Në çastin kur lidershipi i institucioneve të sigurisë komprometohet, nuk jemi përballë një krize morale, por përballë kolapsit të vetë sigurisë kombëtare. Nga ana tjetër, t’i japësh sot teknologji të pakufizuar një institucioni pa llogaridhënie të brendshme, do të thotë t’i japësh çelësat e shtetit një lidershipi që mund ta përdorë këtë fuqi për afera që cenojnë vetë shtetin.

Ndërkohë, bota po bëhet shumëpolare dhe e rrezikshme. Në Lindje po ndërtohet një arkitekturë tjetër. Rusia dhe Kina po afrohen, ndërsa India dhe Irani po përdorin të njëjtat platforma për të zgjeruar hapësirën e tyre të veprimit. Nuk është ende një aleancë e re botërore. Kemi një realitet më fluid. Një rrjet fuqish që nuk duan të varen nga një qendër e vetme. Bota po kalon nga aleancat e ngurta te partneritetet e ndryshueshme, të ndërtuara mbi interesa konkrete.

Në një xhungël të tillë hibride dhe thellësisht të pasigurt mbrojtja nuk mund të delegohet më plotësisht jashtë. Shtetet po i armatosin shërbimet e tyre informative me teknologji të paprecedentë për të mbrojtur vetveten. Të presësh që shteti i së drejtës të jetë i përsosur përpara se t'u japësh shërbimeve informative mjetet e nevojshme për të na mbrojtur, do të ishte një vetëvrasje strategjike.

Simetria mes teknologjisë dhe ligjit është një utopi. Ligji nuk mund të ecë me të njëjtën shpejtësi si teknologjia. Teknologjia zhvillohet me ritmin e inovacionit, ndërsa ligji me ritmin e institucioneve dhe kompromiseve parlamentare. Rreziku është që mbikëqyrja të mbetet gjithmonë një hap pas. Nëse e pranojmë këtë, atëherë llogaridhënia duhet të mos mbështetet vetëm te kontrolli paraprak i mjeteve, por edhe te gjurmueshmëria, auditimi dhe përgjegjësia për pasojat e përdorimit të tyre.

E vërteta është se asfiksia ligjore nuk është zgjidhje, por as dorëzimi përballë teknologjisë nuk mund të pranohet. Siguria kombëtare nuk ndërtohet duke sakrifikuar të drejtat themelore. Nëse simetria e mjeteve është e vështirë, simetria e parimeve është e panegociueshme. Çdo zgjerim i pushtetit informativ të shtetit duhet të shoqërohet detyrimisht me një zgjerim proporcional të mekanizmave të llogaridhënies.

Inteligjenca Artificiale mund të analizojë miliona të dhëna, të zbulojë modele, të lidhë informacione që njeriu nuk arrin t'i lidhë dhe të përshpejtojë procesin e vendimmarrjes. Kufiri midis inteligjencës artificiale, inteligjencës shtetërore dhe luftës po bëhet gjithnjë e më i hollë. Raportet më të fundit tregojnë se Inteligjenca Artificiale po përdoret tashmë në luftë për zbulim informacioni, operacione kibernetike, survejim, propagandë dhe zhvillim të sistemeve të armëve. Në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme, IA po kalon nga një mjet që ndihmon njeriun në një komponent të vetë kapacitetit luftarak.

Vetë drejtuesit e kompanive më të mëdha të teknologjisë dhe ekspertët e fushës pranojnë hapur se ky revolucion nuk mund të lihet vetëm në duar private. Ata paralajmërojnë se mekanizmat e thjeshtë mekanikë apo "butoni i emergjencës" nuk do të funksionojnë pasi sistemet të fitojnë autonomi. Lënia e inovacionit në një autopilot tregtar është dështim kolektiv.

Ndërkohë, kufizimet ligjore nuk krijohen vetvetiu. Ato i përcakton njeriu. Teknologjia përcakton atë që shteti është në gjendje të bëjë. Kompetenca ligjore përcakton atë që shteti lejohet të bëjë. Demokracia duhet të sigurohet që e para të mos zgjerojë në heshtje të dytën.

Ka modele të ndryshme të mbikëqyrjes demokratike. Asnjë model nuk është automatikisht më demokratik se tjetri. Çështja është tjetër: a janë kompetencat të përcaktuara qartë dhe a ekziston një kontroll real mbi ushtrimin e tyre? Kjo bëhet edhe më e rëndësishme sot, kur reformimi i shërbimeve inteligjente shoqërohet me zgjerim kompetencash dhe me teknologji që shumëfishojnë fuqinë e informacionit.

Një shembull i kohëve të fundit vjen nga Suedia. Pas anëtarësimit në NATO, vendi po krijon një agjenci të veçantë për inteligjencën e jashtme, e cila pritet të nisë funksionimin më 1 janar 2027. Por zgjerimi i kapacitetit informativ nuk po bëhet pa përcaktuar njëkohësisht edhe rregullat që e kufizojnë atë. Parlamenti suedez ka miratuar një kuadër të posaçëm për përpunimin e të dhënave personale nga agjencia e re, duke parashikuar rregulla për mbikëqyrjen, të drejtat e individëve dhe mekanizmat e kontrollit.

Këtu nuk kemi të bëjmë thjesht me një çështje të mbrojtjes së lirive të brendshme, por me një parakusht për efikasitetin gjeopolitik. Bashkëpunimi inteligjent brenda NATO-s kërkon garanci të forta për sigurinë, kontrollin dhe mbrojtjen e informacionit. Nëse nuk ka garanci të hekurta ligjore dhe llogaridhënie, aleatët e mëdhenj mund të të përdorin si instrument taktik, por vështirë se do të të konsiderojnë partner strategjik të besueshëm.

Sot, rreziku është të ndërtojmë institucione që janë teknologjikisht më të fuqishme sesa ligji që duhet t'i kontrollojë. Çështja nuk është thjesht dhe vetëm nëse Shqipëria duhet të ketë një shërbim informativ të fortë. Pyetja është: a po ndërtojmë një shërbim të fortë brenda një shteti të fortë të së drejtës, apo një shërbim të fortë brenda një shteti me mbikëqyrje të dobët?

Nga ky kurth dilet vetëm duke ndërtuar një mbikëqyrje po aq të sofistikuar sa vetë teknologjia. Nëse Shërbimi Informativ i Shtetit përdor mjetet e shekullit XXI, edhe llogaridhënia duhet të jetë e shekullit XXI. Komisionet tradicionale parlamentare, të mbështetura vetëm te raportet dhe kontrolli periodik, nuk mjaftojnë më. Mbikëqyrja kërkon ekspertizë të aftë që të auditojë sistemet algoritmike, të verifikojë përdorimin e të dhënave dhe të depërtojë në "kutitë e zeza" të Inteligjencës Artificiale.

Një shtet serioz duhet të jetë i aftë të mbrojë vetveten dhe mjaftueshëm i kufizuar për të mos kërcënuar qytetarin. Demokracia pa kufizime kushtetuese mund të shndërrohet në tirani të shumicës. Liberalizmi pa demokraci mund të shndërrohet në sundim të elitave. Zgjedhjet përcaktojnë se kush merr pushtetin. Institucionet e pavarura dhe ligji përcaktojnë se çfarë mund të bëjë pushteti. Shteti i së drejtës është ura që lidh demokracinë me lirinë.

Kufijtë e fuqisë nuk përcaktohen vetëm nga teknologjia dhe ligji. Ata varen edhe nga vullneti politik për t’i respektuar. Në demokraci, nuk është problemi fuqia. Problemi është fuqia pa kufij.