RAMA: ME NJE KRYQ PER PS NE FLETEN E VOTIMIT, I VINI KRYQ TAKSES SE SHESHTE
Më pas, Rama e ka ndërtuar thuajse gjithë fjalimin e tij mbi shprehjen "me një kryq për PS-në në fletën e votimit..." duke iu drejtuar fermerëve, biznesmenëve, rrogëtarëve të shtetit.
"Në 23 qershor, të gjithë ju që jetoni me një biznes të vogël, keni mundësinë e madhe që duke i vënë një kryq PS-së në fletën e votimit, keni mundësinë të përgjysmoni taksën e sheshtë e të çoni më shumë lekë në shtëpitë tuaja.
Në 23 Qershor, në pak sekonda, duke vendosur një kryq aty ku shkruan PS, t’i jepni vetes çertifikatën e tokës. Për të gjithë ata që janë të pafuqishëm para çmimeve të ushqimeve, bëni zero taksën e sheshtë të Saliut, për vezët, mishin, ushqimin, ilaçet.
Me një kryq tek PS në fletën e votimit, të gjithë ata që punojnë me tokën do të bëjnë zero akcizën e naftës, do heqin taksën për plehrat kimike dhe do të financojnë pesëfish bujqësinë dhe blegtorinë dhe do bëhen pjesë e programit 165 milionë dollarë për të mos lejuar më përmbytjen e tokës së bukës.
Duke vendosur një kryq aty ku shkruhet PS, çdo njeri nga banorët e këtij rrethi ashtu si dhe gjithë Shqipërisë, që jeton me një rrogë, do t’I ulë vetes taksën mbi fitimin dhe do vërë në jetë taksën tonë të fitimit të ndershëm dhe do çojë në shtëpi një rrogë më shumë. Shkurt, me PS-në, shqiptarët do ulin taksat për 95% të njerëzve të këtij vendi".
"DREJTORE SHKOLLASH, LERENI SALIUN, SE NUK E MBANI DOT ME, MAJE FIKUT"
Dhe më pas, ai i është drejtuar si kudo tjetër, drejtorëve të shkollave, të cilët po shfrytëzohen në këtë fushatë nga qeveria për të ushtruar presion vote mbi mësuesit dhe nxënësit: "Për të gjithë drejtorët e shkollave, një fjalë: Lëreni Saliun, se nuk e mbani dot më majë fikut dhe shikoni Kushtetëutën dhe ligjin, interesin e punës suaj e të familjes suaj. Çdo drejtor shkolle që do përfshihet në fushatë duke bërë presion mbi nxënësit e mësuesit, do përballet me ligjin në 23 Qershor.
Miqtë e mi! Këta janë duke ikur e si i mbyturi që mbahet pas fijes së barit, një nga mënyrat më të ultat që po përdorin është gjobitja e fshatarëve të shkretë që jetojnë me drutë e pyllit, gjobitja e sipërmarrësve, kurse unë ju them: Asnjë gjobë që është vënë nga 1 marsi ne nuk do njohim dhe çdo gjobë që e merrni nga 1 marsi, mbajeni si çertifikatë të opozitarizmit të këtij pushteti të marrë fund!", - përfundoi Rama.
RAMA NIS DIALOGUN NE RRETHE, TAKIMI I PARE NE ISH-KENETEN E DURRESIT: ERE FITOREJE!
Kryetari i PS-së, Edi Rama, ka dialoguar sot pasdite me banorët e zonës së ish-Kënetës së Durrësit. PS-ja e zhvendosi këndin e fjalës nga njesitë bashkiake të Tiranës drejt rretheve të vendit dhe qytetarët e Durrësit qenë të parët që bashkëbiseduan me kreun e opozitës për problemet e tyre familjare.
Pas takimit, Rama hodhi përshtypjet e tij të para në Twitter: "Pas një Këndi të Fjalës me shumë interes në ish-kënetën e Durrësit, rrugës për Fushë-Krujë me autobuzin mavi. Fryn erë e fortë fitoreje!".
