Dhjetëra mijëra euro, dollarë e paund janë sekuestruar nga Policia e Tiranës gjatë një aksioni kundër pikave të paligjshme të këmbimit valutor në kryeqytet.
Sipas Policisë, gjatë kontrolleve të ushtruara në tre subjekte në Tiranë, u zbulua se aty kryhej aktivitet këmbimi valutor pa licencën përkatëse. Subjektet ku u konstatuan shkeljet ndodheshin në rrugët “Abdyl Frashëri”, “Sokrat Miho” dhe “Sulejman Delvina”.
Në total u sekuestruan 45 mijë euro, 7000 dollarë, 3000 paund dhe 1.5 milion lekë.
Për rastin kanë nisur hetimet ndaj tre pronarëve të subjekteve, përkatësisht 31 vjeçarit me inicialet O.L, 35 vjeçares me inicialet E.P dhe 40 vjeçarit me inicialet M.D
Burime nga hetimi bëjnë me dije se kontrollet janë pjesë e një plani të posaçëm për goditjen e aktiviteteve ekonomike të paligjshme dhe do të vijojnë edhe në ditët në vijim.
Materialet i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit
"Policia e Tiranës/Vijon zbatimi i planit të posaçëm të masave për goditjen e rasteve të ushtrimit të aktiviteteve ekonomike, në kundërshtim me ligjin. Konstatohet se ne 3 subjekte kryhej këmbim valutor, pa licencë. Dje, Policia e Tiranës, në zbatim të këtij plani, goditi dhe 2 raste në këtë fushë. Vihen në hetim 3 pronarët e subjekteve. Sekuestrohen 45 000 euro, 7000 dollarë, 3000 paunde dhe 1 500 000 lekë. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale, në vijim të kontrolleve të kryera në zbatim të planit të posaçëm të masave “Për goditjen e aktiviteteve të paligjshme”, evidentuan 3 raste të tjera të këmbimit të valutave, nga subjekte të palicencuara për këtë aktivitet. Për këto raste u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për 3 pronarët e subjekteve në rrugët “Abdyl Frasheri”, “Sokrat Miho” dhe “Sulejman Delvina”, shtetasit O. L., 31 vjeç, E. P., 35 vjeçe dhe M. D., 40 vjeç. Kontrollet dhe verifikimet ndaj shtetasve dhe në subjekte, vijojnë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme"
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente









