Evolucioni i terrorit dhe gjashtë
mesazhet e Barcelonës

Evolucioni i terrorit dhe gjashtë<br />mesazhet e Barcelonës
Masakra e Barcelonës na dërgon gjashtë mesazhe.

I pari: Shteti Islamik është një grabitqar mutant dhe i adaptueshëm. Kështu ringrihet, edhe falë nismave të protagonistëve të sulmeve. Së bashku me veprimet individuale – por jo të vetmuara – rritet celula e organizuar hibride. Një grup elementesh, jo gjithmonë të stërvitur, nganjëherë amatorë, që nisen për të sulmuar. Terroristë pa aftësinë guerilase të atyre që goditën në Paris, por që po përpiqen t’i imitojnë ata, me armët që kanë.

Hedhja në erë e vetvetes, automjete dhe thika të zakonshme, si në Turku (Finlandë). Në qytetin katalanas ata synonin të përdornin bombola gazi në furgona. Është një evolucion, që e kemi parë në disa episode në Francë dhe në Britaninë e Madhe, e që ka gjasa të bëhet tendencë. Ndoshta me më shumë metoda shkatërrimtare. Ekziston një ambicie kriminale dhe politike.

Mbetet për të parë nëse e gjithë kjo vjen nga idetë e “shtëpisë mëmë”, apo është sipërmarrje e individëve, që duan t’ua kalojnë pararendësve. Kjo do të thotë që panorama mund të ndryshojë përsëri.

I dyti: Bërthama përbëhet nga vëllezër, bashkëpunëtorët dhe miq. Ata shpesh kanë rekorde kriminale për krime të zakonshme. Shpesh grupi është lokal, i lidhur me një vend të caktuar ku jetojnë, punojnë, gjejnë mikpritje.

Pastaj bëhet i lëvizshëm. Lidhja familjare është mbrojtja më e mirë kundër infiltrimit, lidhja e gjakut shoqëron radikalizimin e shpejtë. Nuk ka asgjë të paravendosur. 

I treti: Vendosmëria vlen më shumë se çdo gjë. Ata duhet të veprojnë gjithësesi. Shkatërrimi i bazës në Tarragona nuk i pengoi, por i shtyu që të shkojnë me furgon në Ramble. Të tjerë u përplasën me policinë në Cambrils. Ata duket se kanë gati plane alternative. Sepse, siç predikon Kalifati, gjëja më e rëndësishme është të ecet përpara, dhe rezultatet do të vijnë.

Është i njëjti modus operandi i vënë në zbatim në Aeroportin e Brukselit, vetëm se në atë rast ata kishin të fuqishmen “nënën e Satanait”, një përzierje vdekjeprurëse, e bërë në shtëpi.

I katërti: Ekziston shembulli i muxhahedinit që vepron në Siri dhe Irak. Disa militantë “spanjollë” mbanin rripa të rremë shpërthyes: ata donin të trembnin policinë, por edhe të vriteshin duke veshur simbolin e kamikazeve. Një ngarkesë vetëvrasëse. Në fakt, këto misione janë flijime. Sërish, ky është një fenomen që përsëritet shpesh në qytetet evropiane.

Kjo është një mënyrë për të vazhduar idenë e shahidit, të martirizimit. Ka nga ata që aktivizojnë bandën dhe që sulmojnë një ushtar, i cili kundërvepron. Shteti Islamik mund të përdorë sakrificën e tyre si një shembull për propagandë, të tjerët do ta imitojnë dhe do të prezantojnë variante operative, ndoshta me kosto të ulët, të cilat e vështirësojnë detyrën e policisë.

Është një rregull me përjashtime, pasi ka edhe nga ata që largohen.

I pesti: Kurrë mos e nënvlerëso armikun. Nuk ka të bëjë me masakrën e së enjtes, por është e rëndësishme të kujtohet kjo gjë. Vetëm pak ditë më pare, në Australi u parandalua një sulm mbi një avion pasagjerësh, i planifikuar që nga Siria prej një drejtuesi të ISIS-it. Një figurë, në gjendje të dërgonte deri në Sidnej, me postë ajrore, eksploziv ushtarak. Histori kjo, që konfirmon shumëllojshmërinë e rreziqeve dhe kontrollin “prej së largu” nga Shteti Islamik.

I gjashti: ISIS, më shumë se al Kaeda, i ka përgatitur militantët e vet me mitin e humbjes dhe vdekjen e mundshme të Kalifatit. Humbja e Mosulit apo Raqqas duhet të përdoret për t’i shtyrë militantët të hakmerren. Rënia e bastionit nuk është fundi, por fillimi. Fjalë që shërbejnë për të mobilizuar, mbi të gjitha, ekstremistët e mbetur në Lindjen e Mesme. Lufta nuk do të përfundojë shpejt.

Redaksia Online
D.T/Shqitparja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Kongresi i PS/ Delegatët votojnë për Asamblenë e re, prezantohet platforma ‘Deputeti që Duam’! Ministrat tregojnë objektivat

Kongresi i PS/ Delegatët votojnë për Asamblenë e re, prezantohet platforma ‘Deputeti që Duam’! Ministrat tregojnë objektivat