TIRANE-Dy djem janë fëmijët e parë të vitit 2012 dhe ato gëzojnë shëndet të plotë. Fëmija i parë lindi në maternitetin e Durrësit, vetëm një minutë pas ndërrimit të viteve, në orën 00: 01 ndërsa fëmija i dytë, po djalë, lindi në maternitetin e “Koço Gliozheni” në Tiranë, vetëm një minutë më vonë, në orën 00: 02.

Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili deklaroi se fëmija i lindur në maternitetin e Durrësit, dhe nëna e tij gëzojnë shëndet të plotë.

Në Tiranë Roani dhe mamaja e tij Adriana janë vizituar sot në mëngjes nga Presidenti i Republikës Bamir Topi i cili ka uruar jetë të lumtur familjes.

Presidenti Topi përcolli dhe një herë urimin për të gjithë shqiptarët, ndërsa shprehu një falenderim për punonjësit e policisë, mjekët dhe gazetarët të cilët natën e ndërrimit të viteve nuk kanë qenë duke festuar por në shërbim të qytetarëve.

BERISHA: LINDEN 3 BURRAT E SHTETIT
Kryeministri takoi beben e parë të lindur në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”. Edhe në këtë maternitet fëmija i parë ishte djalë, dhe gëzon shëndet të plotë. Duke përcjellë urimin pë fëmijët e porsalindur kryeministri tha: ““I uroj Aleksandrit të festojë 200 vjetorin e Shqipërisë së Pavarur. Ai lindi në ditën e parë të 100 Vjetorit, urojmë që ai të festojë 200 vjetorin e Shqipërisë së Pavarur". Kur mësova se fëmijët e parë ishin 3 djem thashë me vete i lindën Shqipërisë edhe njëherë burrat më të mëdhenj të saj. Lindën Ismail Qemali, Hasan Prishtina e Isa Boletini.”, tha Berisha.