TIRANË - Në Kampionatin Evropian të Mundjes që po zhvillohet në Pallatin e Sportit 'Feti Borova' në Tiranë, mundësi që përfaqëson Shqipërinë, Islam Dudaev është kualifikuar për në gjysmëfinalen e peshës deri në 65 kilogramë.

Ruso-shqiptari kaloi pa shumë vështirësi turkun Ahmet Duman në fazën kualifikuese, duke e mposhtur 6-1. Në fazën çerekfinale Dudaev u përball kundër gjeorgjianit Nika Zakashvili, duke fituar 3-1 në një përballje që tregoi gjithë cilësitë dhe teknikën e mundësit tonë.

Tanimë në fazën gjysmëfinale, e cila është programuar të zhvillohet sot në orën 16:52, Dudaev do të përballet me Islam Guseinov, rusin që garon nën ombrellën e Federatës Botërore të Mundjes, për shkak se Rusia nuk është e mirëpritur në këto aktivitete pas sulmit mbi Ukrainë.

Forma e mirë e Dudaev ka bërë që ai të shihet si një ndër finalistët, duke qenë shpresa e madhe për një medalje, pse jo edhe të artë.