Në qarkun e Durrësit kandidojnë Blendi Klosi, Klodiana Spahiu, Ilir Beqaj, Namik Dokle, Gentian Bejko,Artur Buxhi, Shkëlqim Troplini, Jurgis Çyrbja,Sokol Sula,Ardian Kokomani,Gëzim Agasi, Tauland Xheraj, Erald Hasanaj, Esmeralda Shkjau.
DIALOGU I RAMES ME QYTETARET NE ISH-KENETEN E DURRESIT
Bisedën e hapi kreu i PS-së, Rama, me fjalët: "Në gjithë këto vite Saliu ka bërë vetëm 8% të gjithë legalizimeve. Që do të thotë që me këtë ritëm ju duhet të prisni 165 vjet që të mbarojë i gjithë procesi dhe mjerë kujt i bie fundi. Ndërkohë që, për ne kjo është një çështje e madhe sociale, është një çështje e madhe ekonomike dhe po e shpjegoj pse. Është një çështje e madhe e këtij vendi në rrugën e zhvillimit. Kështu që, mbas 23 qershorit ne do fillojmë menjëherë procesin e legalizimit.
Ata që kanë ndërtuar një shtëpi për një jetë më të mirë do marrin titullin e pronësisë. Shtëpia e tyre do kthehet përgjithmonë në një pasuri të patundshme të familjes. Pyetja që kam unë është për ata që akoma në këtë zonë apo në Bathore, apo në Kamzë, Paskuqan apo kudo, ku ka zona informale, vazhdojnë të votojnë PD-në dhe Saliun; Edhe sa akoma do hani rrenën e Saliut që do ju legalizojë dhe pse nuk ju ka legalizuar gjithë këto vite? 8 vjet kishte mundësi t’ju legalizonte. S’po ja quajmë ato 5 të parat kur ishte president se ishte i ri atëherë dhe s’kishte eksperiencë. Po këto 8 vjet, si ka mundësi që nuk bëri asgjë? E gjeti Shqipërinë me 250 mijë ndërtime pa leje, po e lë me 400 e ca mijë ndërtime pa leje dhe absolutisht asgjë nuk bëri. Ndërkohë që, në 23 qershor kush do legalizojë shtëpinë e vet me një kryq tek kutia e Partisë Socialiste i hap vetes dhe familjes së vet rrugën e legalizimit.
Doja t’ju pyesja rreth shëndetësisë. Ne paguajmë sigurime, paguajmë të gjitha gjërat që i detyrohemi të paguajmë. Por, edhe pse shkojmë në spitale, në urgjenca, duhet t’ju japësh patjetër ryshfet. Doja t’ju pyesja, si do të shkojnë gjërat nëse ju do të jeni në 23 qershor kryeministër i ardhshëm.
Ti hyn nga ata me fat që ke një punë s’duket dhe prandaj je i siguruar. Po këtu kush është i papunë mund të ngrejë dorën?
Gjithë këta njerëz të papunë kanë edhe një problem tjetër, përveç asaj që nuk diskutohet është një problem shumë i madh. Problemin që nuk janë të siguruar dhe për të gjithë këta njerëz Saliu dhe PD kanë vetëm një porosi. Në qoftë se nuk keni lekë mos u sëmurni. Kush nuk ka lekë nuk duhet të sëmuret, sepse për këta që janë sot edhe ca ditë në pushtet kujdesi shëndetësor është mall që duhet ta blesh. Ose kur je në punë të sigurohesh dhe e blen ose kur s’je në punë u sëmure duhet të shkosh me lekë në dorë se ndryshe nuk të prek njeri me dorë. Ne ndryshe nga këta jemi jashtëzakonisht të turpëruar që në këtë shoqëri ku janë 1 milion të papunë janë po kaq njerëz që nuk marrin shërbimin drejtpërdrejtë. Prandaj, ne do e ndryshojmë sistemin. Do t’i heqim sigurimet. Sot në vit harxhohen rreth 800 milionw dollarë për shëndetin. 7% vetëm paguhet nga sigurimet, 33% nga taksat e përgjithshme dhe 60% paguhet nga xhepi i njerëzve. Po nga xhepi i kujt?! 5% e këtyre 60% nga xhepi i atyre që janë të pasur dhe që shkojnë nëpër spitale të mira private, gjithë pjesa tjetër nga xhepi i atyre që s’kanë; Që shesin shtëpinë, shesin lopën, marrin borxh për të mbajtur gjallë fëmijën me leucemi ose burrin me kancer ose për të çuar në spital një anëtar të familjes. Kjo është e padrejtë dhe ne do ta ndryshojmë sistemin dhe shërbimin shëndetësor do ta bëjmë falas. Falas për të gjithë!
Ju e keni dëgjuar kur thotë Saliu që kjo është marksiste-leniniste, sa ai e njeh mirë marksizmin, unë nuk e njoh shumë mirë dhe se shëndetësia kushton thotë dhe si do bëhet falas. Patjetër që kushton, problemi është kush do ta paguajë. Do ta paguajnë ata që s’kanë apo do e marri përsipër shteti si kontribut të shoqërisë për njëri - tjetrin sepse ndryshe kot i themi vetes pastaj që jemi një popull me tradita solidariteti, një popull me tradita bujarie, një popull me tradita që mbështesin njëri -tjetrin. Prandaj, të punësuar apo të papunë, nga veriu apo nga jugu, nga fshati apo nga qyteti, nga qendra apo nga periferia kush do ketë nevojë për kujdes shëndetësor do ta marri falas.
Unë jam mësues e papunë, 6 vjet ka që kërkoj punë kam dy kalamaj. S’ka punë për mua, sepse duhet 5000 euro të hyjë mësuese. Me çfarë do i rris dy kalamajtë unë. Jam pa shtëpi. Edhe një pyetje tjetër për legalizimet, si kënetë që është shumë i lartë çmimi tokës që është vënë. E ka shumë të lartë taksën që duhet të paguajmë ne për legalizimet. Mos është pak si tepër?
Këta ligjin e legalizimeve e kanë prekur disa herë, sa herë afrohen fushatat. Po të shikoni ne e kemi bërë një studim për këtë punë. Saliu dhe këta “mjeshtrit” e tij flasin për legalizimet që nga viti 2003 vetëm dy– tre muaj para fushatës. Gjithmonë. E kanë prekur disa herë ligjin që ta bëjnë më të thjeshtë e ku di unë se çfarë, e kanë bërë më të ngatërruar, nuk merret vesh se çfarë kanë bërë dhe legalizime nuk kanë bërë. Unë ju garantoj për një gjë; Që mbas 23 qershorit ne do ulemi dhe menjëherë do e fillojmë procesin. Do e shikojmë ligjin, do shikojmë pjesët sipas rastit se janë raste të ndryshme. Aty ku ka pas pronarë, aty ku s’ka pas pronarë, aty ku është pronë e shtetit, aty ku ka qenë kënetë dhe ju zotohem që do t’i japim fund kësaj historie në mandatin tonë të parë. Sepse nuk mund të vazhdojë më kjo histori, ndërkohë që kalamajtë që kanë lindur para 20 vjetësh që janë bërë gati për t’u martuar edhe kur vjen puna shtëpia është akoma e palegalizuar. Kjo është e tmerrshme! Dialogu i plotë i kryetarit të PS-së në zonën e ish-Kënetës
Kështu që ky është zotimi ynë solemn. Ne do t’i japim fund procesit të legalizimeve të shtëpive. Sepse kush ka ndërtuar një shtëpi me gjakun dhe me sakrificat e veta, me kursimet e emigrantëve brenda familjes, me kursimet nga puna këtu, atëherë shteti është në borxh për të bërë legalizimet dhe ne do t’i bëjmë legalizimin.
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)