LONDËR - Manchester City ka fituar trofeun e dytë këtë sezon, pasi këtë të shtunë mposhtën Chelsean 0-1 në finalen e FA Cup të luajtur në mitikun 'Wembley'. Pak javë më parë djemtë e Guardiolës mposhtën Arsenalin në finalen e Carabao apo EFL Cup.
“Qytetarët” e nisën më mirë takimin dhe arritën të tundnin rrjetën herët me anë të Erling Haaland, por goli i tij u anulua për pozicion jashtë loje pas rishikimit në VAR. Antoine Semenyo pati një mundësi të artë në pjesën e parë, por nuk arriti të konkretizojë nga një distancë e afërt, duke e dërguar topin mbi portë.
Po Semenyo u rikthye fuqishëm në pjesën e dytë duke korrigjuar gabimin. Në minutën e 72-të, pas një asistimi të saktë nga Haaland, Semenyo realizoi një gol spektakolar me thembër, duke i dhënë epërsinë dhe në fund trofeun ekipit të tij.
Në anën tjetër, Chelsea pretendoi për dy penallti pas ndërhyrjeve ndaj Joao Pedros brenda zonës, por gjyqtari nuk e pa të arsyeshme të konsultohej me VAR-in, duke mbetur në vendimin fillestar.
Me këtë fitore Manchester City siguroi trofeun e tetë të FA Cup dhe tani fokusohet te ndeshjet e mbetura në kampionat, duke shpresuar që Arsenal të lëshojë pikë në garën për titullin kampion në Premier League.
City nuk e fitonte këtë trofe që nga viti 2023, ndërsa FA Cup këtë vit mbylli sezonin e 145 duke qenë kompeticioni më i vjetër në botën e futbollit. 20 trofe në 10 vite për Pep Guardiolën te Manchester City, Trajneri spanjoll ka krijuar një epokë të ndritur te skuadra angleze.
Komente







