“Evropiani i Vitit” nga Kosova ëndërron t'i bjerë kitarës përtej kufijve! 11-vjeçari i talentuar: Po përgatitem për festivalin e radhës

“Evropiani i Vitit” nga Kosova ëndërron t'i bjerë kitarës përtej kufijve! 11-vjeçari i talentuar: Po përgatitem për festivalin e radhës

Ledion Halitaj

Dy telat e sipërm të kitarës i prek lehtë gjersa flet për veten. Tingujt e kitarës, Ledion Halitaj thotë se e bëjnë të ndihet më i qetë dhe i lumtur.

Dashurinë për këtë instrument, 11-vjeçari nga Prishtina e kishte prej se ishte shumë i vogël, ndërsa prindërit i bindi t’ia blinin një kur ishte rreth 9 vjeç.

Në vitin 2020, Ledioni u regjistrua në shkollën private të muzikës “Beethoven” në Prishtinë, ndërsa në shtator të atij viti fitoi çmimin e parë në një festival ndërkombëtar të kitarës, i organizuar në Transilvani të Rumanisë.

“Kitarën e kam pasur qejf shumë dhe atë kitarë e kam mbajtur në katër festivale dhe pastaj e kam blerë kitarën e re”, tregon Ledioni për Radion Evropa e Lirë.

Karriera e tij si muzikant i ri shpërtheu shpejt me pjesëmarrje të shumta në festivale të ndryshme ndërkombëtare. Ai sot numëron 15 çmime nga këto festivale.

Por, përhapja e pandemisë COVID-19 më 2020 bëri që këto festivale të mbaheshin në formën online dhe ai të mos mund të udhëtonte në vende si Rumania e Bullgaria, ndër tjera.

“Por, prej këtij viti po përgatitem për festivale të radhës [me prezencë fizike]”, tregon i entuziazmuar 11-vjeçari.

Ndër vlerësimet më të veçanta për të, Ledionit i erdhi më 4 maj të këtij viti, kur Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ia dha çmimin “Evropiani i Vitit”. Ky çmim ndahet çdo vit për një person në Kosovë, për nder të Ditës së Evropës që shënohet më 9 maj. Në mesin e disa të nominuarve nga kjo zyrë, fituesi zgjidhet përmes votave të publikut kosovar në rrjete sociale.

"Ky kitarist klasik 11-vjeçar, jashtëzakonisht i talentuar, është një model i vërtetë dhe një fener shprese. Më shumë të rinj kosovarë duhet ta zgjedhin artin si thirrjen e tyre", tha Tomas Szunyog, ambasador i BE-së në Kosovë, gjatë ndarjes së çmimit për Ledionin.

Ledioni thotë se në mbrëmjen e ndarjes së çmimit, kishte shumë njerëz që po e shikonin.

“Por, nuk kishte problem”, thotë ai, duke shtuar se ky çmim “do ta motivojë shumë që të arrijë edhe suksese të tjera”.

Ledioni vijon mësimet në klasën e gjashtë në Shkollën Fillore “Ismail Qemajli” në Prishtinë, ndërsa mësimet e kitarës i ndjek dy herë në javë. Mësuesin e tij, Erhan Mujka, Ledioni thotë se e ka kitarist të preferuar, së bashku me Petrit Çekun, një kitarist tjetër kosovar. Mujka - krenar me sukseset e nxënësit të tij - thotë se do të dëshironte që të rinjtë e talentuar në muzikë nga Kosova, të kishin pasur mundësi të udhëtonin më lirshëm nëpër Evropë.

Qytetarët e Kosovës kanë regjim të vizave për udhëtim në shumicën e vendeve evropiane, por ai pritet të hiqet më 1 janar, 2024.

“Gara... nuk është ideja të zhvillohet vetëm sa për garë. Ideja është që (nxënësit) të shoqërohen. Është shumë me rëndësi që të shohin kulturën, zhvillimin e shteteve tjera, të shohin edhe nivelin e moshatarëve të nxënësve”, thotë Mujka, i cili është mësimdhënës i kitarës edhe në një shkollë publike të muzikës në Mitrovicën e Jugut.

"Lëndët e mia të preferuara janë biologjia dhe historia", thotë Ledioni, i cili, megjithatë, fokusin synon ta mbajë në kitarë.

"Kam dëshirë të vizitoj vendet si Vjena (Austri), Italia e të tjera", thotë ai, duke shpresuar që një ditë të paraqitet me kitarën e tij edhe atje./REL

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord që në Shqipëri të ndalohet përdorimi i euros për pagesa?



×

Lajmi i fundit

Zbardhet ngjarja në Gramsh/ Shpërthimi nuk ishte tritol! Vëllezërit mbanin në kroskot dinamit për të gjuajtur peshk

Zbardhet ngjarja në Gramsh/ Shpërthimi nuk ishte tritol! Vëllezërit mbanin në kroskot dinamit për të gjuajtur peshk