! Zoti vete e beri jugun e Shqiperise nje mrekulli natyrore per njeriun! Ejani ne Jug qe te harroni temperaturat e larte e te ndjeheni si ne parajse!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë